MILOSAO

Për të kapërcyer vështirësitë në shqiptimin e emrave dhe mbiemrave polakë…

14:00 - 22.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga ARQILE TETA – Çështja e shqiptimit drejtë i emrave dhe sidomos i mbiemrave të polakëve (veçanërisht të personaliteteve të shkencës, letërsisë, politikës, artit, muzikës, sportit etj.) i vë në vështirësi e sëkëlldi shqiptarët që nuk e njohin polonishten. Kjo ndodh shpesh me emrat e mbiemrat e autorëve të librave që përkthehen, të sportistëve, sidomos të futbollistëve, që luajnë në skuadra të ndryshme kur komentohen nga folësit tanë në televizion, të politikanëve nga spikerat televiziv e radiofonik etj. Dikur, disa nga diplomatët tanë nuk dinin si shqiptohej mbiemri i politologut të mirënjohur në Botë me origjinë polake Zbignjev Bzhezhiñski (Zbigniew Brzeziñski), këshilltar i afërt për sigurinë kombëtare i presidentit Xh. Karter dhe më vonë i presidentit Xh. Bush të SHBA-s, i cili ishte një nga të parët që formuloi tezën mbi shpërbërjen e sistemit komunist. Shumë prej tyre ia shqiptonin mbiemrin “Bër-ze-zinski” disa të tjerë “Bze-zinski” dhe deformime të tjera fare të largëta me origjinalin. Një lexues e ka të vështirë t’i thotë një shoku apo kolegu se “kam lexuar me ëndje librin për Frederik Shopen-in të autorit Anton Grudzhinjskit, në qoftë se nuk do të ishte shkruar shqip nga përkthyesi mbiemri origjinal i autorit Anton Grudziñski.
Pse paraqitet kjo vështirësi? Mendoj nga që polonishtja është e largët dhe aspak e ngjashme në shkrim, në shqiptim por dhe në pjesën më të madhe të leksikut me gjuhët e tjera sllave të Lindjes, të Jugut (Ballkanit) dhe të Perëndimit (çekisht, sllovakisht). Alfabeti i polonishtes është ai latin por i zgjeruar me shkronja njëshe dhe dyshe deri në 39 me tingujt përkatës. Ajo është si të thuash një gjuhë fëshfëritëse- fërshëllyese (shçipjajonce – i thonë vetë polakët), sepse në strukturën e fjalëve të saj hasen shpesh shkronjat s, sh, c, ç, shç, z, zh dhe æ (si q jonë në dialektin gegërisht), apo œ (si sh te fjala shije), etj.
Norma e gjuhës sonë letrare (standarti) kërkon që emrat e mbiemrat e huaj të shkruhen e të shqiptohen në bazë të parimit fonetik. Kështu p. sh. ne e shkruajmë dhe e lexojmë Shekspir (dhe nuk e shkruajmë si në origjinal Shakespeare), ose e shkruajmë dhe e lexojmë Njuton (dhe jo Newton), ose emrin e artistit të madh të muzikës Frederik Shopen nuk e shkruajmë dhe nuk e lexojmë si në origjinal Fryderyk Chopin. Mund të renditim dhe shumë shembuj të tjerë.
Ish ambasadori i Republikës së Polonisë në vendin tonë Zoti Marek Jezhiorski (M. Jeziorski), njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, e zbatonte me rigorozitet këtë rregull. Në vitin 2013, në hyrjen e botimit “Almanaku i letërsisë polake në shqip” ai shkruante emrat e mbiemrat e shkrimtarëve polakë (disa prej tyre nobelistë) sipas shqiptimit shqip. Aty ai ka shkruar p.sh. Visllava Shimborska (dhe jo Wis³awa Szymborska), Çesllav Millosh (dhe jo Czes³aw Mi³osz), Andzhej Stashjuk (dhe jo Andrzej Stasiuk), Rishard Kapushçinjski (dhe jo Ryszard Kapuœciñski), etj.
Mendoj se më e drejtë dhe lehtësuese për lexuesit e dëgjuesit tanë, më praktike dhe shkencore, që nuk sjell asnjë ngatërresë e pështjellim është që përkthyesit shqiptarë të letërsisë polake si dhe në përgjithësi përkthyesit e polonishtes të botimeve të ndryshme ku spikatin emra e mbiemra shkencëtarësh, artistësh, politikanësh, gazetarësh, sportistësh polakë, që kanë shkronja që nuk i ka gjuha jonë si: ¹, ê, æ, ó, y, ³, œ, Ÿ, ¿, dz, dŸ, d¿, cz, sz, rz e të tjera bashkëtingëllore që i ndjek zanorja i, të shkruhen së pari të shqiptuara shqip me alfabetin tonë, i cili fatmirësisht i mbulon të gjithë këta tinguj të shkronjave polonisht (kështu lexuesi do t’i lexojë e shqiptojë drejtë) dhe në kllapa me domosdo të shkruhen në gjuhën polonisht (si në origjinal). Në gjuhën tonë mbiemri duhet të pajiset dhe me mbaresën e rasave të lakimit pas një vize të vogël, p. sh. “Mbrëmë lexova Henrik Shjenkjeviç-in (Henryk Sienkiewicz)”. Shkrimi origjinal shërben dhe për kërkimin në Gugëll (Google).
Gazetarët, folësit televiziv, komentatorët sportivë dhe të tjerë që puna u nxjerr mbi tryezë, emra e mbiemra polakë, për t’i shqiptuar drejtë e pa gabim, për të mos shkaktuar ilaritet me leximet e ligjëratat e tyre, mirë është paraprakisht t’i drejtohen përkthyesve të polonishtes ose fjalorit polonisht shqip, që përmban dhe shqiptimin e çdo shkronje të alfabetit të polonishtes, të shkruar me shkronjat tona, që prodhojnë tingullin origjinal.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.