SPORT

Krenoi gjithë shqiptarët, Briken Calja flet i zhgënjyer: Analizat më nxorën të pastër, por…

19:55 - 23.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Peshëngritësi Briken Calja, fituesi i 3 medaljeve të arta në Europianin e shtangës, përmes një statusi në rrjetet sociale, tregon se tashmë nuk ka asnjë dyshim mbi përdorimin e ndonjë substance të ndaluar, por ai është zhgënjyer nga shoqëria, media dhe përfaqësuesit qeveritarë.




Calja shkruan në rrjetet sociale se priste se media harron të flasë për njerëzit që nderojnë vendin, ndërsa shteti nuk i ofroi një pritje të denjë.

“Përmes vuajtjeve, stërmundimeve, djersës së derdhur dhe ëndrrave të një jete realizova triumfin historik për vendin tim, Kampion i trefishtë në ar i Evropës. Midis emrash dhe legjendash të peshëngritjes shqiptare, arrita të gdhend emrin tim krah tyre dhe historisë e këtij sporti.

I kam dhënë shumë këtij sporti dhe këtij vendi pa marrë të njëjtën përgjigje nga ata që jetojnë e përfaqësojnë këtë vend, shoqëri, media apo përfaqësues qeveritarë.

Prapë vazhdova i vetëm, me ëndrrat nën vete, i fortë dhe i palëkundur. Edhe sot, kur çdo afat i përgjigjeve antidoping ka mbaruar dhe vërtetohet që asnjë gram i çfarëdo substance të ndaluar nuk ka prekur në trupin tim, prapë indiferenca ndaj meje dhe suksesit historik të Bukureshtit qëndron stoike.

Media vazhdon të flasë për sukseset yjeve të huaj, duke harruar ata që i dhanë krenari këtij vendi që rrallë herë është dalluar për dominime absolute në çfarëdo lloj fushe qoftë.

Prapë do të vazhdoj i vetëm, me ëndrrat nën vete, i fortë dhe i palëkundur. Në momentin që preka tokën shqiptare, edhe pas zhgënjimeve të panumërta nga instancat qeveritare, prapë besoja se e meritoja të paktën një pritje të denjë nga ata që e përfaqësojnë këtë vend, por më kot.

Gjithsesi, unë e mora pritjen që doja nga njerëz që më vlerësojnë. Doja të falenderoja të vetmit që më kanë mbështetur, pritur dhe përgëzuar duke filluar nga familja ime, Cufo Fitness, Mojo Production, Kreshniku, Dashamir Xhika, pa harruar dhe Bashkinë e Cërrikut dhe Bashkinë e Tiranës.

Besoj se heronjtë e vërtetë të këtij vendi nuk janë ato që dalin përditë dhe propagandojnë qëllimet e tyre, po jemi ne, që me përpjekjet dhe arritjet tona, ngremë lart flamurin kombëtar, flamurin e këtij vendi me 1001 probleme, por krenar në zemër.

I trefishtë në ar dhe i zhgënjyer.

Ja çdo të thotë të jesh kampion absolut i Evropës”, shkruan peshëngritësi Calja në rrjetet sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.