OPINION

Fetishi i disiplinave po shpartallon formimin e studentëve

07:38 - 24.04.18 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për të konkretizuar idenë se çfarë kuptojmë me fetish të disiplinës dhe me parimin e transmetimit të dijeve, po i referohemi rastit të mësueseve të rinj që, në punën me nxënësit, ose improvizojnë ose i referohen më shumë modelit të mësuesit që u ka lënë mbresa kur ishin nxënës, se sa asaj për të cilën janë përgatitur në universitet. Syllabuset e këtyre fakulteteve dhe shtjellimet e pedagogëve në auditorë mbivlerësojnë, sipas fakulteteve, dijet shkencore nga matematika, fizika, gjuhësia, historia etj., në dëm të proceseve, formave dhe teknikave që ndihmojnë formimin profesional. Është ky mbivlerësim, besojmë, që ka zhbërë dallimin ndërmjet formimit të kimistit që kërkon në laborator dhe mësuesit që ndihmon me pasion fëmijët të ndërtojnë njohuri kimike. Formimi i mësuesve të rinj (dhe jo vetëm), le për të dëshiruar, pasi vijojmë ta kërkojë zgjidhjen (në rastin më të mirë) duke kallajisur mendimin pedagogjik të shekullit të shkuar që fetishizoi rolin e disiplinës akademike, në dëm të ndërtimit të kompetencave profesionale. Sigurisht, me këtë nuk mohojmë aspak rëndësinë e dijeve disiplinore, por, nëse duam mësues me kompetenca profesionale dhe kulturë të gjerë, kurrikula gjegjëse duhet rivlerësuar nga pikëpamja e profesionalizimit të mësuesisë. Mësuesi i ardhshëm duhet ndihmuar të ndërtojë sisteme dijesh të sofistikuara dhe të baraspeshuara rreth nxënësit dhe psikologjisë së tij, rreth teorive dhe metodave të nxënies e kështu me radhë. Këtu të sjell analiza e zhvillimeve në fushë, në dekadat e fundit. Ndërkaq, rasti vlen për ilustrim, por edhe fakultetet e tjera e tjera nuk se po arrijnë më shumë.




Kudo në botën e zhvilluar, reformimi i kurrikulës universitare po orientohet nga shndërrimet e shoqërive dhe evolucioni i dijeve shkencore që janë madhështore dhe pështjellojnë vazhdimisht përmbajtjet e nxënies në universitete. Shndërrime të tilla konceptohen si “thyerje të kornizave”, në rrafshet epistemologjik, kurrikular dhe teknik. Zhvendosja nga frymëzimi biheviorist drejt socio-konstruktivizmit dhe kognitivizmi është një prej tyre. Kuptimeve të reja kyçe (p.sh., çfarë e dallon dijen nga njohuria, si zhvillohen, si përdoren, për çfarë shërbejnë etj.?); kalimi nga pedagogjia tradicionale në qasjet që zhvillojnë kompetencat; shndërrimi i mësimdhënies transmetuese në nxënien bashkëpunuese; konkretizimi në universitete i kuptimit të ri për nxënien, e dallueshme nga nxënia e përmbajtjeve disiplinore të teksteve etj., janë shembujt të tjerë “të thyerjes së kornizave”. Reformat që kombinojnë “thyerje” të tilla janë komplekse dhe përfshijnë rregullime madhore në kurrikula dhe nxënie. Ndaj, reformimi duhet të jetë i qartë dhe i çlirët nga çdo dykuptimshmëri, kusht ky i nevojshëm për koherencën dhe vlerën e kurrikulës universitare. Reformimi nxit dhe mundëson që disiplinat universitare të mos izolohen më si “ishuj të vegjël” nëpër programe studimi dhe vite akademike. Tani e më pas, dialogu ndërmjet disiplinave është i paevitueshëm, çka kërkon përdorimin e burimeve alternative që mobilizojnë dije me origjina disiplinore të ndryshme, me natyrë materiale, njerëzore dhe emocionale-volitive etj.

Sot e në të ardhmen, dija disiplinore e dekontekstualizuar nuk do të vlerësohet si qëllim i nxënies, si diçka e prodhuar nga mendimi njerëzor dhe e kodifikuar në tekste nga ekspertet (sepse, shumë rrallë, gjen një bllok mençurie të përjetshme, të vendosur në sirtar, të gatshëm të zgjidhë problemin tonë), por do të vlerësohet si burim i njohurive për ndërtimin e kompetencave profesionale, si “mjeti” për shndërrimin nga “homo sapiens-it” (njeriu që shpjegon me arsye shkaqet), në “homo faber” (njeriu që di si të bëjë, si të prodhojë). Në ekonomitë e sotme, për njerëzit është normë të bashkohen dhe t’i ndërtojnë njohuritë që u duhen, në kontekstin e problemit plotësisht të pangjashëm me diçka tjetër të ndërlikuar dhe specifike të cilën po e gjurmojnë. Mund të ketë fare mirë ndonjë precedent të përafërt, por njohuritë e nevojshme që duhen ndërtuar përfshijnë huazimin, rregullimin, korrigjimin, kombinimin dhe krijimin (procesin, pra), jo memorizimin dhe zbrazjen. Ajo që vlen, tani e në të ardhmen, është të jesh i aftë të ndërtosh dhe të përdorësh njohuri, jo të kesh një magazinë të pafundme dijesh të përgjithshme për t’i përdorur sipas rastit.

Ndaj, për ne, fetishi tradicionalist i dijes është një nga rrënjët e fuqishme të atij mekanizmi gjigant që po zhvlerëson diplomat dhe po ndan inxhinierët, ekonomistët, mjekët, juristët, agronomët etj., universitetet, pra, nga jeta reale. Një fetish i tillë ka bërë që universitetet të nguliten thellë në orientimin akademik, të përjetësuar në besime dhe tradita të shumta që e bëjnë këtë orientim më të fuqishmin e normave të “shenjta” të shkollimit. Ky orientim ka krijuar kurrikulën e shpërpjesëtuar dhe seleksionues, të mbizotëruar nga përmbajtjet disiplinore që u vlen pak studentëve, pasi fragmentarizon dijet dhe i shkëput ata nga përvojat, interesat dhe projektet e tyre, duke ”ballkanizuar” kësisoj disiplinat shkencore dhe departamentet e shkollave të larta.

Sigurisht, mekanizmi ka dhe rrënjë të tjera, njohëse, politike, arsimore, pse jo dhe vetjake, që e ushqejnë, e mbajnë gjallë dhe e bëjnë kërcënues, por për to duhet folur herë tjetër. Përkundër këtij kulti, ne besojmë se studenti zhvillon inteligjencën dhe ndërton kompetencat nëpërmjet veprimit, projekteve dhe përvojave të tij, duke reflektuar mbi veprimet që kryen dhe mbi rezultatet që përfton prej tyre, pasi ai nxë dhe i kupton situatat e reja mes asaj që njeh tashmë dhe i ndryshon njohuritë e tij të mëparshme për t’ia përshtatur situatave të reja.

Nuk ka asnjë dyshim se zhvendosja drejt qasjeve që sigurojnë formimin e studentit kompetent kërkon ndryshim rrënjësor, së pari, në mendësitë e pedagogëve. Kjo, sigurisht, kërkon rindërtimin e njohurive dhe kompetencave të reja profesionale për organizimin e procesit të nxënies. Nëse duam të përgatitim breza të rinj që të përshtaten me ndryshimin dhe të punojnë deri në punë që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, do duhet ta mendojmë sërish arsimin e lartë. Shoqëria jonë po evoluon dhe po përgatitet për të sfiduar devijimet që e pështjelluan jo pak, duke riorganizuar themelet, duke ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet e saj, çka kërkon një vizion të ri edhe për arsimin e lartë. Në këtë kontekst, reformimi i kurrikulave universitare mund të vendoset pa asnjë mëdyshje në listën e përparësive që po presin të plotësohen.

Ndërkaq, e dimë që inercia mendore vepron tek ata njerëz që nuk janë pionierë prej natyre, por kanë nevojë “të presin dhe të shikojnë” dhe të kërkojnë më shumë prova për t’u bindur. Janë të pakët ata që pranojnë t’u kërcënohen besimet që i ruajnë prej kohësh, ose përvojat që i kanë fituar me vështirësi. Është e natyrshme të ekzistojë një masë skepticizmi. Por, kur flasim për skepticizëm, kemi parasysh atë qëndrim të mendjes së hapur të personit që nuk verbohet nga mbishtresat, por hapet me sinqeritet ndaj përpjekjeve për t’u bindur. Nuk presim që mjaft pedagogë t’i besojnë kësaj ideje, më shumë se sa i besojmë ne që e kemi parë me sytë tanë vlerën e saj. Por, nëse biem dakord, sigurisht, ia vlen të provohen një apo disa nga idetë e reja dhe të përpiqemi të ndryshojmë kurrikulën universitare në përpjekjet për të formuar studentë kompetentë, të aftë për veten dhe shoqërinë.

Tiranë, më 22.04.2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.