Intervista

Vetingu, kreu i sindikatës së policëve: Afati 30-ditor i aplikimit, i pamjaftueshëm

10:40 - 20.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ina Allkanjari- Shqetësimit të punonjësve të policisë për problematikat e procesit të vetingut, që lidhen kryesisht me kohën e pamjaftueshme të ofruar për plotësimin dhe dorëzimin e dokumenteve dhe formularit si dhe kostot e larta financiare, i ka dal në krah sindikata e policisë. Ditën e djeshme kreu i sindikatës i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu ku kërkon shtyrjen e afatit 30 ditor për plotësimin e dokumentacionit. Në një intervistë ekskluzive për ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i sindikatës së punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta shprehet se shkak i kërkesës është koha e lënë në dispozicion, e cila është e pamjaftueshme për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm, të plotë për të plotësuar 11 kërkesat e deklarimit të pasurisë dhe për t’i bashkangjitur e hedhur ato në deklaratën në faqen 15 të formularit të pasurisë. Gjithashtu, ai thekson se, nëse këto dokumente nuk sigurohen dhe nuk përmbushet formulari në përputhje me ligjin, këto punonjës rrezikojnë të përjashtohen dhe të humbin pagën kalimtare dhe pensionin suplementar. Ky fakt ka ngritur shqetësim për punonjësit e policisë, të cilët sipas Fishtës, kanë dorëzuar kërkesë për largimin nga forcat e policisë. “Nga informacioni që kam deri në këto momente, vetëm nga Tirana kanë bërë kërkesën për t’u larguar rreth 60 punonjës policie. Por nuk është i qartë fakti nëse kjo kërkesë është depozituar, sepse këto persona kanë probleme apo sepse nuk përballojnë dot ngarkesën që jep përmbushja e tri formularëve që është rreth 40 faqe dhe duhen pak a shumë 11 dokumente ku përfshihen dhe deklarimet e familjarëve të tyre”,-shprehet kreu i sindikatës, Sadetin Fishta.




Ju i keni dërguar një letër ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, ku konsiston kërkesa juaj?
Nëse do t’i referohemi ligjit të vetingut, në përgjithësi është i domosdoshëm dhe shumë i mirë, sepse do të bëjë një herë e mirë pastrimin e policisë nga radhët e krimit, nga punonjës të policisë të cilët janë të inkriminuar. Por po ta shikojmë ligjin me detaje ka edhe elemente të tjera, të cilat kanë nevojë të rishikoheshin. Siç është rasti i afatit 30 ditor, ku 11 punonjës policie duhet të dorëzojnë formularin e deklarimit të pasurisë. Për punonjësit e policisë kjo është një masë shtrënguese. Është e pamundur që një punonjës që është në marrëdhënie pune brenda 30 ditësh të sigurojë të gjithë dokumentat dhe informacionet që i duhen për të plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë. Ne iu drejtuam ministrit që të ndërhyjë dhe kjo pjesë të rregullohet me qëllim që t’i jepet mundësi punonjësve që ta realizojnë këtë detyrim ligjor.

Pse ky afat kohor nuk është i mjaftueshëm për punonjësit e policisë, për plotësimin dhe dorëzimin e dokumenteve dhe formularit?
Punonjësit e policisë duhet të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm, të plotë për të plotësuar 11 kërkesat e deklarimit të pasurisë dhe për t’i bashkangjitur e hedhur ato në deklaratën në faqen 15 të formularit të pasurisë. Ne kemi kërkuar shtyrje për kohën e mjaftueshme, sepse janë shumë banka në të cilat është derdhur pagesa, plus rrethe ku mund të kenë lëvizur punonjësit ku duhet të marrin dokumentet përkatëse, njëkohësisht duhet të marrin të dhëna nga institucione të tjera si shpenzimet e fëmijëve për shkollim brenda apo jashtë vendit. Prandaj është e nevojshme të shtyhet afati për të kuptuar pozitën e gjithsecilit.

Çfarë ndodh nëse një punonjës policie nuk arrit të marrë dhe të dorëzojë në kohë të gjithë dokumentacionin përkatës?
Nëse këto dokumente nuk sigurohen dhe nuk përmbushet formulari në përputhje me ligjin, këto punonjës përjashtohen dhe rrezikojnë të humbin pagën kalimtare dhe pensionin suplementar. Sepse, nëse në deklaratën që ka dorëzuar puno-njësi ka mangësi konsiderohet si fshehje e të dhënave dhe n.q.s. konsiderohet e tillë nga komisioni i vetingut pavarësisht se mungesa e dokumentacionit mund të ketë ardhur nga pamundësia për ta marrë atë dokument, automatikisht në bazë të ligjit ai përjashtohet dhe, në qoftë se kjo gjë ndodh nuk fiton pagën kalimtare dhe pensionin. Pra, humbet të gjithë karrierën që ka punuar në polici për të marr përfitimet pas viteve të punës. Duke u nisur nga ky fakt punonjësit e policisë ndihen tepër të pasigurt.
Si ka qenë reagimi i punonjësve të policisë lidhur me këtë fakt?
Brenda këtij afati, punonjësve u jepet e drejta e dërgimit të një kërkese për largim nga forcat e policisë. Nga informacioni që kam deri në këto momente vetëm nga Tirana kanë bërë kërkesën për t’u larguar rreth 60 punonjës policie. Por nuk është i qartë fakti nëse kjo kërkesë është depozituar, sepse këto persona kanë probleme apo sepse nuk përballojnë dot ngar-kesën që jep përmbushja e tri formularëve që është rreth 40 faqe dhe duhen pak a shumë 11 dokumente ku përfshihen dhe deklarimet e familjarëve të tyre. Për këtë arsye, kërkojmë të ndihmohen qoftë edhe me një muaj shtesë për t’i dhënë mundësinë që të bëhet një dallim midis punonjësve, të cilët kanë dhënë një kontribut për policinë dhe janë të devotshëm dhe atyre të inkriminuarve.
Çfarë pasojash mund të ketë mos shtyrja e këtij afati?
Parashikohet që një numër i madh punonjësish, të cilët nuk do mund t’i përmbushin në kohë këto deklarime, në pamundësi për t’i dorëzuar, pasi, nëse i dorëzojnë me defekte, ato marrin përjashtim dhe humbasin të ardhurat e sipërpërmendura, do bëjnë kërkesën që të largohen nga policia. Pra, mund të largohet edhe një punonjës, i cili mund të jetë i pastër dhe i devotshëm për vazhdimin e karrierës. Pothuajse të gjithë punonjësit e policisë kanë ankesë në lidhje me afatin 30 ditorë, i cili konsiderohet i pamjaftueshëm.
Në një nga pikat e kërkesës drejtuar ministrit të Brendshëm thuhet se shpenzimet për këto dokumente janë shumë të larta për policët familjarë. Si e mendoni ju zgjidhjen më të mirë për këtë situatë?
Për sa i përket pagesave që duhet të kryejnë punonjësit për marrjen e këtyre dokumenteve, me një llogari që kryem një punonjës duhet të paguajë 3000 lekë të reja vetëm në lidhje me informacionet që i duhet të marrë nga banka për veten e tij, pa përfshirë familjarët. Ne kemi një kërkesë të vetme, që nuk duhet të ishin angazhuar punonjësit e policisë për të marrë këto vërtetime, por të plotësonin deklaratën pa siguruar të gjithë dokumentet që kërkohen dhe komisioni të merrej me verifikimin e mëtejshëm. Pra, kostoja nuk është zero, për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ore po pse nuk ke fol qe e kane te veshtire policet per te justifikuar te gjithe pasurine pasi ekonomia ka qene informale per shume vite. Disa kane qene emigrante pa dokumenta, disa i kane ndihmuar femijet, vellezerit e motrat qe i kane jashte, po ato si do ti justifikojne shtepite e makinat etj?

    Përgjigju ↓