OPINION

Krizë e BE, apo krizë e modelit perëndimor

07:20 - 21.04.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Viti që lamë pas evidentoi një BE në krizë, shoqëruar me probleme konkrete ekonomike e sociale, por edhe me përpjekje të pasuksesshme për të mbajtur në linjë dhe ushqyer projektin europian. U evidentuan dukuri kundërvënëse ndaj sistemit të vlerave, vështirësi në vendimmarrjet e dakordësuara, ngritje të ndjeshme të dallgëve të nacionalizmit, euroskepticizmit e populizmit, por edhe kriza konkrete si ajo greke etj.. U shfaq një problematikë shqetësuese në të gjithë hapësirën europiane, apo në atë që njihet si modeli perëndimor. Perëndimi dhe modeli i tij u përplas vendosmërisht me modelin komunist dhe rezultoi fitues mbi të, duke evidentuar epërsi të qartë e sidomos në standardet më larta të zhvillimit ekonomik, social, politik e demokratik. Perëndimi, i vetëkënaqur realisht nga kjo fitore, nuk u kthye si duhet nga vetja, për të vlerësuar shkallën e konsumimit, problemet e lindura dhe që po lindnin dhe veçanërisht nuk tregoi vëmendjen e nevojshme, rreth faktit që çdo fenomen i gjallë përmban domosdoshmërinë e brendshme për të kritikuar e korrigjuar vazhdimisht vetveten, për t’u përsosur përmes ndryshimeve. U mor më shumë me përballimin e krizave konkrete e problemeve të veçanta, që i lindnin në fusha të caktuara dhe jo sa duhet me të ardhmen e modelit të zhvillimit e përsosjen e tij.




Tash duket qartë që kjo neglizhencë po godet së brendshmi, duke shfaqur një problematikë që po bëhet e mprehtë në proces, por që e ka gjetur të papërgatitur klasën politike drejtuese të perëndimit, si dhe kërkimin shkencor ekonomik, politik, filozofik e social, teksa shfaqet një mungesë apo shterpësi idesh, tezash, teorish apo strategji konkrete, për përsosjen e mëtejshme të modelit perëndimor të zhvillimit, të ngritur mbi sistemin e vlerave. Realiteti i sotëm po zhvillon shpejt nevojën e reagimit sa më shpejt drejt një prodhimtarie ideore e shkencore të domosdoshme për përsosjen e mëtejshme të këtij modeli, sa nuk është shfaqur emergjenca apo kriza ekstreme.

Në situatën e krijuar nga trysnia e rritur e populizmit, nacionalizmit, rritja e peshës së rolit të së djathtës ekstreme, “Brexit” dhe fenomenit “exit”, e euroskepticizmit, efektet e vazhduara të krizës ekonomike e financiare botërore dhe mundësia, apo dyshimi për shpërthimin e një flluske apo krize të re, por edhe një krize e zgjatur politike, që u zhvillua në Gjermani, duket sikur BE po fle, sikur po ecën në rënie të lirë, apo po jeton me disa kontradikta të brendshme në zhvillim. Këto kontradikta janë arsyeja që në tregun politik europian kanë lënë si mënjanë atë konceptin e “dy shpejtësive”, të trumbetuar shumë nga burokracia e BE dhe po rivalizojnë koncepte: “më shumë Europë”,  “Europë më e mirë” apo tani së fundi dhe “Europë më e vogël”. Presidenti francez Makron, duke nënvizuar rëndësinë e reformimit të BE, insiston më shumë te procesi i thellimit e jo i zgjerimit, duke ofruar edhe propozime konkrete në këtë drejtim. Kjo tregon se ka shqetësim, por nuk ka strategji të qartë të një veprimtari të mirorganizuar shkencore, që do prodhojë vizion, ide, reformim e hapa konkretë ndryshimi. Kur shpërtheu kriza botërore financiare në vitin 2008, nga politika perëndimore doli deklarimi: “Ta bëjmë kapitalizmin më të moralshëm”. Nuk mund të thoshin më shumë, por mund të bënin më shumë, për të hapur rrugën e një bashkëpunimi krijues me kërkimin shkencor.

Kontradiktat e brendshme janë burim i vetëlëvizjes e vetëndryshimit, por në rastin e BE dhe ecurisë së projektit europian, kemi të bëjmë me një ngecje e krizë të vërtetë. Tashmë ka një problematikë mjaft komplekse brenda BE, por ajo që tërheq vëmendjen është se nuk ka një vizion të qartë e strategji të plotë se si duhet trajtuar e adresuar kjo problematikë, që ka një emër të qartë-krizën e BE dhe ngecjen e ecurisë së projektit europian. Disa përpjekje për të kapërcyer kriza konkrete, sidomos ajo që lidhet me fenomenin “exit”, apo edhe ide të shkëputura, si ajo e dy shpejtësive ose të shpëtojmë ç’mund të shpëtojmë, dëshmon qartë paqartësinë rreth çështjes: ka një krizë politike të BE, apo një problematikë që lëviz drejt një krize të modelit perëndimor. Ka çështje konkrete që duhen zgjidhur, por ka edhe probleme të karakterit ideor, që lidhen me përsosjen e mëtejshme të modelit perëndimor të zhvillimit.

Tash tërheq vëmendjen se ai që është njohur si perëndimi i bashkuar dhe që fitoi si i tillë përballjen me modelin komunist, nuk shfaqet i tillë, por edhe disi i grindur në disa drejtime dhe BE është duke u marrë shumë me veten, duke e zvogëluar kështu disi rolin e saj në zhvillimet botërore. Kjo situatë ka mundësuar rritjen e trysnive imperale ndaj hapësirës europiane, por edhe deklarime të tipit “perëndimi historik”, si një formë aludimi për një dështim të modelit ekonomik, politik e social të perëndimit. Modeli perëndimor dhe sistemi i vlerave kërcënohen aktualisht edhe nga modele eklektike e autoritariste, në funksion të interesave gjeopolitike. Kriza botërore financiare e vitit 2008 tronditi rëndë modelin perëndimor, duke evidentuar një problematikë komplekse ekonomike, financiare e sociale. Një problematikë komplekse ekonomike, sociale e politike është evidentuar qartë në hapësirën europiane, ku ngurrimi për të kryer reforma strukturore dhe ngecja e projektit europian përbën një problem vërtet serioz. Në hapësirën europiane u shfaq vështirësi më e madhe se në SHBA, sa i përket përballimit të krizës botërore edhe për faktin se ishin akumuluar një sërë problemesh komplekse. Jo vetëm Greqia, por edhe disa vende të tjera ishin nën efektet e rënda të krizës botërore, me fenomene shqetësuese ekonomike e financiare, niveli i lartë i papunësisë, sidomos te brezi i ri, niveli i lartë i borxhit, kriminaliteti etj. Po kështu, vështirësitë reale në qeverisjen e BE, humbja reale e peshës e rolit të partive tradicionale, mbështetëse të projektit europian, dallgët e shtuara e alarmante të nacionalizmit, populizmit e euroskepticizmit vështirësuan funksionimin e dakordësimit në vendimmarrjen europiane, që u shfaq ashpër në definimin e qëndrimeve për përballimin e krizës së refugjatëve, që po funksiononte edhe si armë gjeopolitike kundër BE. U shfaq trysnia e fenomenit “exit”, që u reduktua në fakt vetëm me “brexit”. Nuk munguan në proces edhe kritika brenda BE nga vende të veçanta ndaj demokracisë liberale dhe dukuri shqetësuese, në disa vende anëtare nga ish-vendet socialiste, sa i përket funksionimit të demokracisë e sundimit të ligjit, apo shfaqjet e dashurisë ndaj modeleve e prirjeve autoritariste.

Tash nuk mund të mohohet që në hapësirën e BE, të modelit të ngritur mbi sistemin e vlerave, konstatohet një prirje për anim më shumë nga interesat e shtetit komb e konceptet sovraniste, një lloj pragmatizmi ndarës për të përfituar më shumë ekonomikisht nga integrimi dhe për të kundërshtuar përgjegjësitë kolektive, sidomos sa i përket respektimit të standardeve që burojnë nga sistemi i vlerave. Nga mënyra se si kanë formësuar marrëdhënien me sistemin e vlerave, disa vende anëtare, sidomos nga vende të ish- kampit socialist, kanë nxitur reagime e kritika nga strukturat e BE. Po kështu, fenomeni i abuzimit me fondet e BE solli propozimin për krijimin e prokurorisë europiane, që njihet si EPPO, që mendohet të hetojë edhe krime të tjera, përfshi edhe terrorizmin, por që është kundërshtuar hapur nga tetë vende anëtare. Duket sikur në hapësirën e BE po kristalizohet politikisht një “opozitë” reale ndaj projektit europian dhe modelit të ngritur mbi sistemin e vlerave. Ky pozicion “opozitar” ka karakteristika konkrete në çdo vend, por është duke nxitur edhe forma të tjera bashkëpunimi si “V4”, “tre detet” apo edhe koalicione qeverisëse me parti haptazi euroskeptike apo kundërshtuese të projektit europian etj. Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti domethënës nga sondazhet e kryera, që shumica e qytetarëve në hapësirën e BE mbështesin projektin europian dhe sistemin e vlerave, ku bie në sy sidomos mbështetja që vjen nga brezi i ri i këtyre vendeve. Kështu, sa i përket sistemit të vlerave, rezulton nga sondazhet e vitit të kaluar se 81% e qytetarëve europianë mbështesin qarkullimin e lirë të njerëzve, 75% mbështesin politika të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes, 72% mbështesin politikat e energjisë, 68% politikat e përbashkëta të migrimit, 66% një politikë të jashtme të përbashkët të BE dhe 60% mbështesin një treg unik monetar europian. Po kështu, nuk mund të mohohet aktualisht një përmirësim i ndjeshëm i situatës ekonomike, por edhe përmirësime të treguesve ekonomikë, financiarë e socialë.

Kështu, sipas sondazhit të kryer vitin e kaluar, norma e papunësisë në zonën e eurozonës në vitin 2017 ishte 9.1%, kur një vit më parë ishte 10.1%, ndërsa për 28 vendet europiane ishte 7.7%, kur një vit më parë ishte 8.6%. Megjithatë, refuzimi nga qytetarët europianë ndaj zgjerimit europian është në nivele të larta, ku në Austri 69%, në Gjermani 68%, në Francë 67%, në Holandë 66%, Finlandë 63%, Belgjikë 62% etj. Këta tregues të “refuzimit” qytetar ndaj zgjerimit, një dukuri e fenomenit të zgjerimit të mbështetjes së politikave joliberale, i sulmeve e kritikave ndaj demokracisë liberale e sistemit të vlerave me flamurin e nacionalizmit, por edhe një rritje e mbështetjes për partitë populiste e euroskeptike, shpjegohen me ndikimin e pasojat reale të goditjes që ka marrë hapësira perëndimore europiane nga kriza botërore financiare.

Është fakt tashmë se brenda hapësirës europiane, nuk ka thjesht fenomene, por edhe qëndrime konkrete ndarjesh nga sistemi i vlerave, demokracia liberale e sundimi i ligjit. Madje, duket sikur disa e kanë motiv jo të ndryshojnë qëndrimin e tyre, duke u afruar te sistemi i vlerave, por sikur duan të ndryshojnë BE, apo raportin e materializuar me sistemin e vlerave. Kjo po shfaqet si një formë e goditjes nga brenda e projektit europian, që me të drejtë mund të vlerësohet më i rrezikshëm se fenomeni “exit”. Dhe tash disa vende anëtare, kryesisht të ish-lindjes komuniste, duket sikur kanë një dashuri më shumë ndaj demokracisë joliberale, duke përdorur shumë shkopin e interesave të shtetit komb. Pse jo, nostalgjitë historike tek disa politikanë europianë, qëndrojnë mbi ta si shpata e Demokleut. Kjo dukuri dëshmon se kriza që po përjeton BE sot lidhet qartë me afinitetin, besimin ndaj sistemit të vlerave, nga dyshimet konkrete rreth çështjes se vërtet BE përfaqëson sistemin e vlerave. Disa duke folur për një krizë të demokracisë liberale, apo një fund të saj, pikturojnë e mbështesin modele jo demokratike, eklektike e autoritariste. Natyrisht, që realiteti është imponues dhe bazë për argumentim se modeli perëndimor i zhvillimit ngrihet dhe funksionon mbi sistemin e vlerave, edhe pse nuk mund të jetë i paqtë ose perfekt, por jeton i tillë realisht, pa përjashtuar mangësitë, dukuritë negative, kontradikta reale të brendshme, që nxisin procesin e përsosjes së mëtejshme të tij. Në këto kushte qëndrime e koncepte dyshuese ndaj këtij modeli nuk mund të mos dëmtojnë ecurinë e projektit europian, procesin e përsosjes së modelit dhe ushqimin e mëtejshëm të sistemit të vlerave. Tash nuk ka mëdyshje për shumë analistë, se në BE fryn erë krize dhe se ka një ngecje reale të ecurisë së projektit europian. Ka reaguar burokracia europiane më shumë dhe tash po reagon edhe klasa politike, ku interes të veçantë kanë reagimet e opsionet e kancelares Merkel dhe presidentit francez Makron. Natyrisht, përballimi i krizës kërkon një angazhim maksimal të së gjithë klasës politike europiane, që sot duhet të kuptojë më mirë përgjegjësinë që kanë për ta mbrojtur, përsosur e reformuar më tej modelin perëndimor europian të zhvillimit, që realisht sot përfaqëson formën më të zhvilluar në zhvillimin e qytetërimit botëror.

Realisht sot nuk ka modele zhvillimi që mund ta konkurrojnë modelin perëndimor, siç pretendoi, luftoi dhe dështoi modeli komunist, në mënyrën se si u konceptua e funksionoi ai. Megjithatë, sot po flitet edhe për modele konkrete, që duke e vënë theksin te kriza që kalon modeli perëndimor europian, përpiqen të lançojnë modele konkrete, edhe pse ato nuk janë provuar për një kohë të gjatë dhe në thelb janë eklektike e shartime me elementë që kanë dëshmuar në histori dështimin e tyre. Natyrisht, fakti që nuk ka sot modele që ta konkurrojnë modelin perëndimor, mund të ndikojë edhe negativisht në drejtim të një veprimtarie të organizuar për reformimin e përsosjen e tij të mëtejshëm, nevojë që buron së brendshmi.

Tash, nisur edhe nga fakti që ekonomia kineze përballoi goditjen e krizës botërore financiare dhe ka shtratuar një rritje të qëndrueshme ekonomike e të lartë, ka nisur të flitet për modelin kinez të zhvillimit, apo edhe për epërsinë e tij. Ka sot edhe nga ata që e shpallin modelin kinez të ngritur mbi moralin e standardet e tij, në harmoninë në diversitet dhe jo si modeli perëndimor që ngrihet mbi pushtetin. Brenda Kinës nuk mungojnë deklarimet tipike se demokracia e ndritur kineze vendos perëndimin në hije. Duket sikur ky model rekomandohet si alternative e së ardhmes së njerëzimit. Argumenti që po përdoret aktualisht është i tipit: demokracia kineze po ritet, ndërsa ajo perëndimore është në rënie, e mbytur nga krizat dhe kaosi. Disa, duke u përpjekur ta tipizojnë këtë model, e shohin atë një formë politike me në krye partinë komuniste, që mundëson harmoninë sociale, stabilitetin politik dhe politika efikase. Përqendrimin politik në drejtimin e vendit e sjellin si model që mundëson shpejtësi e efikasitet në vendimmarrje, por evidentojnë edhe mbështetjen që Kina ka deklaruar ndaj procesit të globalizimit. Nisur nga ky konceptim nxitojnë të pohojnë që Kina duket më udhëheqës global se SHBA. Në kushtet e lirisë së mendimit edhe këto opsione kuptohen, madje edhe nevojat konkrete gjeopolitike, por fenomeni i publikimit të modeleve alternative mund të mendohet edhe si një argument më tepër, për nevojën e një veprimtarie më të plotë e më të organizuar të kërkimit shkencor, për përsosjen e mëtejshme të modelit perëndimor të provuar historikisht edhe për rolin e bazamentit të tij, sistemit të vlerave.

Në kushtet e një lloj thatësire të kërkimit e mendimit shkencor, të studimeve me objekt kryesor modelin perëndimor të zhvillimit apo të nevojës për përsosjen e tij, të një mungese të një vizioni të qartë e të plotë, ka tendenca për t’iu kthyer mendimit të prodhuar historikisht, duke përfshirë këtu edhe mendimin e analizën që Marksi i ka bërë kapitalizmit. Kështu, ish- ministri grek, Varufaqis, e kthen kokën nga Marksi, duke iu referuar analizave dhe tezave të tij mbi thelbin e dukuritë e kapitalizmit, përfshi kontradiktat e thella të brendshme e të mprehta sociale të tij e pabarazinë, idenë për tatimin progresiv, por edhe për parashikimin e tij për procesin aktual të globalizimit.

Kapitalizmi është vjetruar mendon Varufaqis dhe ngritja e korporatave gjigante të teknologjisë e inteligjencës artificiale do ta vrasin fare këtë sistem. Ai mendon se kapitalizmi po vdes dhe goditjen fatale do t’ia japë ajo që konsiderohet e ardhmja e ekonomisë, teknologjia. Sipas tij, kapitali po prodhohet nga shoqëria, por fitimet privatizohen dhe në këto kushte inteligjenca artificiale do të shkatërrojë më shumë vende pune nga sa do të krijojë dhe në këtë moment, Marksi do të ketë hakmarrjen e tij ndaj kapitalizmit, arsyeton ai. Edhe revista “Rollin Stone” u referohet parashikimeve ta Marksit për të ardhmen e kapitalizmit. Heilbroner pohon se “ne i kthehemi Marksit, jo se është i pagabueshëm, por se është i pashmangshëm”. Marksi në fakt kishte parashikuar të ardhmen e komunizmit, ku një model i ndërtuar sipas mendimit apo si u kuptua Marksi, dështoi në përballjen me modelin perëndimor të zhvillimit, të ngritur mbi sistemin e vlerave. Natyrisht, prodhimi shkencor i arritur historikisht, është një vlerë dhe bazë e pazëvendësueshme, por sot po piqet me shpejtësi nevoja për një aleancë mes klasës politike perëndimore dhe kërkimit shkencor, ekonomik, sociologjik, politik, juridik, filozofik etj., me qëllim që të mundësohet një studim serioz e kompleks i realitetit të sotëm, i gjendjes dhe ecurisë së modelit perëndimor dhe i nevojës për reformimin e përsosjen e tij të mëtejshme. Sot nuk shtrohet çështja për riparime e ndreqje të thjeshta, apo të pjesshme, por për reformim cilësor e kompleks, për ta bërë më efektiv, më të qëndrueshëm e më perspektiv këtë model të ngritur mbi sistemin e vlerave. Ka sot një krizë politike të BE, por nuk duhet lejuar që kjo të thellohet e zgjerohet në përbërës të tjerë e sidomos, nuk duhet lejuar të piqet një krizë reale e modelit perëndimor. Mbi këtë bazë ka lindur nevoja e reformimit të BE-së përmes avancimit të projektit europian e jo thjesht të elementeve apo pjesëve të veçanta. Natyrisht, nëse piqet një nevojë për një model të ri, ai do të formësohet, kuptohet jo në boshllëk, por sot po piqet me shpejtësi reformimi dhe përsosja e modelit perëndimor, që mund të kryhet vetëm duke qëndruar fort tek arritjet progresive e mbështetur sistemin e vlerave.

Më 20 prill 2018

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.