KULTURË

Një dorëshkrim i panjohur për Ciklin e Kreshnikëve, ku Omeri i Ajkunës është vajzë

14:00 - 19.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kolec Çefa – Një popull që ka krijue Ciklin e Kreshnikëve e Kanunin, sot pasuni të Uneskos, asht një popull i vjetër, i meçem, i ndershem, i drejtë, që
pelqeu të rregullojë jetën e vet me rregulla e ligje të drejta, me doke e zakone fisnike, që njeh tagrin e secilit e çmon dinjitetin e secilit e mbështetet në pervojë të perbashkët, pasuni e visare shpirtnore e shpirtit bujar e krijues shqiptar. Kanuni ka pasë fatin e keq të jetë libri i politizuem ma shumë, të jetë libri i anatemuem ma shumë, libri ku asht hjedhë terr informativ ma shumë se gjoja permban “doke e zakone të vjetra prapanike, mbeturina të së kaluares”… Ndërsa ‘Cikli i Veriut’ shkëlqen me pasuni mendore e shpirtnore, me bukuri mahnitëse virgjin të natyrës e të vehtjeve banues, me gjuhën e fuqishme, të pasun e shumë shprehëse. Po ndalemi te kangët per Omerin, bir kreshnik i Mujit e i Ajkunës, që përjetohen e shijohen si gjioele artistike, se rrinë me dinjitet pranë Cidit, Nibelungëvet, Vedavet etj. Veçojmë kangën “Ajkuna kjanë Omerin” ku ndihet me rinqethje, drithërimë e tronditje shpirtnore gjama e një zemre nane, që ka humbë djalin e vetem, e më të lëshojnë gjamën dielli, hana, yjet; e përloten me dënesë bjeshkët, orët e zanat, se pa Omerin nuk ka kuptim jeta!
Krijimin artistik që po paraqesim, autori e ka quejtë “Omeri i Ri”, poemë melodramatike me përmbajtje nxjerrë nga folklori, konkretisht nga kanga me të njajtin titull, por ndërhymjet e autorit janë finesë morali e pasuni arti, plot mesazhe të vërteta, të urta e të dobishme.
Ngjarjet e poemës ndriçohen nga ideja: “Vetem ai meriton lirinë e jetën/ që rreh përditë t’i fitojë”.





Vajza jonë shqiptare pranon të vdesë nga shpata e balozit, por jo të jetojë si robinë e tij. (Vetë autori i poemës pranoi të vdesë gjatë
persekutimit, por jo të rekrutohet e të bahet rob moralisht e shpirtnisht nga dhuna e balozëvet komunistë shqiptaro-serb).
Përmbajtja shkurtimisht: Plaku kreshnik, mbetë pa mashkull në shtëpi, përjetonte moshën e fundit të jetës. Pa pritë e pa mendue i vjen letra prej Balozit me dalë në mejdan. Mërzitet plaku i thyem në moshë, se nuk e përballonte bejlegun e djalë nuk kishte që t’i mbronte nderin. Vajza, mbiquejtë Omeri i Ri, e këshillon të shkojë te Agët e Jutbinës e të gjejë derman.
Por Agët, tue mos dashtë të fusin Jutbinën në gjak, nuk pranojnë tue ia lanë plakut ta zgjidhë vetë si çashtje personale. Por vajza e re, trime e fisnike, i jep zemer plakut: “Per baloz sot m’ke djalë mue”… “Babë, unë po të baj be/Sot rrugën e re/ Mos ma ndal” Pastaj shkon te berberi e qethet si djalë, veshet si djalë e niset per bejleg. Ndalet te shtëpia e të fejuemit e aty e ruen veten (detaji me fyellin e furkën e me probatinin). Niset në mejdan e Balozi e pret me fjalë të randa, por “S’tutet burri, tha, Baloz, me fjalë”. Nisë bejlegu e Omeri i Ri e vret Balozin. Pasi kthen ngadhënjyes, Zuku ban dasmën, por shpejt e nderprenë se nuk shef probatinin që i kishte premtue se do të vijë në dasëm. Omeri i Ri shfaqet se kush asht e dasma ndizet e shpërthen me hov gëzimi e gazmendi, plot gjallni dasme.
Pas vargjeve klishe të Ciklit të kreshnikëve ku gdhendet plot forcë daltë artistike madhnia e Zotit, e Zotit krijues, zotnues e shëlbues, përfillet ideja se Zoti krijoi tokën, në mënyrë që të jetojmë të gjithë në paqe e liri, në begati e zhvillim të përbashkët, si bij të një Zoti të vetem, pa kenë nevoja me grabitë njeni-tjetrin( “Lum për ty, o i Madhi Zot/ që s’jem kanë e Zoti na ka falë…”)
Po përqendrohem në tri pasazhe të poemës, për me tërheqë vëmendjen e meditimin e lexuesit:
1.– Vajza (Omeri i Ri) në poemë nuk asht femna e Kanunit me të drejta të cungueme, të mohueme, e të politizueme, por na paraqitet me dinjitet si ndera e trimnia e familjes, pa mohue mungesën e cungimin e të drejtave të femnes.
2.- Djali (Zuku) merr këshilla nga nana në çdo rasë dilematike dhe i ve në jetë pa hezitim. Pra, gjurmë matriarkati, të cilat nuk mungojnë në Ciklin e Veriut.
3.- Objektet që i vënë para Omerit të Ri, na kujtojnë zakonin e vjetër të të parëve tanë. Pirros së Epirit i vunë do hapa larg karriken (fronin), në njenen anë- gjana të zgjedhuna fëminore, e në anën tjetër, armët. Pirroja fëmijë eci kambadoras, mori armën e hypi në fron. Edhe Omeri i Ri, nuk mori furkën, por fyellin… Tue vënë përballë femnen e Ciklit Verior me femnën e Kanunit të Maleve tona vrejmë edhe ndryshime në paraqitje, sado që janë në pozicione të ndryshme. Ajkuna, e nderueme prej Ciklit të Veriut, e nderueme prej Kanunit (si nanë që këshillon bijtë kreshnikë, tek Cikli, si nanë mbarështruese e shtëpisë te Kanuni).
Motra e Gjergj Elez Alisë zotnon shtëpinë, kryen detyrimet si motër që sakrifikohet për të vëllanë. Omeri i Ri paraqitet prej P. Bernardin Palaj si vajzë që di të ruejë nderin e vet e të familjes; si trimneshë që i del përballë Balozit (rreziqeve) tue ruejtë të papërlyem karakterin e vet e dinjitetin e vet, e aftë të mbrojë tagret e veta, besnike e fatit të vet, shtëpiake e mirë, por edhe e dejë për shoqni. Poeti krijon rasë t’u japë shpirt, forcë gjallnuese e ripertërise virtyteve etnike të popullit tonë e, në të njajtën kohë, nuk pranon cungimet e mungesat e të drejtave të femnës. “Na i mbyllë baba, na i mbyllë nana shtigjet të tana”. Goja e vajzës shqipton: “Lum kush des për nder e për liri”. Nga jeta afrojmë Tringen Smajli (Katrinë, Trinë, Tringë dhe Kate), Noren (Ndore) mesjetare e Norën e Dede Gjo Lulit, Shote Galica etj.

Sigurisht, femna të tilla lëvdohen edhe në jetë, edhe në Ciklin e Kreshnikëve, edhe në Kanunin e Gjeçovit. Theksoj: Këto femna martoheshin pa fishek në pajë! Origjinali i poemës gjindet në AQSH, në fondin “Justin Rrota”. Asht pa emën autori. Unë mendoj se autori asht Pader Bernardin Palaj (qoftë si subjekt, qoftë si shkrim. Bernardini njifet si mbledhës e studiues i folkorit, me përparësi i Ciklit të Mujit e të Halilit. Nuk gabojmë, po të shkruejmë se Padër Bernardin Palaj asht mbledhësi ma i zellshëm i Ciklit, studiuesi ma i thellë, njohësi ma kompetent.
Si duket, Bernardini ia ka dhanë Padër Justinit dorëshkrimin për me marrë mendim nga ai. Anëshkrimet janë shkrimi i Justinit, të cilin e njof mirë. Mandej, Justini nuk asht marrë me poezi. Afer poezisë e prozës, Justini ka shkrue epigrame, e nuk ka shkrue asnjë poezi!

PJESË NGA
DORËSHKRIMI
Át Bernandin Palaj, OFM
Omeri i Rí (Poemë melodramatike në 4 tablo, zhvillohet në kohë legjendare)

TABLO I
(Në shpí t’Omerit)
Lum për ty o i Madhi Zot,
që s’jem kanë e Zoti n aka dhanë,
t’madhe tokën s’bane kot,
gjanisht njerz’t e gjallojnë të tanë.

Rapsodi: Ndër kto lugje t’ksaj krahinë,
mbi Jutbinë,
plaket plaku Omer Bacë,
plak punë-mbarë.
Livadht’ e ara-bukuri,
plot koteca e plot hambarë,
lopë e që kryenakularë,
n’rrokulli,
ma t’mirë s’i shef.
Veç nji vajzë ka plaku n’derë,
vajzë për nderë,
punon cika e t’mirit,
djalë dishirit.
Por, medet, s’e g’zon topraken!
Vjen prej s’largu nji lajmtár,
Vjen me kál,
me vraç t’zí- si Duhi,
i bjen n’derë Omerit Plak.
Lajmtari: Fjalë t’ka çue Balozi i zí,
nuk ke fill që derën hì,
sot dy javë me m’dalë n’mejdan,
due me t’marrë shpí e tokë e bijë.
Omeri Plak: Don me m’marrë tokë e bijë?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.