Fol me Psikologen

U ndava nga gruaja se u dashurova me një tjetër. Ju kam dhënë shumë para, por fëmijët nuk më flasin…

14:16 - 05.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam 52 vjeç, jam marrë gjithë jetën me biznes dhe përpara 7 vitesh u ndava me bashkëshorten për shkak se u dashurova me një tjetër. Kam 3 fëmijë dhe të tre nuk duan të kenë asnjë kontakt me mua. Pse nuk më kuptojnë ata mua? Ju kam dhënë para sa kanë dashur, ç’duan më shumë nga babai?




-Përshëndetje! E kuptoj situatën e vështirë në të cilën ndodhesh, por mendoj se këndvështrimi është i gabuar. Marrëdhënia prind-fëmijë është nga ato marrëdhënie që ndërtohen qysh herët, që nga momenti kur fëmijët vijnë në jetë. Hap pas hapi prindërit ndërtojnë këtë raport duke i dhënë dashuri, siguri, mbështetje dhe gjithçka tjetër është e nevojshme që fëmija të ndërtojë personalitetin e tij dhe të gëzojë shëndet të plotë fizik dhe psikologjik. Kush mendon se duke punuar fort dhe duke krijuar burime të mëdha financiare e ka kryer më së miri detyrën e tij si prind e ka gabim.

Në rastin tuaj ka ndodhur pikërisht kjo gjë. Është mëse e vërtetë që prindërimi është roli më i vështirë në jetë, është po njësoj i vështirë edhe për ata që kanë një karrierë të shkëlqyer. Ju thoni se jeni marrë gjithë jetën me biznes dhe ju keni dhënë fëmijëve tuaj aq para sa kanë dashur. E besoj plotësisht këtë gjë, por nga ana tjetër dyshoj tek koha që keni kaluar me ta, tek bisedat që keni ndarë së bashku, sa keni qënë ju prezent në jetën e tyre, sa dashuri ju keni dhënë etj. Jo pa qëllim e bëra këtë analizë, por besoj që ky është shkaku i vërtetë që sot keni këtë lloj raporti me ta. Nëse dëshiron që kjo situatë të ndryshojë, si fillim kërko ndjesë nëse i ke lënduar.

Thuaju atyre se ke nevojë të flasësh dhe shpjegoju se çfarë rëndësie madhore kanë në jetën tënde. Nëse raporti në çift për një arsye a për një tjetër merr fund, marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve duhet të mbetet e njëjtë deri në fund te jetës. Edhe pas divorcit fëmijët duhen po njësoj, por nëse sillesh keq me ta, nëse i ke lënduar duke fyer apo përbuzur përpara syve të tyre nënën e tyre atëherë si baba mëso të kërkosh falje. Analizo gabimet e tua dhe bëje të qartë se i ke kuptuar dhe ke reflektuar.

Hidhi ti hapat i pari dhe shtri dorën duke pritur me durim faljen e tyre dhe duke mos i gjykuar. Nëse je kujdesur për ta financiarisht ke bërë as më pak e as më shumë, por detyrën tënde si prind, përpiqu ta evitosh përmendjen e parave me ta dhe fokusohu tek pjesa emocionale, se sa shumë i do dhe sa shumë të mungojnë.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.