Fol me Psikologen

“Kam kaq kohë që nuk bëj asgjë, kur dal përpara pasqyrës vetja më duket katastrofë”

14:52 - 13.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kam kaq kohë që nuk bëj asgjë, përveçse punë shtëpi. Nuk jam e aftë të bëj asgjë. Prindërit më mbytën me presionin që më ushtrojnë. Në fakt dhe vetë e shaj veten por s’di si të ndryshoj, kur dal përpara pasqyrës vetja më duket katastrofë.




-E dashur situata që ti përshkruan lidhet me vetëvlerësimin. Vlerësimi dhe besimi i ulët për veten çon tek pika ku ti pranon këtë lloj realiteti të “shpikur” prej teje dhe zgjedh të dorëzohesh. Si justifikim të vjen në ndihmë vetëvlerësimi i ulët sipas të cilit nuk je e zonja për asgjë. Sigurisht që e vërteta është ndryshe dhe ti mund ta ndryshosh jetën tënde. Presioni i prindërve me të drejtë të tensionon, por nuk është ky problemi madhor. Gjithkujt në një moment të caktuar mund ti duket vetja jo i pashëm apo edhe i shëmtuar, por ky nuk mund të jetë koncepti që ne kemi për veten. Nëse rrimë duarkryq, pra shkojmë në punë dhe vijmë në shtëpi, e ndjekim çdo ditë të njëjtën rutinë atëherë shanset për të ndodhur diçka e re janë fare pak. Çfarë mund të bësh që t’i vish në ndihmë vetes? Si fillim ndrysho gjuhën dhe termat që përdor kur flet për veten si për shembull: “Nuk jam e aftë të bëj asgjë, vetja më duket katastrofë etj” sepse në pjesën më të madhe ato janë të ekzagjeruara dhe të pavërteta. Bëj diçka që të pëlqen dhe vlerësoje punën tënde. Së dyti, gjej se cili është burimi i këtyre shprehjeve dhe analizoji ato. Me siguri dikush në një moment të caktuar mund të të ketë fyer dhe ti e ke memorizuar shprehjen të cilën ja thua sot vetes. Një tjetër hap që mund të hedhësh është të kërkosh të vërtetat mbi veten tënde. Referohu në të shkuarën. A ka momente ku ti ke shkëlqyer? Me siguri që po. A ka sfida në të cilat ke dalë me sukses? Me siguri që po. Silli ndërmend ato. Merr një ditar dhe shkruaj të kundërtën e çdo deklarate negative që ja thua vetes. Imagjino sikur je shoqe e ngushtë e vetes tënde. Çfarë do ti thoje asaj? Cilat janë ato që vlerëson tek vetja? Nëse nuk e bën dot këtë atëherë kërko ndihmën e një mikeshe apo miku që të do fort dhe kërkoji ta bëjë ai këtë gjë. Nëse ndryshon vetëvlerësimi atëherë realiteti që të rrethon me siguri do të ndryshojë dhe ti do të hedhësh hapa të sigurt për të marrë atë që do në jetë.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.