OPINION

Bashën nuk e frikësojnë kundërshtarët, por ajo që ka bërë!

20:28 - 22.04.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për të gjithë ata që mendojnë se Lulzim Basha po thërriste Kuvendin për të qetësuar kundërshtarët e vet, është e qartë se në fakt po e mbledh për të qetësuar veten. Me një qetësi që i shkon për shtat dikujt, që është i qartë se çfarë duhet të bëjë me kundërshtarët e vet, ai bëri të kuptojnë sikur ishte trembur prej tyre, për ta përdorur Kuvendin dhe një herë kundër tyre dhe jo vetëm kundër tyre.




Ajo që po përgatitet Lulzim Basha nuk janë më kundërshtarët në PD, por një betejë më afatgjatë me ndonjë pasues të mundshëm të tij, në rast se ai përballet me ligjin në muajt që vijnë, si person nën hetim.

Lulzim Basha është sot në shkelje të hapur të ligjit shqiptar për financimin e partive politike, dhe nën një akuzë të faktuar nga FBI se ka financuar fushatën elektorale, me para të ardhura nga burime ruse, përmes një kompanie off-shore.

Shumë diplomatë që vazhdojnë të besojnë se këtu do të ketë një ditë shtet ligjor, flasin për pamundësinë që Basha t’i shpëtojë ligjit pasi të vijnë përgjigjet e letër-porosisë shqiptare nga SHBA.

Kundërshtarët e Lulzim Bashës nuk ranë në grackën e tij në debatin për ndryshimet në statut, pasi ata u përjashtuan nga politika duke u shkelur statuti që ishte. Pra statuti nuk ishte pjesë e problemit të tyre, por Lulzim Basha. Kështu që ata, as që u angazhuan në këtë betejë.

Beteja e tyre e vetme që ata vlen të fokusohen në këtë kohë është mënyra se si Basha administron financat e Partisë Demokratike dhe se si e ka futur PD në një telash ndërkombëtar me financimet ruse.

Ky është realisht problem i brendshëm i PD, i mënyrës si funksionon ajo dhe një tregues i qartë i shkeljes së çdo neni të statutit brenda PD.

Përveç Arben Imamit që e ka ngritur shkarazi këtë problem, kundërshtarët e Bashës ja kanë lënë shtypit këtë betejë, të cilën Basha e ka shumë herë më tepër frikë se sa betejat fallco për statutin.

Biles Basha dhe këtë betejën për statutin e bën nga frika e kësaj beteje.

Të mos i kërkosh llogari Bashës se si financohet PD dhe si harxhohen paratë e saj, do të thotë t’i lejosh atij të shkelë statutin e PD për financimin e PD dhe të inkriminojë PD në një aferë ndërkombëtare të financimeve ruse.

Edhe nga pikëpamja politike, keqpërdorimi i financave të PD dhe futja e PD në spiralen e pastrimit të parave ose financime me para të zeza, janë probleme realisht të rënda, që duhet të kryqëzonin Bashën, para kësaj manovre që ai po bën, për të mbrojtur veten me statut.

Për më tepër që vetë Basha, është më i frikësuar se mund të ikë nga kryetar partie nga financimet ruse, se sa nga kundërshtarët e tij. Dhe po merr masa pikërisht për këtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.