Intervista

Vlera Lekaj: Ja pse duhet ta kryeni Check Up-in

14:50 - 23.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mjeku i familjes ka një rol tejet të rëndësishëm në mirëqenien shëndetësore të qytetarëve dhe trajtimin e problemeve të ndryshme që ata mund të shfaqin. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja e familjes, Vlera Lekaj tregon se gjatë vizitës te mjeku i familjes, pacientëve u mundësohen edhe analiza apo ekzaminime të mëtejshme me specialistët si dhe konsulta të shumëllojshme duke nisur nga mënyra e jetesës deri te aktiviteti fizik. Mjekja shton se Check up bazë është një shërbim, i cili ofrohet për grupmoshat nga 35 vjeç e deri ne 70 vjeç, dhe ka të bëjë me realizimin e analizave laboratorike dhe ekzaminimeve bazë për të marrë një informacion të plotë mbi gjendjen shëndetësore. Ndërkohë Lekaj bën me dije se sëmundjet kardiovaskulare si dhe diabeti mbizotërojnë tek pacientët e grupmoshave mbi 40 vjeç.




Çfarë përfaqëson mjeku i familjes?
Mjeku i familjes përfaqëson figurën më të afërt për secilin nga pacientët e tij. Objektivi kryesor në punën e tij humane, është mirëqenia shëndetësore e pacientëve dhe dedikimi ndaj tyre për t’i qëndruar gjithmonë afër në trajtimin e problemeve të tyre shëndetësore. Mjeku i familjes ndjek shëndetin e pacientëve të tij gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor, duke filluar që në lindje, sëmundje akute, sëmundje kronike e të tjera.
Çdo mjek, i cili është specializuar si mjek familje dhe punon si i tillë, është i trajnuar që të trajtojë dhe kurojë çdo lloj sëmundje, në çdo fazë qoftë ajo, në të dy sekset dhe në të gjitha moshat.

Cilat janë disa nga ekzaminimet që ky mjek kryen?
Parandalimi dhe kurimi në fazat e para të një sëmundje, përbën dhe kryefjalën në punën e përditshme të mjekut të familjes. Gjatë vizitës mjekësore tek mjeku juaj i familjes, ndër të tjera, pasi ju merren të dhëna të përgjithshme për shëndetin tuaj, ju mundësohen dhe analiza apo ekzaminime të mëtejshme nga specialistë, në rast se ngrihet dyshimi për ndonjë problem shëndetësor. Ky është edhe një nga rolet më kyç të punës së mjekut të familjes, ndërmjetësimi dhe zhvillimi i konsultave me specialist të ndryshëm sipas rastit shëndetësor.


A zhvillohen konsulta me pacientët mbi mënyrën e jetesës?
Konsultat që mund të zhvillohen me mjekun e familjes janë të shumëllojshme. Ju mund të merrni këshillat e duhura për një stil të shëndetshëm jetësor, për mënyrën sesi të ushqeheni në varësi të organizmit tuaj dhe parametrave tuaj fizik. Për llojet e sporteve apo aktiviteteve fizike që mund të ushtroni në përditshmërinë tuaj. Dy nga shërbimet më interesante të ofruara gjatë kohëve të fundit nga mjeku i familjes janë edhe check-up si dhe planifikimi i vizitave me specialistët.

Për cilat grupmosha ofrohet shërbimi i check up-it?
Check up bazë është një shërbim i cili ofrohet për grupmoshat nga 35 vjeç e deri ne 70 vjeç. Dhe ka të bëjë me realizimin e analizave laboratorike dhe ekzaminimeve bazë për të marrë një informacion të plotë mbi gjendjen tuaj shëndetësore. Është një shërbim për të cilin pacientët shfaqin shumë interes, duke qenë se janë të ndërgjegjësuar se më mirë është të parandalosh sesa të kurosh.

Sa pacientë ka në ngarkim një mjek familjeje?
Një mjek familje ka të regjistruar në regjistrin e tij elektronik rreth 3 mijë banorë, prej të cilëve mesatarisht 500 kronikë marrin ilaçe me rimbursim për diagnoza të ndryshme. Ndaj të gjithë pacientëve kryhen vizita të kujdesshme të përgjithshme mjekësore. Shumë nga këto pacientë janë të diagnostikuar për herë të parë, pasi janë ngritur dyshime nga të dhënat e check up.

Cilat janë disa nga sëmundjet mbizotëruese te pacientët që paraqiten pranë qendrave shëndetësore?
Sëmundjet kardiovaskulare si dhe sëmundja e diabetit mbizotërojnë diagnozat tek pacientët e grupmoshave duke filluar që nga 40 vjeç e më tej. Prandaj ju këshillohet që të vizitoheni tek mjeku i familjes për çdo shqetësim shëndetësor që të ndjeni sado i vogël të jetë ai, dhe të realizoni check up që të kontrolloni shëndetin tuaj. Konsultat me specialistët janë një nga kërkesat dhe sugjerimet më të shumta të pacientëve gjatë vizitës tek mjeku i familjes. Sigurisht është një nga shërbimet më të rëndësishme qe iu ofrohet pacientëve. Është një shërbim, i cili ka ardhur duke u perfeksionuar me kalimin e kohës.


Si procedohet për të caktuar më tej një takim me mjekun specialist?
Tashmë vizitat tek specialisti iu ofrohen online të gjithë pacientëve.
Në momentin që paraqitesh tek mjeku i familjes për një vizitë shëndetësore dhe ai e gjykon të arsyeshme që të realizosh një vizitë me specialistin apo qoftë dhe për një kontroll rutinë, atëherë vizita juaj planifikohet në sistemin e referimit që çdo mjek familje e disponon në kompjuterin e tij. Pacientit i planifikohet data dhe ora e vizitës, duke lehtësuar kështu radhën tek specialist, sepse çdo pacient shkon në orarin e tij përkatës. Shërbimi i referimit online bashkërendon një punë të suksesshme ndërmjet mjekut të familjes dhe specialistit, si dhe i ofron pacientit një kujdes shëndetësor sa më të mirëorganizuar.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë qytetarët që hezitojnë paksa për të shkuar te mjeku i familjes?
Roli i mjeku të familjes do të mbetet përherë një nga rolet më të rëndësishme dhe të domosdoshme në një shoqëri të civilizuar.
Atje tek bluza e bardhë, pacienti gjen të gjithë kujdesin shëndetësor për të cilin ka nevojë, por mbi të gjitha komunikimin dhe mbështetjen morale e psikologjike për çdo shqetësim që e mundon. Falë humanizmit dhe punës së palodhur, çdo mjek familje konsiderohet si pjesëtar i familjes për pacientët e tij. Lekaj:


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.