OPINION

Dhimbja nga komunizmi dhe të shkruarit si shërim

07:24 - 25.04.18 Entela Sula
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ani Gjika kishte ngrirë sallën me të vërtetën e saj. Ajo sapo kishte lexuar një paragraf nga libri-‘Memoir’ për të cilin ka tre vjet që punon. Paragrafi rrëfeu historinë e dhimbshme të një abuzimi seksual që i kishte ndodhur në moshën 12 vjeçare, fill pas rënies së komunizmit. Nuk kisha dëgjuar kurrë një histori kaq therëse në vetën e parë. E vendosur prej 22 vitesh në Amerikë, kjo autore dhe përkthyese nuk kishte shkruar asnjëherë në shqip, edhe pse shqipen e ka gjuhë të parë. Sa ironik mu duk përkimi. Kisha ditë që lexoja mbi debatin që kishte trazuar Tiranën, ‘fenomenin Vorpsi’.




Aq shumë ujëra kishte trazuar shkrimtarja me intervistat e saj të shpenguara, sa jehona e debatit më ishte ulur këmbëkryq në dhomë mijëra kilometra larg Tiranës. Personalisht, në gjithë atë gumëzhitje, ndryshe nga rryma, dashuria e saj e vajzërisë për atë që sot është kryeministri i vendit, nuk ma grishi vëmendjen, dhe as më shtoi kureshtjen. S’kishte asgjë atipike në deklaratën e saj. Për ne ‘njerëzorët’ dashuria, në të gjitha format, është ndjenja që njohim sa hapim sytë e që na shoqëron deri sa i mbyllim. Gjetkë më kishte mbetur  mendja. Nuk arrija të kuptoja se si njeriu mund të shprehë dhimbjet e shpirtit në një gjuhë që nuk është ajo e nënës.

Ky fakt më kishte bërë të mendoja gjatë, por ende nuk i kam gjetur një përgjigje, qoftë edhe sa për të bërë paqe me veten. Sa e pashpjegueshme aq edhe interesante më dukej kjo gjë. Nga njëra anë unë, që pas një dekade jashtë Shqipërisë përpiqem çdo ditë të pasuroj fjalorin e gjuhës së vendit ku jetoj, dhe nga ana tjetër, jo një, por dy vajza shkrimtare, të cilave gjuha e huaj u është bërë pjesë e identitetit krijues. Teksa i dëgjoja të flisnin për këtë fenomen, njërën përtej oqeanit dhe tjetrën aty në auditor, u befasova që kishin një emërues të përbashkët. Të shkruarit në një gjuhë të huaj i largonte ato nga e kaluara e tyre e dhimbshme; muzikaliteti i ri i një gjuhe tjetër u jepte shpresë të reja. Secila kishte një histori rrëqethëse, në fëmijëri a rini, që vinte nga Shqipëria e vrazhdë komuniste dhe paskomuniste. “Arratia” fizike duket se nuk i kishte shëruar ato plotësisht nga e kaluara e një sistemi që vazhdonte t’ua ngacmonte plagët teksa përdornin gjuhën e nënës.

Ani rrotullonte sytë duke “vizituar” çdo cep të dhomës. Kërkonte përgjigjen e duhur, nëse kishte një të tillë. I duhej një patjetër, pasi bashkëbiseduesi i saj dukej të kishte një kureshtje të papërmbajtshme teksa e kishte pyetur: “Përse një libër me kujtime dhe jo ‘fiction’ me nota autobiografike”. Gazmend Kapllani, një tjetër shkrimtar shqiptar, të cilit i është botuar në shqip ‘Ditar i shkurtër kufijsh’, teksa priste përgjigjen e Anit nxitoi të shtonte se libri i tij, shpesh herë ishte quajtur ‘me kujtime’ për shkak të notave autobiografike të përdorura në zhvillimin e fabulës. Ndërhyrja e kolegut duket se i kishte dhënë kohën e mjaftueshme Anit për të gjetur përgjigjen e saj. “Unë kam shkruar poezi që gjashtë vjeçe dhe kjo është e vetmja gjini në të cilën e njoh veten si krijuese” Poezitë e Anit janë frymëmarrëse.

Ajo lexoi disa prej tyre nga vëllimi poetik “Bread on Running Waters”, një vëllim i botuar në vitin 2013 me përmbledhje poezish të shkruara gjatë një dekade. Arsyeja që kjo përzierje kaq interesante shkrimtarësh kishin bërë bashkë lexues, shqiptarë e të huaj, nën siglën “Voices from the Edges of Europe” nuk ishin poezitë e Anit, por të një tjetër poeteje të njohur shqiptare, Luljeta Lleshanakut. Ani Gjika, si përkthyese dhe Gazmend Kapllani si shkrimtar, janë tashmë në libraritë amerikane me dy libra të sapobotuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ditar i shkurtër kufijsh” i Gazmend Kapllanit prej disa ditësh qëndron krah emrave më të njohur botërorë në stendat e librarive amerikane, ndërsa prej 24 prillit iu bashkëngjit edhe shqiptarja tjetër Luljeta Lleshanaku me vëllimin poetik “Negative Space”, përkthyer nga Ani Gjika. Të dy autorët lexuan pjesë në prozë e poezi nga publikimet e tyre duke e sjellë më afër vetes lexuesin dhe duke e bërë më të ngrohtë takimin në mjediset e Universitetit të Bostonit. “Shkrimtari nuk ka jetë nëse nuk do të jeni ju”,-tha Gazmend Kapllani duke iu drejtuar auditorit.

Mes ngazëllimit që i dhanë duartrokitjet zbuloi një paragraf të librit të ri me titull “ I keqi i vetes” të cilin ka nisur ta shkruajë dy vjet më parë, dhe që do të jetë i pari i shkruar në gjuhën shqipe. Qetë nisi të lexonte: “Kur pa nënën e tij në arkivol Karli ndjeu sikur kordoni ombilikal që lidhte ekzistencës e tij me qendrën e botës, me qendrën e jetës, ishte këputur, si një anije që furtuna e egër i pret litarët duke e vërvitur në mëshirë të     detit të tërbuar. Kohët e fundit, ai kishte pyetur shpesh veten se mos vallë ishte endur si emigrant nga një vend në     tjetrin me shpresën e pavetëdijshme se do gjente përsëri atë qendër të botës, atë qendër të vetes, të zhvendosur dhunshëm. Nuk ishte në gjendje të thoshte nëse e kishte gjetur apo jo. Sa për të     vëllain, Frederikun, ai i kishte qëndruar gjithmonë besnik filozofisë së të atit, akoma edhe kur mania e ikjes i goditi shqiptarët si histeri kolektive: “edhe atdheu më i keq është më i mirë se dheu i huaj!”. Karli kishte jetuar nën qiej të     ndryshëm, kishte folur e shkruar në     gjuhë të ndryshme, kishte dashuruar gra të     kombësive të ndryshme.

Frederiku jetonte në të njëjtën qytezë     ku kishte lindur, në të njëjtin pallat, në     të njëjtin kat, në të njëjtën shtëpi, duke realizuar kështu atë ideal atëror të     vazhdimit të brezave pa asnjë plasaritje mes tyre – që sipas të atit ishte e vetmja gjë që i falte njeriut identitetin e fortë     dhe lumturinë”. Sipas autorit librin e ri ka nisur ta shkruajë vetëm pak kohë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara. Gjuha në     të cilën do të shkruhej ky libër ishte dilema e parë me të cilën u përball autori. “Unë i kam shkruar librat e mi në     gjuhën greke për të qenë sa më afër lexuesit të vendit ku jetoja, por natyrshëm më erdhi që librin e radhës ta shkruaja në     gjuhën time të parë”.

Historia zhvillohej në Shqipëri, ku një baba me bindje të thella komuniste kishte quajtur dy djemtë e tij Karl dhe Frederik, në nder të dy figurave të komunizmit botëror, Marksit dhe Engelsit. Këta dy emra shkaktuan të qeshura në sallë, ashtu sikurse shkaktonin herë pas here te lexuesit amerikanë rrëfimet e shkrimtarit Kapllani nga kampi i internimit në Savër të Lushnjës. Absurditeti komunist 45-vjeçar, aq i vërtetë dhe i dhimbshëm për një popull, dukej jo real, madje-madje grotesk, si personazhet e një libri për ata jo shqiptarë që sot kishin zgjedhur të lexonin Kapllanin, Gjikën apo Lleshanakun. Për ta ajo ishte thjesht një arrati imagjinate në një vend të izoluar me një histori tragji-komike. Ndërsa përballë tyre ishin ata, viktimat e prekshme të një regjimi barbar, që dëshmonin më zë dhe dokumentonin me libra vuajtjet e një jete qe fatet ua diktoi sistemi.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.