Kryesore

Ndryshimet në statut/ 25 anëtarë largohen nga kryesia e PD, votimi unanim

10:22 - 23.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Jozefina Topallit iu dha mundësia të rikthehet në Këshillin Kombëtar, por figura të tjera qendrore largohen prej kupolës drejtuese të Partisë Demokratike. Ndryshimet e reja statutore të miratuara nga Këshilli Kombëtar i PD-së pritet të çojnë në një ulje të ndjeshme të numrit të anëtarëve të kryesisë nga 57 që ka aktualisht. Paketa që kaloi në unanimitet i heq të drejtën 25 krerëve të departamenteve drejtuese të PD-së të jenë pjesë e këtij forumi. Gjithsej nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie.




Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve. Me miratimin në Kuvendin Kombëtar, kryesia e re nuk do këtë më disa prej figurave aktuale si; Jamarbër Malltezi , i cili aktualisht mban postin e Kreut të Departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit. Pjesë e saj nuk do të jenë më as Florion Mima që kryeson departamentin e ekonomisë dhe tregut, Sherefedin Shehu i Financave publike apo dhe Suzana Guxholli që drejton departamentin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore.

Automatikisht ndryshimet e reja prekin edhe 8 prej deputetëve që aktualisht janë kryetarë apo nën/kryetarë në komisionet parlamentare. Listës së gjatë të atyre që nuk do jenë më pjesë e këtij forumi i shtohen edhe Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Genc Pollo, Bardh Spahia, Florion Mima dhe Tritan Shehu. Në statutin e ri përcaktohet që kryesia e Partisë Demokratike përbehet nga kryetari, dy nën/kryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe ata funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtarë, krerët e organizatave partnere, zëdhënësi, sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe 15 anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. PD-ja ndryshoi rregullat për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie. Nëse sipas statutit aktual, kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie i zgjidhte kryetari në limitet e fundit kohor, duke anashkaluar strukturat e partisë, statuti i ri Partisë Demokratike parashikon një mekanizëm të ri për përzgjedhjen dhe miratimin e kandidaturave.

Vlerësimi i kandidaturave do të bëhet nga një komision i posaçëm. Komisioni i dërgon Kryesisë së PD raportet vlerësuese për secilin kandidat. Më pas, në bazë të nenit 53, pika 5, shkronja ‘c’, Kryesia e PD vendos për kandidatët pas konsultimit me anëtarësinë e partisë. Kryesia ia kalon listën Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD, në bazë të nenit 50, pika 4, shkronja ‘b’, miraton listën e kandidaturave elektorale për kryetar bashkie apo për deputet. Sipas statutit të ri, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është strukturë ndihmëse e Kryesisë së PDSH dhe ka në përbërje 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve zgjidhen nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së PDSH. Sipas statutit të ri, komisioni i raporton Kryesisë së PD mbi përmbushjen nga kandidatët të kritereve të parashikuara, të pastërtisë së figurës, si dhe të elementëve të tjerë të nevojshëm për ecurinë në karrierë sipas këtij Statuti.

Krerët e departamenteve që largohen nga Kryesia e PD

1. Jamarbër Malltezi, ambienti, pyjet dhe turizmi
2. Florion Mima, ekonomia dhe tregu
3. Sherefedin Shehu, financat publike, tregu bankar financiar dhe jo bankar
4. Jemin Gjana, kontributet historike
5. Tritan Shehu, shëndetësia
6. Enkelejd Alibeaj, siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
7. Suzana Guxholli, energjia dhe burimet natyrore
8. Ervin Minarolli, infrastruktura dhe transporti
9. Enkelejda Sallaku, bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria
10. Endri Hasa, shoqëria e informacionit
11. Avenir Peka, siguria kombëtare
12. Kastriot Sulka, punësimi dhe çështjet sociale
13. Bardh Spahia, emigracioni dhe diaspora
14. Lealba Pelinku, antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje
15. Enri Çeno, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
16. Ardian Turku, pushteti vendor dhe administrimi i territorit
17. Luciano Boçi, arsimi, shkenca dhe inovacioni
18. Arben Skenderi, kultura, rinia dhe sporti
19. Laura Vorpsi, integrimi europian
20. Kreshnik Çollaku, politika e jashtme
21. Gent Malko, pronat
Krerët dhe nënkryetarët e komisioneve që largohen nga Kryesia
1. Flamur Noka, zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
2. Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian.
3. Jorida Tabaku, zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë
4. Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.