MILOSAO

Poezi nga Karol Wojtyla

14:00 - 22.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Tiranë, Ambasada e Polonisë në Shqipëri ndërhyri dhe arriti të marrë nga autoriteti klerikal në Vatikan një tufë poezish të Karol Vojtillës, të krijuara nga vitet ’60 deri në ’80. Titujt në origjinal të poezive janë “Rysopis czlowieka”, “Czlowiek emocji”, “Czlowiek intelektu”, “Ojczyzna- kiedy myslê Mysl¹c Ojczyzna”, “Do sosny polskiej”…




 

Nga Karol Wojtyla*

PORTRET NJERIU

Ka linja të mpleksura thellë. Teksa provon t’i zgjidhësh,
ndjen se bashkë me to të duhet të shkulësh dhe veten.
Ndaj vetëm shih, kupto- shumë ngulshëm mos vështro,
që humnera të mos të të përthithë.
(nuk është hon i qenies, është veç hon mendimi).

Qenia nuk përthith, ajo veç rritet, shndërrohet ngadalë në pëshpërimë;
është mendimi që ka mbush qenien- je ti, është gjithësia, Zoti.
Në drejtimin e kundërt- ndjen sesi gjithçka çapëlehet
dhe qenia reduktohet në një pikë, mendimi thahet si stepa.

Ndaj thjesht puno dhe beso. Tek vetja hyr veç
për të njohur fodullëkun (dhe kjo është përkora).
Më tepër kontrollo vullnetin. Derdhja e ndjenjave të vrullshme
veç ndonjëherë ndodh dhe Zotin nuk e përfshin.

 

NJERI EMOCIONESH

Ti nuk merresh me dashurinë që vazhdimisht të përmbyt.
E konsideron njollë entuziazmi, njollë ndjellëse dhe të cekët.
Kur ajo thahet- a ndjen boshësi?

Midis një zemre dhe një tjetre ka një ndarje,
ku hyhet tepër ngadalë
-dhe kur kjo ndodh shikimi ambientohet me ngjyrën, veshi me ritmin.

Duaj, pra, dhe shko thellë tek vullneti
për të mos ndjerë arratinë e zemrës dhe mendimit kontrolluar mundimshëm!

 

NJERIU I INTELEKTIT

Ajo që jetës i merr laryshmërinë, ngasjen,
dhe shijen e aventurës së madhe, dhe spontanitetin dhe frymëmarrjen.

Sa ngushtë është në formulat e tua, konceptet dhe gjykimet,
kondensim përmbajtjesh dhe për përmbajtje njëherësh të uritura.

Mos e kapërce këtë barierë tek unë, sepse u duhet të gjithëve.
Çdo udhë njerëzore të çon veç drejt mendimit.

 

ATDHEU- TEKSA MENDOJ ATDHENË

Atdheu-kur mendoj-shpreh veten dhe lëshoj rrënjë,
Ma thotë shpirti, si të ishte një kufi i fshehtë,
që nga unë kalon tek të tjerët,
Që të gjithë t’i ngërthejë në të shkuarën e largët sesa secili prej nesh:
Unë dal prej saj…
Kur mendoj Atdhenë-
Që ta mbaj brenda vetes si thesar,
Pyes ngaherë si ta shumoj,
Si ta zgjeroj këtë hapësirë
Që Atdheu mbush.

 

PISHËS POLAKE

Atje ku vreshtat, portokallat erëmira hedhin shtat,
Ti e thjeshta ime shtëpiake, o pishë e Zakopanes
Shkëputur nga i nënës dhe motrave dhé
Qëndron mes kopshtit të huaj jetime.

Ah sa mik i dashur je bërë për syrin tim,
Ngase të dy vuajmë të njëjtin dënim,
Pelegrinazhi edhe mua larg më çon,
Jeta edhe mua në dhé të huaj po m’kalon.

Megjithë mundin e të tjerëve përrreth,
Fuqi përse humbet, shtat përse nuk hedh?
Këtu diellin dhe vesën pranverore më herët i ke,
Ndërsa degët të lëshohen zbehtë përdhé.

Vyshkesh.
Thahesh trishtshëm në horizontin lulëzues
Nuk ke jetë, sepse Atdhe nuk ke.
O dru besnik!

Dëbimin, përmallimin dot s’e përballon
Në vjeshtë dhe dimër moti i keq po afron
Dhe do të biesh e vdekur!
Toka e huaj do të përthithë.
Më thuaj, O e imja pemë,
Më i lumtur se ty vallë do të jem ?

*Përktheu nga origjinali Astrit Beqiri
© Libreria Editrice Vaticana


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.