AKTUALITET

I mbijetoi grabitjes në Kamëz, gruaja rrëfen tmerrin: Si ma vranë burrin!

19:48 - 26.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk di ende asgjë për fatin e bashkëshortit të saj. Familjarët kanë zgjedhur të mos i tregojnë Merita Bucit se burri i saj Agimi, ndërroi jetë mbrëmë (25 prill), gjatë përleshjes me dy grabitës që u futën të armatosur në dyqanin e çiftit Buci në Kamëz, në rrugën OSBE.




Një market i vogël në një rrugicë të gjithën pa ndriçim, që dy persona ende të paidentifikuar nga policia, tentuan ta grabisin.

Merita ndodhet në Spitalin e Traumës në Repartin e Ortopedisë, pasi gjatë përleshjes me autorët, mori një plumb në këmbë. Rrezikun për jetën e ka kaluar, por duhet të qëndrojë në spital derisa gjendja e saj të stabilizohet për një javë që më tej t’i nënshtrohet një operacioni. Në një rrëfim të shkurtër 44-vjecarja thotë se gjithçka ndodhi kur bashkë me burrin ishin duke bërë mbylljet e fundit të dyqanit (inventarin), për të shkuar në shtëpinë e tyre përdhese që ndodhet ngjitur me dyqanin.

Në arkë ndodhej djali i vogël i çiftit Buci, ndërsa Merita me bashkëshortin e saj ishin në një pjesë tjetër të dyqanit që kishte lidhje direkte me shtëpinë. Duhej të ishte një natë e qetë për çiftin që pasi mbyllte dyqanin i drejtoheshin shtëpisë, por u kthye në tragjedi.

Dy persona te maskuar me kapuç, të veshur trashë, me xhupa jeshil dhe dorashka, hyjnë në market. Njëri prej tyre i armatosur me një pistoletë i drejtohet arkës ku ndodhej edhe i mituri. Grabitësi i dytë, me thikë në dorë kupton se në dyqan ishin edhe burri dhe gruaja. Merita tregon se doli menjëherë sapo dëgjoi djalin të thërrasë dhe nisi të qëllojë me c’gjeti ndaj autorit të armatosur që ndodhej tek djali i saj.

“Lekët, lekët”, tregon ajo duke rrëfyer bërtitjet për lekë që vinin nga dy djemtë e maskuar. “Çfarë lekësh doni?, i është përgjigjur ajo duke nënkuptuar se në dyqanin e tyre modest nuk mund të kishte lekë të mjaftueshme për të justifikuar edhe veprimin e dy autorëve që kishin organizuar grabitjen e armatosur.

(Në foto: Merita Buci)

Në këtë moment – tregon ajo – doli edhe bashkëshorti i cili ju sul autorit të armatosur për ta larguar nga djali. E gjithë përleshja ndodhi në sy të te miturit, në këmbët e tij, aty ku ra i pajetë babai i tij.

Marketi ku ndodhi ngjarja
Agimi mori plumb në gjoks në tentativë për të neutralizuar autorin me pistoletë. Gjatë përleshjes, autori ka shkrepur armën në mënyrë të çrregullt e ndoshta edhe aksidentalisht (kjo i mbetet hetimeve të mëtejshme ta përcaktojnë), duke lënë të plagosur edhe Meritën.

Gjatë përleshjes autori me thikë ka dalë jashtë për një moment për të parë nëse mund të kishte prezencë të personave të tjerë. Është futur menjëherë brenda dhe ka tentuar të hipë mbi tavolinën ku ndodhet arka, por grabitësi tjetër, i ndërgjegjshëm se plani i tyre për grabitje u kthye në tragjedi për familjen Buci, e ka tërhequr shokun dhe kanë dalë të dy nga dyqani duke u larguar me një makinë. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të hedhin dritë rreth kësaj ngjarje si dhe ka vënë një vlerë deri në 5 milionë lekë të vjetra për këdo që jep informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin e autorëve./Express


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.