OPINION

Paranoja e “komplotit” europiano-perëndimor kundër Shqipërisë

18:48 - 15.05.18 Artan Fuga
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është bërë zakon i një propagande banale tashmë që sa herë politika dhe institucionet europiane na tregojnë qartë dhe prerë se në rrugën tonë plot kthesa dhe pengesa për t’u demokratizuar sadopak kemi mbetur shumë prapa të tjerëve, buritë e saj ia venë fajin Europës.




Na e ka me të keq kurva plakë !

Sigurisht këtu mund të ishte thënë se përmblidhen përvoja historike ku janë përballur ëndërra kombêtare me politika qarqesh europiane që nuk kanë qenë përkrah tyre ose i kanë penguar.

Ndërkaq sot, duke u fshehur pas historisë dhe manipuluar atë, pakënaqësia ndaj Europës që shprehet nga propaganda dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të qarqeve politiko-financiare-pushtetare të Shqipërisë së sotme, ka dy qëllime :
I pari të ruajë privilegjet kolektive dhe individuale duke ruajtur pra një pozitë sunduese të privilegjuar nëpërmjet izolimit të Shqipërisë nga Europa. I dyti, të fshehi dështimet duke hyrë në një paradoks të pashoq dhe absurd, pra edhe të kërkojë të kapi gjoja parametra europiane, por edhe të pështyjë në drejtim të Europës dhe të institucioneve të saj, sa herë prej tyre merr një notë refuzuese dhe plot kritika për atë që pretendohet se është arritur.

Kemi ardhur gati në parametrat propagandistike të “Rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë”. Pra, në kufijt e paranojës politike. Izolimin tonë ndaj saj, ta shprehim sikur jemi të rrethuar nga armiq të jashtëm, të cilët po nxijnë dhe po diskreditojnë fitoret tona!!!

Sigurisht atë që propaganda e qarqeve antieuropiane në Shqipëri po e artikulon ku hapur e ku fshehur, e përvetëson edhe një pjesë e segmenteve të opinionit publik. Pse? Një pjesë prej tyre janë të lidhur me favoret e atyre që quheshin “skllevërit e shtëpisë”, pra që kishin një pozitë më të privilegjuar sesa të tjerët, por përsëri sjkllevër mbeteshin. Kurse pjesa tjetër shprehin frustracionet tona që të izoluar sikurse na ka lënë nga kultura dhe shoqëria europiane, kujtojmë se jemi në qendër të botës, pas çdo disfate ose thyerje të ndonjë ëndërre, na duket sikur dikush komploton kundër nesh.

Eshtë zakoni i mbrapsht që për cdo mungesë tënden të akuzosh tjetrin duke e gjetur fajin te ai.

Mê e keqja është se ky zakon i mbrapshtë e kjo propagandë e keqe paranojake shfaqet jo vetëm në propagandën politike, por edhe në interpretime që u bëhen ngjarjeve dhe rrethanave edhe në fusha të artit, kulturës, sportit, madje edhe duke përdorur për të manipuluar edhe artistë, sportistë, apo krijues të tjerë, të cilët, edhe ata, jo vetëm janë pa asnjë faj, jo vetëm janë viktima të politikave të mbrapshta të institucioneve, por përdoren edhe si mburoja për të fshehur politika menaxheriale të mbrapshta dhe me plot zona të errta që meritojnë në kohën e duhur të dalin në dritë.

Sukseset dhe talentet individuale të dikujt përdoren si mburoja për trafikun e interesave, për të fshehur pazotësinë, dhe një sërë privilegjesh me paratë publike ose jopublike.

Eshtë e turpshme që një korr i tërë propagandistik është ngritur kundër atyre vendeve europiane apo politikanëve europianë të cilët na thonë hapur se ende kemi probleme serioze për të pretenduar që kemi përmbushur parametrat tona të europianizimit për t’u pranuar në BE. Prapa shohim një komplot europian kundër nesh, ndërkohë që sistemi ynë i drejtësisë është në pikë të hallit, të drejtat qytetare të marra nëpër këmbë, administrata publike e mbushur me militantë, arsimi dhe shkenca në amulli të plotë, etj.

Edhe për kanabizimin e vendit dhe trafikun e lëndëve narkotike fajin e paska Europa.

Po për papunësinë? Ja, si në Europë!
Po për korrupsionin? Ja, si në Europë, nuk ka korrupsion Evropa?
Po për qytetet që po betonizohen? Ja si qytetet europiane, a nuk po na vlerësojnë me çmime arkitektët dhe urbanistët europianë?

Një propagandë e keqe fajëson, Europën, Perëndimin, presidentin Trump, BE, për çdo paudhësi që kryhet në vendin tonë dhe që nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë krahasim me atë që ndodh në Perëndim.

Përpara disa javësh kam shkruajtur se qarqe të ndryshme politike-financiare-mediatike në vend nuk e duan Europën dhe integrimin europian të Shqipërisë, janë pra antieuropianë dhe antiperëndimorë. Për arsyet që tashmë janë thënë. Prej tyre ka një hipokrizi kur shfaqen gjoja përpjekje të mundimshme për integrimin e shqipërisë në BE. Europën dhe Perëndimin e duan thjesht për shoping, turizëm dhe për të çuar fëmijën e tyre për shkollim. Ndofta edhe për të depozituar parà në bankat europiane. Këto qarqe bien në kundërshtim me ato përpjekje të sinqerta të një pjese tjetër pakicë politikanësh dhe elitash financiare, mediatike, kulturore, që e duan vërtet frymëzimin europian dhe perëndimor të Shqipërisë.

Sa herë vjen rasti, ky frymëzim antiperëndimor dhe antieuropian prej njerëzish që as ja kanë haberin e kulturës, historisë dhe qytetërimit europian, shpërthen hapur dhe infekton masa njerëzish që nuk arrijnë të dallojnë realitetin nga propaganda.

Dhe e gjitha kjo ndodh kur masa shqiptarësh emigrojnë në Europë, pra mirë a keq, e kanë idealin europian për një jetë më të mirë dhe i besojnë atij. Një shoqëri europiane jo vetëm që nuk i ka përbuzur shqiptarët, por për dy dekada i ka pritur, integruar dhe u ka dhënë fije shprese për të jetuar si njerëz.

Përjashtohet ndonjë klub për trukime ndeshjesh?
Komplot anglo-amerikan kundër Shqipërisë!
Kapet ndonjë sportist duke përdorur doping?
Komplot perëndimor kundër Shqipërisë!
Nuk merret vendi i parë në ndonjë spektakël muzikor, sikurse ngremë në ajër pritshmëritë tona, pavarësisht meritave që kemi?
Komplot anglo-amerikan, madje në bashkëpunim me qarqet sioniste, kundër Shqipërisë!
Se cfarë lidhjeje kanë shijet e publikut europian me politikat e shteteve europiane një Zot e di!

Paranoja shkon drejt absurdit dhe bëhet qesharake! Drama merr përmasat e një komedie!

“Morëm jo aq pikë sa donim sepse publiku europian nuk na do, sepse shqiptarët nuk i duan, sepse fqinjët perëndimorë tregohen komplotistë ndaj Shqipërisë dhe kulturës të saj.”

Mjafton të shohësh sa pikë morën vende nordike apo të mirëfillta të krishtera, perëndimore, europiane, shumë më poshtë prestacionit shqiptar, për t’u bindur që çdo gjë mund të ketë në klasifikim, por jo antishqiptarizëm nga Europa.

Kush bërtet se na ka rrethuar Europa?
Shihni përkthimet e autorëve europianë në shqip, dhe do të konstatoni izolimin tonë letrar.
Shihni sa filma të rinj europian shfaqen në kinematë dhe televizionet tona dhe do të shihni izolimin tonë në kinematografi.
Shihni sa grupe artistike dhe muzikore vijnë në Shqipëri për koncerte në muaj, dhe do të shihni si na kanë izoluar në muzikë.
Shihni sa universitete europiane të vërteta, ardhur nga Perëndimi, funksionojnë në Shqipëri, dhe do të shihni izolimin tonë në arsim.
Shihni sa biznese prodhuese europiane kanë logot e tyre në Shqipëri dhe do të shihni izolimin tonë në sistemin prodhues dhe të shërbimeve nga Europa.

Antieuropianizmi lokal shitet si komplot europiano-perëndimor, madje me përmasa sioniste, ndaj Shqipërisë.

Gjithçka për t’i shplarë trutë popullsisë, opinionit publik të brendshëm, ndërkohë që masa pafund të rinjsh nisen për në Europë për të rifilluar jetën e tyre atje, e kombi plaket, rrudhet, dobësohet.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Sali Bollati Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Foto shume treguese per MUNGESEN E PLOTE TE DINJITETIT KOMBETAR>
    Shikoni se si e kane zene greket “europiane” Shqiperine qe nga Janullatosi “shqiptar I metes” qe nuk di as fjalen FALEMINDERIT ne shqip. Pra ajo kurva plake per derisa e mban greqine me para te lypura vazhdon te tregoi me se miri se kush eshte prt Shqiperine

    Përgjigju ↓