Homo Albanicus

A mjafton heqja e Ligjit të Luftës me Greqinë?!

18:35 - 12.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Ligji i Luftës me Greqinë, sipas të gjitha mundësive, do të hiqet në ditët në vazhdim. I paralajmëruar prej javësh më parë nga media greke, procesi po merr jetë nga ditë në ditë. Prononcimi i fundit i z.Kotzias, Ministrit grek të Jashtëm, se mbajtja e këtij realiteti është një skizofreni historike i ka bërë përshkrimin real të gjithë situatës mes të dy vendeve tona.

Gjithsesi, marrëdhënia e Shqipërisë me Greqinë është vërtetë problematike dhe shumë paradoksale. Kufiri mes të dy vendeve tona ende s’është i ratifikuar, mes tyre ekziston një Ligj Lufte, ndërkohë që kemi dhe një Traktat Miqësie. Dhe e fundit, por më e pabesueshmja është se të dy vendet janë pjesë e NATO-s, Aleancës më të madhe ushtarake në botë!

Në të gjitha rastet, politikanët kanë peshën më të madhe të përgjegjësisë, por për t’u sheshuar marrëdhëniet duhen dhe një mal me marrëveshje dhe mirëkuptime nga të gjitha nivelet, që marrëdhënia e dy fqinjëve të vjetër të kthehet në normale.

Sido që të ndodhë, heqja e Ligjit të Luftës, i cili do të marrë jetë de jure pak javë  më vonë me shumë gjasë nuk e liron problematikën mes dy vendeve tona. Ajo kulmon me problemin çam ndërsa nuk duket më i thjeshtë edhe problemi i kufirit detar, që njësoj në javët në vazhdim do marrë trajtesën me ngarkesën e vet.

Por, sa mundet vallë Ligji i Luftës të kthejë  normalitetin mes të dy vendeve tona?! Kjo mund të quhet shumë e vështirë. Njohësi i të Drejtës Ndërkombëtare Ksenofon Krisafi mëton se Abrogimi i Ligjit të Luftës do të kishte vlerë madhore nëse do të bëhej në të njëjtën kohë edhe amendimi i një ligji grek të vitit 1998, i cili lidhet me regjistrimin kadastral në vendin fqinj. Për ata që se dinë, në atë vit, qeveria greke caktoi me anë të një ligji, regjistrimin e pasurive të qytetarëve  në kadastra brenda një afati të caktuar. Duke pasur parasysh se Shqipëria asokohe nuk kishte regjimin aktual të vizave, shtuar edhe me vështirësitë e mëdha të Ambasadës greke për t’i pajisur të interesuarit me dokumentin e lëvizjes së lirë, qytetarët me kombësi shqiptare jo vetëm nuk mundën por as edhe nuk patën mundësi të hapnin procese gjyqësore konform Ligjit, duke e ndjekur të gjithë shkallëzimin. Me pak fjalë, Ligji i Luftës, do të duhej të rishikonte këtë dokument dhe ta amendonte rrënjësisht, pasi vetëm në këtë mënyrë do t’ua mundësonte shqiptarëve në masë marrjen e pronave të tyre.

Situata nuk është aq e zezë sepse heqja e Ligjit do t’i krijojë lehtësi menjëherë rreth 1800 çështjeve të shqiptarëve (jo të përkatësisë çame), të cilët kanë humbur pasurinë në vitin 1940 të fillojnë proceset për kthimin e pronave.

Ministri i Jashtëm Grek, i cili ka flamurin e kësaj përpjekje në terren bëri të njohur sesi mund të procedohet: ose me një dekret nga ana e presidentit, përndryshe edhe me një dekret të miratuar nga Parlamenti grek.

“Problemi kryesor që duhet të zgjidhet pozitivisht është Ligji i Luftës. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë. Sipas qasjes sime të parë, dekreti – sipas të cilit Greqia i shpalli luftë shqiptarëve, – ishte dekret mbretëror. Ekzistojnë dy interpretime ligjore. I pari, me të cilin jam pranë edhe unë sipas një këndvështrimi ligjor (që të hiqet ligji i luftës), dekreti mbretëror është i barazvlefshëm me një dekret presidencial. Por ka edhe një interpretim të dytë, që sipas meje nuk është edhe kaq rigoroz. Por kërkon debat kur të vije koha e tij. Ky interpretim thotë se, dekreti mbretëror ishte në një kohë kur nuk ekzistonte Parlamenti, e për këtë arsye nuk mund të kishte një dekret parlamentar, kështu që tani që ka një Parlament le ta formulojë atë. Por nuk korrespondon Parlamenti me dekretin mbretëror, korrespondon me dekretin presidencial”, është shprehur Nikos Kotzias.

Por, gjuha aty ku shkon dhëmbi. Kur gazetarët e kanë pyetur zyrtarin e lartë grek sesi në bisedimet me palën shqiptare do bëhet me dhënien e dëmshpërblimeve për pasuritë e shtetasve shqiptarë të vënë në sekuestro konservative (rasteve të popullsisë Çame), si pasojë e gjendjes së luftës, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Për Ministrin shqiptar të Jashtëm Bushati bëhet fjalë për 3 kategori përfituese nga shfuqizimi i këtij ligji duke shtuar se në mënyrë të detajuar për këtë çështje janë zhvilluar edhe seanca konsulte me ekspertë shqiptarë dhe të huaj mbi pasojat juridike, që do rrjedhin.

Si përfundim, ashtu si do realizohet heqja e Ligjit të Luftës, ky nuk lidhet de jure drejtpërdrejt me pronat, të cilat i pretendon komuniteti çam, pasi pronat e tyre janë mohuar pas vitit 1944, kurse Ligji i Luftës hyri në fuqi në vitin 40′. Paçka se ishin pikërisht premisat që krijoi ky ligj, i cili të veprohej ashtu si edhe u veprua me pronat e Çamëve. Dhe, nëse do përfitojnë qytetarët shqiptarë të përkatësisë jo Çame, atëherë si do të veprohet me problemin Çam, pasi edhe deri këtu është harxhuar një energji e pafundme. Me sa duket është ende herët për të gjithë procesin e duhur, ndaj komuniteti Çam mbetet skeptik edhe ndaj heqjes së Ligjit të Luftës. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.