OPINION

Ku gabon David McAllister?

07:25 - 23.04.18 Shaban Murati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i Komitetit të Parlamentit Europian për çështjet e Jashtme, David McAllister, i cili është, gjithashtu, edhe raportues i Parlamentit Europian për Serbinë, në datën 19 prill në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve ‘Tanjug’ foli për rolin kyç të Serbisë në rajon. Deklarata pat jehonë në qarqet diplomatike dhe politike serbe. Funksioni i tij i lartë parlamentar dhe fakti që ai është në një farë mënyre formuluesi i konkluzioneve të mundshme të parlamentit europian për Serbinë, bën më interesante deklaratën e tij. E bën më interesante, se kemi rishpërndarjen e një teze diplomatike, e cila po fiton një intensitet të madh muajt e fundit, kur Serbia po i afrohet finishit të detyruar për të zgjedhur midis anëtarësimit në BE duke njohur Kosovën ose vazhdimit të integrimit me Rusinë duke mos njohur Kosovën.




David McAllister i referohet takimit, që Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi në Berlin në 13 prill me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjë që sugjeron të shihet deklarata përkatëse e Kancelares gjermane. Para takimit me presidentin serb Kancelarja deklaroi: “Serbia është një vend kyç ballkanik, me të cilin Gjermania po bashkëpunon nga afër”. Në një lexim të saktë diplomatik Kancelarja ka shprehur mendimin se Serbia është një nga vendet kyçe të Ballkanit, ku kuptohet qartë se për kancelaren ka edhe shtete të tjera kyçe në rajon. Kryetari i Komitetit të Parlamentit Europian për çështjet e Jashtme flet “për rolin kyç të Serbisë në rajon”, gjë që në leximin diplomatik është një gjë tjetër.

Pikërisht kjo gjëja tjetër, pra teza diplomatike e “rolit kyç të Serbisë në rajon”, paraqet një pikëndalje të nevojshme analize për diplomacinë dhe strategjinë e shteteve të tjera të rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Çështja e parë, në të cilën mendoj se shprehet gabim David McAllister, është se ai flet për “rol kyç të Serbisë në rajon” pa përcaktuar gjeografikisht dhe politikisht se çfarë kupton me “rajon” në këtë rast. Nuk mendoj se kryetari i Komitetit të Parlamentit Europian për çështjet e Jashtme apo politikanë të tjerë të lartë europiane kur flasin për rol kyç të Serbisë kanë parasysh gjithë Ballkanin. Sepse të përfshish në rolin kyç të Serbisë gjithë Ballkanin, do të thotë t’ia japësh asaj këtë kyç edhe për Greqinë, edhe për Turqinë, edhe për Rumaninë, edhe për Bullgarinë, etj., gjë që natyrisht njësohet me të pamundurën. Realisht, për rol kyç të Serbisë nuk mund të flasësh as në shtetet, që dolën nga ish Jugosllavia, sepse është e qartë se sa do ta pranonte Kroacia apo Sllovenia një rol kyç të Serbisë mbi ta.

Duke ngushtuar rrethin, dalim në përfundimin se në rastin e rolit kyç të Serbisë në rajon, nga disa politikanë të lartë europianë kihet parasysh Ballkani Perëndimor, ku kanë përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë. Duhet theksuar menjëherë se këtu lind nevoja që politikanët dhe diplomatët e lartë europiane duhet të jenë të qartë dhe specifikë në përkufizimin gjeografik dhe të mos përdorin termat “Ballkan apo rajon” për togfjalëshin “Ballkan Perëndimor”.

Duke u ndalur te raporti i Serbisë me Ballkanin Perëndimor, konstatohet në diplomacinë europiane një intensifikim i përdorimit të tezës së rolit kyç të Serbisë në këtë përcaktim gjeografik. Ky përdorim i shtuar muajt e fundit, duket se ka disa arsye politike.

Së pari, lidhet me Kosovën. Duke qenë se po afrohet momenti kur presidenti i Serbisë duhet të vendosë nëse do ta pranojë kushtin e deritanishëm të njohjes Kosovës që Serbia të anëtarësohet ne BE, disa qarqe të diplomacisë europiane duket mendojnë që mund ta joshin Beogradin më shumë, duke i ofruar një rol lideri apo të shtetit kyç të asaj pjese të rajonit, që e kanë quajtur “Ballkan Perëndimor”. Duke i dekretuar Serbisë rolin e liderit të Ballkanit Perëndimor, siç bëri ministri i Jashtëm francez në datën 12 prill në Beograd, asaj automatikisht i dekretohet roli lider edhe mbi Kosovën. Në BE shpresojnë se me këtë ofertë do ta bëjnë më fleksibël Beogradin për Kosovën.

Së dyti, lidhet me Rusinë, e cila po bëhet gjithnjë e më agresive në drejtim të penetrimit dhe influencës së saj në Ballkan. Në disa qarqe të diplomacisë europiane shpresohet që duke i ofruar Serbisë kurorën e liderit të Ballkanit Perëndimor do të kundërbalancojnë kontrollin rus mbi Serbinë dhe do të frenojnë instrumentalizimin e Serbisë nga Rusia në rajon.

Së treti, teza e rolit kyç apo lider të Serbisë në Ballkanin Perëndimor të çon tek projekti i vjetër dhe i ri i rikrijimit të Jugosllavisë nën egidën serbe. Ky është një projekt i gjitha qeverive serbe, që nga prishja e Jugosllavisë e deri tek presidenti Vuçiç. Dihet se disa qarqe të BE po flirtojnë me këtë projekt dhe në këtë rast teza tingëllon si një joshje për ambiciet nacionaliste dhe hegjemoniste të Serbisë. Nëse projekti jugosllav, i iniciuar tani nga presidenti Vuçiç, quhet “zonë e përbashkët ekonomike apo integrim ekonomik ballkaniko-perëndimor” kjo ka pak rëndësi. Presidenti serb Vuçiç, të cilin e përditshmja britanike “The Guardian” në 13 prill e quante “kameleon perfekt”, ka arsye të jetë i kënaqur.

Në një bisedë me një diplomat europian për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor shprehu pikëpamjen se Serbia ka rol sidomos për suksesin e projektit të “Procesit të Berlinit” dhe në këtë kuadër asaj po i jepet një rëndësi e veçantë dhe pikërisht për këtë presidenti serb është pritur dy herë brenda dy muajve të fundit në Berlin. Në fakt, “Procesi i Berlinit” varet nga shtetet e BE dhe në radhë të parë nga Gjermania si nismëtare e këtij projekti pozitiv. Varet edhe nga shtetet e tjera të rëndësishme të BE për t’iu bashkuar me angazhim serioz këtij projekti gjerman. Sepse mund të ndodhë që ta sabotojë Spanja, siç po bën tani kur po përpiqet ta dështojë akoma pa u mbledhur samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Sofje në 17 maj dhe ku Madridi po prish përpjekjet integruese, duke bërë që të mos ketë deklaratë të samitit, të mos përmenden me emra shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ata të mos quhen as shtete e as vende, por vetëm “partnerë”.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë, në fakt, lojtarët e fushës me porta të vogla, që nuk kanë nga të luajnë, dhe kanë pranuar me vullnet të lirë të rregullat e lojës të vendosura nga BE për integrimin e tyre. Bën përjashtim vetëm Serbia, e cila pati rolin qendror në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe tani çuditërisht i ofrohet prapë roli i liderit në grupimin e ri të ish- republikave jugosllave. Serbia vazhdon politikën e saj të njohur të lojës në dy karrige, edhe në atë të BE, edhe në atë të Rusisë. Unë i mbahem pikëpamjes, që kam shprehur prej shumë vitesh në artikujt dhe në librat e mi se Serbia nuk mund të ketë rol lideri dhe asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk është i gatshëm ta pranojë rolin hegjemon të Serbisë.

BE mund ta veçojë Serbinë duke i dhënë më shumë investime dhe ndihma, në drejtim të zbatimit të reformave që nga ekonomia e deri në drejtësi. Serbia kërkon vëmendje specifike nga BE për ta ndihmuar të shkëputet nga e kaluara nacionaliste dhe kriminale, që e ka mbërthyer keq. Por në planin politik dhe diplomatik Serbia duhet të ketë të njëjtën masë matjeje dhe trajtimi si dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët kërkojnë të gjithë të bëhen anëtarë të BE dhe jo anëtarë të ndonjë fantazme jugosllave. Historia ka provuar se të gjitha të ashtuquajturat familje ballkanike kanë prodhuar luftëra dhe kanë dështuar.

Serbia po punon fort që të bindë diplomacinë europiane t’i japë asaj rol udhëheqësi në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur kartën e destruktivitetit dhe duke kërcënuar me destabilitet në rajon. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ajo mban në dorë dhe i tund kërcënueshëm detonatorët e dy konflikteve të ngrira të rrezikshme: atij në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovën e Veriut. Kancelarja gjermane ishte shumë e saktë lidhur me rolin e Serbisë në deklaratën e saj të 13 prillit. Ajo deklaroi se “Serbia ka një rol kyç në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe prandaj është me rëndësi të shkëmbejmë pikëpamjet nga afër dhe intensivisht”. Kjo do të thotë që Serbisë i duhet kushtuar vëmendje se ajo është regjisorja që mund të inskenojë dy vatra zjarri dhe destabilizimi. Pra, jo që ajo të udhëheqë të tjerët. Në këtë drejtim Kancelarja gjermane ka shumë të drejtë dhe kryetari i komitetit të parlamentit europian për çështjet e jashtme gabon kur nuk saktëson tezën e shprehur nga Kancelarja e shtetit të tij.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …Në planin politik dhe diplomatik Serbia duhet të ketë të njëjtën masë matjeje dhe trajtimi si dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilët kërkojnë të gjithë të bëhen anëtarë të BE dhe jo anëtarë të ndonjë fantazme jugosllave. Historia ka provuar se të gjitha të ashtuquajturat familje ballkanike kanë prodhuar luftëra dhe kanë dështuar”.DEDUKSIONI I NJË DIPLOMATI ME PËRVOJË.

    Përgjigju ↓