Fol me Psikologen

Burri nuk hedh foto me mua dhe vajzën në Facebook, mos vallë më tradhëton?

10:12 - 20.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Burri im nuk hedh asnjë foto me mua dhe vajzën në facebook. I kam thënë disa herë hidh ndonjë foto dhe thotë se i ka bezdi. Nuk di pse, po seç kam një parandjenjë që ai më tradhton, ashtu siç po bën gjithë dynjaja. Ka patur shumë lidhje dashurie më parë dhe është shumë simpatik.




-E dashur ajo që ti shkruan lidhet me xhelozinë, pra parandjenja se burri po të tradhton. Jetojmë në një shoqëri e cila për fat të keq po na ushqen çdo ditë e më shumë me shembuj tradhtish, me probleme të thella familjare dhe me një krizë të fortë të institucionit martesë. Të gjendur në të tillë mjedis priremi të kemi frikëra dhe çdo stimul i jashtëm të na çojë tek një shqetësim. Pra ti dëgjon se mikesha jote ka një histori tradhtie, fqinja, i afërmi yt apo dikush tjetër dhe të gjitha këto të bëjnë të mendosh për raportin tënd, të bëhesh më e ndjeshme dhe më alerte si për ti paraprirë diçkaje të tillë. Megjithatë jeta nuk është kaq e thjeshtë dhe aq më pak kur flasim për raportin në çift.

Besoj se ti e njeh më mirë se çdo kush tjetër bashkëshortin tënd, di karakteristikat e personalitetit të tij, di atë që i pëlqen dhe atë që nuk do ta bënte kurrë. Ka shumë individë të cilët zgjedhin të mos shfaqin familjarët e tyre në rrjetet sociale duke kërkuar me çdo kusht privatësinë dhe mbrojtjen e tyre, por jo domosdoshmërish arsyeja që e bëjnë këtë është tradhëtia. Nëse ti ndihesh keq atëherë duhet të flasësh me të dhe ti thuash që ky veprim i tij të bën të ndihesh e refuzuar. Komunikimi është thelbësor dhe jo vetëm sqaron, por edhe shëron duke na dhënë një shpjegim për çdo pikëpyetje dhe shqetësim që kemi.

Si grua, je ti që vlerëson dashurinë dhe përkushtimin e bashkëshortit ndaj teje, je ti që di sa e lumtur je me jetën që po jeton. Fokusohu tek jeta reale, ajo e vërteta, përpiqu të bësh maksimumin për të qënë bashkë dhe të qetë. Përqëndrohu tek familja duke i lënë jashtë rrjetet sociale, vetëm kështu do të mund ta mbrosh atë.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.