OPINION

Midis dy zjarresh

07:33 - 26.04.18 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në shkrimin e mëparshëm «Pasokzimi i social – demokracisë» treguam se qendra e majtë evropiane është vërtet në pikë të hallit. Ndonëse në pozita më të mira, edhe gjendja e “homologes” së saj të djathtë paraqitet e zymtë dhe me shumë pikëpyetje. Vërtet që kjo e fundit vazhdon të mbahet në pushtet në Britaninë e Madhe, por në pozita shumë të dobësuara pas fitores së Brexit; në Gjermani, ku CDU e Merkelit është në pushtet prej 13 vjetësh, por në koalicion; në zgjedhjet e vjetme parlamentare ajo ra në 26 për qind, kuota më e ulët e kësaj partie 155 vjeçare gjatë 70 viteve të fundit; mundën të qëndrojnë në pushtet vetëm falë aleancës me social-demokratët; «simotra» e tyre bavareze CSU, gjithashtu, ra në nivelin më të ulët prej 6 për qind. Në pozita më të konsoliduara janë konservatorët në Izrael, Holandë, Bullgari dhe sidomos në Austri, ku në zgjedhjet e parakohshme disa muaj më parë kaluan si aleati i parë në koalicionin qeverisës me «Partinë e Lirisë» të ekstremit të djathtë; edhe në Spanjë, Partia Popullore fitoi me shumë vështirësi zgjedhjet e kaluara me shumicë të thjeshtë; ajo është tronditur thellë muajt e fundit edhe nga përshkallëzimi aksionit politik të separatistëve katalanas.
Tejet shqetësuese është rënia e ndjeshme e pozitave dhe popullaritetit të disa prej partive më të mëdha konservatore që kanë bërë histori; kështu, në Francë, vitin e kaluar, Presidenti centrist Macron me lëvizjen e tij të fuqishme « en marche » pothuajse shkatërroi qendrën e majtë dhe të djathtë njëherësh, të cilat duket se janë në një rrugë pa krye. Themi kështu se tani veç « makronistëve » qendrën e djathtë dhe të majtë e kërcënojnë Fronti Nacional i Le Pen dhe e Majta radikale e Melenchon.
Kurse Italia është një nga bastionet e BE-së ku qendra e djathtë tradicionale ka mbi dy dekada që nuk ekziston. Vendin e saj e kanë zenë tri partitë populiste, si « Pesë Yjet » « Lega Nord » dhe « Forca Italia ». Në zgjedhjet parlamentare më 4 mars 2018, ato dëbuan nga qeverisja social-demokratët me 64 për qind të votave!
Kjo krizë besimi dhe identiteti shihet edhe te qendra e djathtë në rajonin tonë – në Serbi, Greqi, Rumani dhe sidomos në Shqipëri, ku PD-ja këto pesë vitet e fundit, pas disa disfatave zgjedhore vazhdon tatëpjetën politike.
Ndërkohë, konservatorëve në disa vende të BE-së po u vjen një rrezik tjetër i madh lidhur me profilin dhe identitetin e tyre politik nga « simotrat » e tyre të Evropës Qendrore dhe Lindore, sidomos Hungaria, Polonia dhe Çekia. Dihet se partitë në pushtet në këto vende zyrtarisht janë të qendrës së djathtë, madje dhe në Parlamentin Evropian i përkasin Grupimit më të madh të Partive Popullore ( EPP).
Por, në fakt, programet dhe veprimtaria e tyre praktike po tregojnë gjithnjë e më qartë shenja të kalimit drejt populizmit ose ekstremit të djathtë. Rasti më tipik është Hungaria, ku Viktor Orban, lideri i FIDESZ fitoi para disa javësh mandatin e tij të katërt me dy të tretat e vendeve në parlament, duke gërryer në maksimum elektoratin e partive e tjera. Me « demokracinë joliberale » Orbani i është kundërvënë hapur modelit unik europian të demokracisë dhe vlerave të saj themelore, krahas qëndrimeve refraktare lidhur me çështjen e azilit, etj. Në misionin e tij për “orbanizimin” e Evropës, ai ka aleatë liderin polak të Partisë për Ligj dhe Drejtësi ( PiS), Jaroslav Kaczynski dhe homologët në Çeki dhe Slovaki.
Duke synuar që në këtë kurs të përfshijnë edhe të djathtën e moderuar rumune e bullgare, në fakt, po kërkohet krijimi i një “ internacionaleje populiste” të këtyre vendeve, që tre dekada më parë ishin në pararojë të shembjes së komunizmit dhe integrimit europian; në bashkëpunim me forca populiste dhe ekstremiste edhe në vendet perëndimore – në Austri me Partinë e Lirisë, në Francë me Frontin Nacional të Le Pen, në Gjermani me AfD-në, në Holandë me Partinë për Liri, në Britaninë e Madhe me UKIP, etj. Kjo aleancë e re ka të ngjarë të shpaloset dhe konkurrojë me platformën e vet qysh me zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2019.
Që populizmi dhe ekstremizmi po ulen « këmbëkryq » në Evropë e tregon dhe kontrasti i madh me zhurmën e madhe 5 vjet më parë, kur konservatorët austriakë hynë në koalicion me partinë ultranacionaliste të Jorg Heiderit; madje, BE shpalli sanksione dhe mbajti qëndrime distancuese ndaj atij koalicioni. Ndërsa tani, jo vetëm nuk ndodhi një gjë e tillë, por veç të tjerëve, dhe vetë Kancelarja Merkel, Kryetare e CDU-së përshëndeti edhe pse me gjuhë të kujdesshme diplomatike rikthimin e këtij koalicioni në Austri dhe fitoren plebishitare të Orbanit.
Shqetësim tjetër i madh është se liderët karizmatikë të këtyre vendeve do të kërkojnë pushtet dhe hapësirë gjithnjë e më të madhe në institucionet drejtuese të BE-së, « në emër të popullit dhe të kombit dhe kundër eurokratëve të Brukselit» Kjo do të ketë ndikim negativ në rolin dhe autoritetin e figurave drejtuese të së djathtës në Parlamentin, Komisionin dhe Këshillin Evropian. Sepse me gjithë reformat e ardhshme europiane, ekziston rreziku që këta të fundit të margjinalizohen më tej, duke mbetur më shumë leva teknike dhe zbatues të urdhrave nga kryeqytetet europiane.
Rreziku i dytë i madh për qendrën e djathtë vjen nga “zjarri” që ka ndezur Presidenti Macron, me qëllim që lëvizjen politike plebishitare « en marche » ta shtrijë më tej dhe pas zgjedhjeve të Europarlamentit 2019 ta nxjerrë aty si grupim më vete, pse jo dhe me të madhin. Macron ka dërguar qysh tani me mijëra emisarë « derë më derë » kudo në Francë për të pyetur dhe matur pulsin e qytetarëve lidhur me pritshmëritë e tyre nga BE-ja.
Ashtu si në rastin e social-demokracisë, shkaku i kësaj gjendje “midis dy zjarresh” janë zhvillimet dhe krizat e vazhdueshme ekonomike dhe financiare të viteve të fundit, dobësimi i nivelit të sigurisë, kriza e azilit, etj. ku qendra e djathtë ka qenë në pushtet në shumicën e këtyre vendeve. Edhe pse i është dhënë sërish dora nga elektorati, në shumë vende duket se ajo nuk po e përligj këtë besim, si pasojë e politikave të rrepta të shkurtimeve, kursimeve, papunësisë, goditjes së sigurisë sociale dhe në përgjithësi shkëputjes nga qytetarët. Shkak tjetër madhor janë aferat dhe skandalet e liderëve të saj që e kanë rënduar dhe më shumë krizën e besimit.
Së fundi, ashtu si te social- demokratët, edhe te qendra e djathtë ndihet mungesa e liderëve me vision dhe guxim politik, me alternativa të përpunuara dhe shprehura qartë dhe me forcë bindëse. Edhe më të shquarit prej tyre, Merkel, Rajoy, May e ndonjë tjetër e kanë humbur shkëlqimin e mëparshëm në popull dhe brenda partive të tyre. Risia këtu është lideri i ri i Partisë Popullore Austriake, 31-vjeçari Sebastian Kurz, i cili me guxim dhe karizëm, spostoi paraardhësin, braktisi koalicionin e madh me social-demokratët dhe për rrjedhojë, në zgjedhjet e parakohshme fitoi 31 për qind të votave, duke qenë kancelari më i ri në Evropë.
Ja, këto janë dy « zjarret » me efekte pse jo dhe “përvëluese” për qendrën e djathtë europiane; nuk dihet se si do të dali prej tyre pa u “djegur” dhe që të shmangë një « Waterlo » politiko-zgjedhore, pikërisht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian; si për ironi të historisë, selia e këtij të fundit ndodhet vetëm 16 km larg prej Waterlo-së së vërtetë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.