KULTURË

Dita e Europës/ “Edhe muret kanë veshë” sonte në të gjithë Shqipërinë

13:00 - 08.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përgjatë gjithë natës së 8 majit, deri në agimin e datës 9 maj, Ditës së Europës, në sheshet kryesore të gjashtë qyteteve, Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Tepelenë e Gjirokastër projektohet në të njëjtën ditë e kohë instalacioni “Edhe muret kanë veshë”, në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”. Në sheshet qendrore të qyteteve të mësipërme janë ftuar të ndjekin instalacionin qytetarë, të rinj e studentë, përfaqësues të politikës dhe trupit diplomatik, të institucioneve publike dhe joqeveritare, të artit, kulturës dhe medias.





Platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi krimet e së shkuarës komuniste e të inkurajojë dialog me universitetet, akademikët, komunitetet lokale, të mbijetuarit e krimeve të diktaturës komuniste, mediat dhe publikun e gjerë. Fushata kulmon me një instalacion artistik dhe vijon me përmbledhjen të historive personale të të mbijetuarve të krimeve të diktaturës, ose të familjeve të tyre. Po ashtu, pasqyrimi i këtyre dëshmive do të bëhet edhe në një faqe interneti me të njëjtin emër. Dëshmitë gojore do të filmohen në dokumentar, në mënyrë që njerëzit ta ndjekin rrugëtimin e këtij produkti artistik, t’i shohin fytyrat dhe t’i dëgjojnë historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet. Këto histori krijojnë një databazë të rrëfimeve gojore që do të pasurohet në vijim dhe i shtohen arkivit të Autoritetit. Instalacioni, i realizuar nga artistja Alketa Xhafa-Mripa, është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuara nga krimet e komunizmit janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve. Me to, Mripa ka krijuar një narrativë të zgjeruar, ku frazat lidhen me njëra-tjetrën, duke shfaqur aspekte të ndryshme të totalitarizmit. Shprehjet, dikur të ndaluara, do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (8 maj 2018) dhe në të njëjtën kohë (ora 20.00) në fasadat kryesore të qyteteve, deri në agimin e Ditës së Europës, duke riafirmuar vlerat europianiste, që ishin dhe vizioni i rrëfimtarëve. Artistes i janë bashkuar një ekip ekspertësh të artit dhe komunikimit, të cilët kontribuojnë në aktivitetet ndërgjegjësuese të kësaj platforme. Përmes artit, projekti synon t’i njohë dhe t’i ftojë për reflektim të rinjtë, komunitetet dhe publikun e gjerë me trashëgiminë e së shkuarës. “Është përballja me të vërtetën, ajo që e çon shoqërinë drejt shërimit e që rivendos ekuilibra; rehabilitimi i viktimave, ridimensionimi i figurës së të pafajshmëve dhe nderimi i sakrificës së atyre që ia dolën me dinjitet njerëzor është hapi i madh që hedhim sot”, shprehet Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Edhe muret kanë veshë” është vepër komplekse, e para e këtij lloji në Shqipëri për nga përmbajtja sociale dhe dimensionet instalative. Aktivitetet e saj organizohen në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, i zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Instalacioni artistik mbështetet financiarisht edhe nga Ambasada amerikane dhe delegacioni i BE-së në Tiranë.
Programi ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: (i) konceptualizimin, historinë dhe praktikat e punës së detyruar gjatë regjimit komunist përmes një qasjeje historiko–juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe (ii) fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata është shtrirë në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave.
Në këtë mënyrë, duke nxitur dialogun me komunitetet, duke zgjeruar hartën e dëshmive gojore të të mbijetuarve në mbarë vendin, duke konsoliduar bashkëpunimin me shkollat e universitetet, për të ndërtuar një raport të shëndetshëm me të kaluarën, që ajo të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet, Autoriteti jetëson misionin e vet ndërgjegjësues, demokratik dhe të edukimit qytetar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.