Homo Albanicus

Sikur paratë e lobimeve të shkonin për hapjen e negociatave!

21:38 - 23.04.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse shpesh i përflasim apo i paragjykojmë, çdo gjë e cila lidhet me integrimin e Shqipërisë e ka burimin tek kancelaritë e huaja. Këto të fundit, me zyrat e tyre në vendin tonë, përcjellin ecurinë, sjellin parametrat evropianë dhe kërkojnë që Shqipëria të përgjigjet në të gjitha segmentet e veta për përshtatshmërinë. Sa i përket integrimit, kryefjala e kohëve të fundit, duket një proces i gjatë dhe këtë javë zyrtarët e shtetit shqiptar presin në Tiranë që nga Presidenti i Këshillit Evropian Tusk, kryeministri belg dhe me radhë. Shpresohet të intensifikohet lobimi në Gjermani, me takimin e kryeministrit Rama me kancelaren Merkel dhe procesi do të vazhdojë me temp deri në Qershor, për të pritur një dritë jeshile. Zotit Rama nuk i mbetet të mbushë vetëm mendjen e znj. Merkel por edhe të shumicës së anëtarëve të Bundestagut se Shqipëria realisht ka ndryshuar. Një gjë të tillë do e vijojë më pas në Francë, Austri, Holandë dhe në vende të tjera skeptike, por duke punuar dyfish më shumë.




Çfarëdo që na pëlqen dhe ato që thuhen se gjasat janë më të mëdha këtë vit për hapjen e negociatave, duhet thënë se Shqipëria është ende larg. Mu në prag të shpalljes së rekomandimit, Presidenti francez Macron bëri një deklaratë të ashpër dhe tejet cinike, duke thënë se familjes evropiane i duhet fillimisht të merret me veten dhe pastaj me pjesën tjetër të zgjerimit, kurse zyrtarët e Brukselit janë treguar më të matur, por gjithsesi duke e ngritur stekën dhe duke kujtuar stade, që janë pothuaj të parrokshëm për Ballkanin. Krimi i organizuar dhe korrupsioni tashmë nuk luftohen më me fushata, por me besim dhe një angazhim tejet normave. Dhe, ajo frymë që beson te politikani shqiptar se mund t’i realizojë këto, është gjithnjë e më e zbehtë. Duket se zgjerimi është më shumë gjeostrategjik. Dhe, Shqipëria po përfiton paq prej fatit, që i ka ndritur në 28 vitet e fundit.

Në Evropë, në Shqipëri, e kudo ka tashmë një identikit të qartë të politikanit shqiptar. Ai në shumicën e rasteve është demagog i mirë, është i lustruar dhe plot maniera, premton, por kur është puna për të zbatuar ato që thotë nuk bën asgjë dhe normalisht nuk e mban fjalën. Nëse ky mesazh ka ardhur tashmë hapur, kësaj në kohët e fundit duhet t’i dedikohet atyre që kanë pasur të bëjnë me politikanët shqiptarë dhe kosovarë dhe që mund të shprehen pa doreza.

Për ironi të fatit edhe vetë faktori i huaj ka qenë realisht i përçarë sa i përket shqiptarëve. Kohët dhe ato që thuhen nga politikanët tanë kanë treguar se referencat me lule që kanë dhënë për vendin tonë shumë personazhe të huaj, kanë qenë të diktuara prej konjukturave dhe përfitimeve, sepse realisht Shqipëria është bërë sot një vend aspak më i mirë për të jetuar, një hambar kontinental droge dhe një vend ku krimi i organizuar e ka rritur organizimin në qasje të tilla, që është bërë tmerr i vërtetë për Evropën dhe më gjerë.

Referimet për Ramën janë gjithnjë e më shumë të hidhura, ashtu si ishin të tharta për paraardhësin e tij Berisha, kur lëshonin deklaratat. Por paradoksalisht, segmentet e Majta të huaja atakojnë të Djathtët dhe segmentet e Djathta ato të Majta. Kurse, me kohë, Shqipëria shihet si një hambar i mirë, ashtu si gjithë vendet e varfëra, ku mund ta vjelësh nga gjithë anët. E kanë kuptuar mekanizmat amerikanë të lobimit. Sa më pak funksional është KQZ për të matur llogaritë e partive, aq më lehtë këto mund të shpërndajnë para. Dhe, paratë që shkojnë në Amerikë për të lobuar të trembin, për këto parti që qajnë për varfërinë e shqiptarëve.

Në Kosovë është gati njësoj. “Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj janë mafiozë. Atyre nuk u intereson për popullin, por vetëm paratë, pushteti dhe fuqia”, ka thënë për Insajderin veterani Dioguardi, ish-kongresisti amerikan, i cili referoi për herë të parë në kongres çështjen e Kosovës së bashku me kongresistin Tom Lantos.

Njësoj në Shqipëri, Fatos Nano, Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, Lulëzim Basha nuk bien aspak në ato që kanë bërë por edhe që akuzohen nga njëri-tjetri, anipse kurrë nuk provohen ose verifikohen në atë masë sa t’i shikosh pas hekurave. Pasi të gjithë janë të interesuar që ta mbajnë veten e tyre.

Po pse vallë duhet Amerika, kur pjesëmarrja në vend në zgjedhje është më pak se 50%? Për një gjë të thjeshtë: qarqet lobuese amerikane kanë shumë akses në botë dhe kjo i shitet shqiptarit të thjeshtë në formën e të ardhmes së bukur (lexo: të pamundur). Për fatin e keq, masa e gjerë e njerëzve të thjeshtë shqiptar e shohin ambasadorin amerikan si guvernatorin e vendit dhe njeriu që ndan të vërtetën me të gabuarën! Harrohet se paraardhësit e tij kanë bërë gabime të mëdha, që në asnjë moment nuk mund t’ia varësh në qafë Departamentit të Shtetit, që njëherë në vit e trand Shqipërinë me raportet e tij dërmuese për Krimin dhe Demokracinë. Por kush do t’ia dijë vallë! Një foto me Obamën, një tjetër me Trampin, mjafton, ato janë shumë më tepër sesa e gjithë platforma ideologjike e partive tona.

E ndodh që skandalet e lobimeve harrohen dhe vazhdohet për të ardhur me skandalet e tjera sepse Shqipëria nuk mund të jetojë dot pa skandale. Dhe, ndodh si në rastin e fundit me

lobimet e pretenduara të financuara nga rusët për Partinë Demokratike, akuza të cilat tashmë janë harruar dhe që u përfolën se ishin në masë prej më shumë 600 milionë USD. Njerëzit sa nuk po besonin se këtë herë do të shikonin politikanë pas hekurave, vetëm se jo thjesht asgjë nuk ndodhi, por më shumë se kaq tashmë u transformua në aset për PD-në që mund të bëjë dhe gjëra të tilla!  Rama, autori i një tjetër lobimi të përfolur gjeti mundësinë që ta varrosë skandalin e vet, kur ai u akuzua se kishte dhënë 80 mijë dollarë për një foto me presidentin e SHBA-ve Barack Obama. Gjithçka iu vu në kurriz një qytetari të thjeshtë, ndërsa kryeministri e shfrytëzoi edhe për të bërë etimologjinë e fjalës lobim, duke thënë se ai ka pranuar fajësinë pasi në mosnjohje të ligjit amerikan ka shkelur ligjin. Aman, nuk thuhet se shkelja ishte bërë për të dhe pse e gjitha lidhej me emrin e tij.

DioGuardi e akuzon presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi se e ka paguar 2 milionë e 300 mijë euro nga taksapaguesit ksoovarë në burimet e ish-senatorit Robert Dole vetëm që t’i shkruante parathënien e librit të tij, “Neë State, Modern Stateman”, shkrim i cili është kryer nga gazetarët britanikë Suzy Jagger dhe Roger Boys. E nuk është rastësi, kur kompanitë që kanë njerëz që njihen si “miq të shqiptarëve” marrin tendera nga qeveritë shqiptare, si ajo që mori kompania e Dole në Kosovë me 2 milionë e 300 mijë eurosh.

A s’do të ishin vallë të mjaftueshme këto para që të shërbenin për lobime në Evropë, që Kosova të lëvizë pa viza, ashtu si Shqipëria të hapte negociata? Për këtë ka kinse kërkesë të ashpër llogarie dhe partitë mundohen sesi të pengojnë njëra-tjetrën, që suksesin ta marrë vetëm njëra ose tjera parti, por kurrsesi vendi. Ndaj lobimet bëhen thjesht në emër të partive për të treguar se liderat e tyre, janë njerëzit e duhur dhe ata që mund të bëjnë Shqipërinë ndryshe.

E, në këtë karusel, ndërrohen vetëm vendet, por personazhet mbeten njësoj ata, politikanët shqiptarë, mu ata që po e gërryejnë vendin nga ditë në ditë me meskinitetin e tyre dhe mania për të fituar me çdo kush. Dhe, të gjitha bëhen në syrin e kancelarive të huaja, që duam apo nuk duam do të na pagëzojnë rrugën e Evropës, por edhe që shpesh i mbyllin për interesa. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.