Kronikë

Foto/ Nga ’97 në 2017, vrasjet që nuk reshtën… Historia e bandave në Vlorë dhe dosja që hapi Artan Cuku

14:17 - 24.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ishte muaj dhjetor i vitit 2012, kur ish-kryekomisari Artan Cuku drejtonte policinë e Vlorës dhe rihapi dosje të bujshme. Pikërisht në këtë kohë Cuku arrestoi fierakun Bledar Jambelli (Rikard Muho), pas dyshimeve se ishte autor i vrasjes së Armando Delajt, në shtator të po të njëjtit vit.




Vrasja e Artan Cukut, hetuesit zbulojnë porositësin… Bota e errët e krimit dhe konfliktet e vjetra

4 shtator 2012-Në lagjen “Osman Haxhiu” në Vlorë, në ambientet e lokal “Klind”, që ishte në pronësi të Armando Delajt, vrasësi (Bledar Jambelli) ka qëlluar me breshëri drejt Delajt, duke e lënë të vdekur në vend. Nga atentati ka mbetur i plagosur edhe Stavri Beqiraj, i cili ka qenë klient në lokalin ku ndodhi krimi i rëndë, por edhe shok i ngushtë i viktimës.

Armando Delaj
Armando Delaj

Në atë kohë, mbi trupin e Delajt është qëlluar me mbi 10 plumba, të cilët i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia, e cila ka bërë këqyrjen e vendngjarjes, ka vërtetuar se 28-vjeçari Amarildo Delaj ndërroi jetë, nga plumbat e shumtë që kishte në trup.

Po ashtu Bledar Jambelli akuzohej edhe për vrasjen e të fortit të Vlorës, Shpëtim Muka, i cili u vra në vitin 2006 te Pusi i Mezinit.

Historia e konflikteve
Zinxhiri i ekzekutimeve nis vite më parë që prej të njohurës si Masakra e Levanit, më 28 maj 1997, kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët e ekzekutimit të 21 personave. Vrasja dyshohet se ishte hakmarrje e Shpëtim Mukës ndaj vrasjes së tre vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka, të cilët po në 1997 u gjetën të vdekur në afërsi të qytetit, madje trupat e tyre ishin të copëtuar, pasi ishin hedhur në erë.
Po kështu, vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Çaushit. Po në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledi Zanaj, i cili u qëllua nga banda e Gërdhuqëve, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës. Vite më pas, më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Slejdi njihej me nofkën Topallja, pasi kohë më parë, kishte pësuar një aksident dhe për pasojë kishte probleme në këmbë.

Në vitin 2006 thuhej se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash. Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe në polici pati deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë.

Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrje ndaj së ëmës. Policia, brenda pak orësh, gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit, nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim. Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djaloshi i cili i shpëtoi atentatit një vit më parë. Grupi hetimor në atë kohë do të deklaronte se dyshonin se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama. Ky i fundit ishte arrestuar në mars të 2007-s në Madrid.

Nga informacionet operative u tha në atë kohë se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë. Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj.
Bledar Jambelli nuk rezultonte të kishte ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Ai ishte vetëm një vrasës me pagesë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.