Kryesore

Institucionet e Vettingut, Gjonaj: Mbështetje më e madhe buxhetore nga qeveria

19:36 - 21.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka diskutuar për ecurinë e çështjes së reformës në drejtësi, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe efektet që do të ketë ajo për qytetarët, por edhe për aktorët e fushës së drejtësisë, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Fierit.




Ministrja ka bërë një prezantim të ecurisë së reformës dhe ndryshimeve që ajo do të sjellë, ndërsa ka theksuar se reforma në drejtësi ishte një nga arritjet më të vlerësuara nga Komisioni Europian në dhënien e Rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

 “Qeveria shqiptare e ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme reformën në drejtësi dhe në një kohë shumë të shkurtër ka bërë gati të gjitha aktet nënligjore duke i miratuar ato, për sa i përket infrastrukturës dhe mbështetjes buxhetore. Është mbështetja buxhetore më e madhe që u është dhënë në një kohë kaq të shkurtër komisioneve, të cilët po kryejnë vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka thënë Gjonaj.

Gjatë diskutimit për projektligjin e ri “Për profesionin e avokatit”, pjesë e paketës ligjore të profesioneve të lira, ministrja Gjonaj ka theksuar se projektligji është diskutuar dhe konsultuar në tryeza të ndryshme me grupet e interesit.

Sipas saj, ndër risitë e ligjit janë forcimi i trajnimit fillestar, ose i shkollës, që Dhoma Kombëtare e Avokatisë ofron për avokatët e rinj dhe trajnimin vazhdues detyrues për çdo avokat.

“Ligji synon forcimin e masave disiplinore. Ministria e Drejtësisë e ka aktualisht një rol në Komisionet Disiplinore të Avokatisë, por më duhet të pranoj se nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij në mënyrën më funksionale të mundshme”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Ministrja ka pranuar se në pjesën më të madhe gjykatat kanë probleme infrastrukturore, por ajo ka theksuar se harta e re gjyqësore, që shumë shpejt do të miratohet me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të bëjë një ndryshim dhe një organizim të gjykatave nëpër rrethe gjyqësore. Më pas qeveria, sipas saj, do të mbështesë me investime rikonstruksionin e godinave të gjykatave.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.