EKONOMI

Lehtësohen kreditë për shtëpi, konvertim i huasë e kolateralit

12:50 - 26.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Banka e Shqipërisë lehtëson kushtet për individët që kanë marrë ose dëshirojnë të marrin një kredi hipotekore. Dy procedura lehtësuese janë ndryshimi i kolateralit dhe konvertimi huas nga një monedhë në tjetrën.




Udhëzimi që mban firmën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon se “në rastet e kredive me norma të ndryshueshme interesi, indeksi orientues që përdoret në llogaritjen e normës së interesit duhet të jetë i qartë, i përdorshëm, objektiv dhe i verifikueshëm në çdo rast, nga palët e kontratës së kredisë”. BSH parashikon ekzistencën e së drejtës së konsumatorit për zëvendësimin e sendit/pasurisë (kolateralit) të dhënë si garanci për mospagimin e kredisë, si dhe kushtet që duhen plotësuar për ta përfituar këtë të drejtë. Një tjetër e drejtë që fitojnë kredimarrësit është ekzistenca e së drejtës për të konvertuar monedhën e kredisë në një monedhë tjetër. Banka e Shqipërisë parashikon edhe rastet kur mund të një kredimarrës mund të mbrohet nga luhatjet e kursit të këmbimit, kur kredinë e ka në monedhë të huaj. “Mundësitë (nëse ekzistojnë) që banka i ofron konsumatorit për zbutjen e rrezikut të kursit të këmbimit për kreditë në monedhë të ndryshme nga monedha në të cilën konsumatori gjeneron të ardhurat (që mund të përfshijnë, por pa u kufizuar në: ofrimin e instrumenteve financiare mbrojtëse etj.), si dhe kushtet që duhet të plotësohen për të përdorur këto mundësi”, – thuhet në udhëzim.

Sipas BSH-së, “në rastet e kredive me norma të ndryshueshme interesi, indeksi orientues që përdoret në llogaritjen e normës së interesit duhet të jetë i qartë, i përdorshëm, objektiv dhe i verifikueshëm në çdo rast nga palët e kontratës së kredisë”. Sipas udhëzimit, banka për kredinë në monedhë të ndryshme nga monedha në të cilën konsumatori gjeneron të ardhurat njofton këtë të fundit (nëpërmjet një shkrese ose një mjeti të qëndrueshëm komunikimi, sipas formës së përcaktuar në kontratën ndërmjet palëve), në rastet kur si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit, vlera e kësteve të rregullta të pagesës rritet me më shumë se 20% nga vlera që do të rezultonte, nëse do të aplikohej kursi i këmbimit midis monedhës së kredisë dhe monedhës në të cilën konsumatori gjeneron të ardhurat, në datën e nënshkrimit të kontratës.

Kreditimi
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për shtëpi për individë në 2017-ën u rrit me vetëm 4%. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të vrojtimit të kredisë pohoi se në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit. Ekspertët pohuan edhe tendencën e re të konsumatorëve: “Njerëzit presin që me lejet e reja, mund të ketë ofertë edhe më të lartë për banesa dhe për pasojë çmime më të ulëta, duke frenuar kërkesën”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.