KULTURË

Një palë dorashka për studiuesin!

13:45 - 19.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Studiues me dorashka, apo pa dorashka? Mbi rolin e keqkuptuar të dorashkave të pambukut në sallat e studimit të arkivave apo bibliotekave, ka shkruar Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Vështirësi për të lëvizur. Humbje ndjeshmërie. Paaftësi për të shijuar. Këto nuk janë simptomat e një pacienti në një klinikë dentare, por përshtypjet e studiuesit në një sallë studimi. Çuditërisht, studimi i librave apo i dokumenteve të vjetra shoqërohet, në mendjet e publikut apo të shumë profesionistëve, me dorashkat e bardha që duhet të mbajë veshur studiuesi. Ndikimi ka ardhur, me gjasë, nga emisionet televizive apo propaganda mediatike, ku dorezat sikur përforcojnë idenë se kemi në dorë një të shkuar delikate, të cilën po e mbrojmë dhe s’ka për t’u dëmtuar. Mirëpo, veshja e dorezave, veç se e bën studiuesin (apo edhe arkivistin a bibliotekarin) të ngjajë si polic a si arbitër në një lojë bilardoje, përfitimi nuk është aq i madh.




Kjo sepse pambuku i dorezave është jashtëzakonisht absorbues, nga të dyja anët. Edhe një sallë studimi e pastruar me kujdes, krijon shumë mundësi që papastërtitë të kalojnë, përmes dorezave, në fletën e librit apo të dokumentit. Sipërfaqja e tryezës apo karriget kanë mbetje të solucioneve pastruese, mbështetëset prej sfungjeri të librave mbledhin pluhur apo grimca të tjera papastërtish, kurse kremi i duarve apo yndyrat e lëkurës mund të depërtojnë nga brenda-jashtë pëlhurës së dorezës. Madje, dorezat e pambukut as nuk e ndihmojnë studiuesin që të mbajë duart pastër. Veçse mbledhin papastërti në anën e jashtme, ngrohtësia që krijohet në duar stimulon emetimin e djersës prej trupit, duke krijuar lagështi që kalon lehtësisht në anën e jashtme të pëlhurës poroze, duke rritur gjasat që doreza të mbledhë, thithë dhe shpërndajë ndotjen në sipërfaqen e dokumentit. Për më tepër, fibrat e pambukut të dorezave përmbajnë yndyra dhe alkane, duke ia ulur vlerat masës mbrojtëse. Zgjidhja më e mirë? Larja e duarve gjithmonë përpara përdorimit të dokumenteve origjinale dhe larja e duarve atëherë kur kategoria dhe mosha e dokumentit ndryshon (p.sh., kur kalojmë nga një dokument i shek. XX në një të shek. XVIII). Për kategori të tjera dokumentesh, siç janë fotografitë, negativët e xhamit apo negativët e filmave, etj., vlejnë të tjera parime mbrojtjeje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.