OPINION

Sunioni dhe aleancat rajonale

07:30 - 15.05.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Më 11 maj në Sunion, atraksion i njohur turistik në skajin më jugor të Atikës greke u mblodhën 15 ministra të Jashtëm të Grupit të Visegradit,  homologët e tyre nga vendet anëtare dhe kandidate të BE-së të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Qipros si vëzhguese.




“Grupi i Visegradit” u krijua në vitin 1991 dhe përbëhet nga Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia, vende pararojë në fushën e integrimit Euro-Atlantik. Ky grupim i mirënjohur gjatë 28 viteve të fundit i ka dhënë mbështetjen e tij të gjithanshme Ballkanit Perëndimor dhe vendit tonë, sidomos për anëtarësimin në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Në vijim të takimit të tyre të parë në Budapest tetorin e kaluar, aty u diskutua me përparësi mbi domosdoshmërinë e përshpejtimit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në të gjitha fushat e sidomos në ato ekonomike. Ky takim ishte dhe një gjysmë “nxemje” në prag të samitit të BE-së së Sofjes të kësaj jave. Ndaj, e tepërt të zgjatemi në rëndësinë e këtij takimi apo dhe përfitimet e mikpritësve grekë, diçka normale në diplomacinë e sotme.

Është pozitive që vendi ynë ftohet dhe merr pjesë aktive në pothuajse të gjitha forumet dhe takimet e kësaj natyre. Krahas lëvizjeve dhe demarsheve të saj, diplomacia jonë duket se ka vlerësuar drejt edhe shqetësimet e ekspertëve përkatës, të shprehura dhe në faqet e kësaj gazete.

Për t’u shënuar në këtë drejtim është se për herë të parë vendi ynë së shpejti do të marrë kryesimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) me seli në Sarajevë, me sekretare të Përgjithshme, zonjën Majlinda Bregu, që deri tani mbahet nga Serbia.

Gjithashtu, më 19-21 qershor, kryetari i Kuvendit, zoti Gramoz Ruçi, në cilësinë e tij si Presidenti i radhës i Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi dhe në vijim të disa aktiviteteve të mëparshme do të drejtojë takimin e saj të rëndësishëm në Tiranë.

Në këtë kontekst, takimi i Sunionit konfirmoi krahas të tjerash dobinë e grupimeve rajonale të kësaj natyre si dhe kujdesin/sfidat përkatëse dhe në Ballkan.

Sepse dhe vetë BE-ja lindi dhe u zgjerua si një bashkim dinamik komunitetesh, segmentesh dhe grupimesh edhe mbi baza rajonale. Nevoja e këtyre aleancave ka dalë më në pah këto 2-3 vitet e fundit, kur BE po përballet me kriza serioze, kur po ndryshojnë rregullat dhe procedurat e saj të miratimit të vendimeve të ndryshme dhe kur shtete jashtë saj po tentojnë të shtrijnë ndikimin e tyre në Evropë dhe në Ballkan.

Një nga objektivat kryesore të grupimeve në fjalë, krahas konsulencës dhe oponencës konstruktive është përafrimi, kolaudimi dhe “kopsitja” e qëndrimeve përkatëse brenda BE-së, sidomos për projekte afatgjata e të integruara ekonomike, energjetike, infrastrukturore etj., mirëpo vlerësimi i tyre pozitiv nga strukturat e shumta dhe rigoroze në Bruksel kërkon përqendrim dhe koordinim të gjerë ndërshtetëror burimesh dhe forcash. Këtë e tregon qartë edhe Procesi i Berlinit me dinamikën, por edhe problematikën e vet jo të vogël, ndonëse ka angazhuar  “peshat më të rënda” evropiane.

Gjithashtu, nuk ka asgjë të keqe, madje është e nevojshme që këto grupime, zyrtare, informale apo dhe të përkohshme, të trajtojnë të njëjtën problematikë si dhe vetë BE-ja, të cilës ato i takojnë, por natyrisht pa tentuar ta dublojnë, ose zëvendësojnë atë për asnjë problem. Natyrisht, me devijimet dhe pse jo kundërshtimet e rastit, por që në analizë të fundit duhet të shpien në forcimin e rolit të BE-së dhe kohezionit të saj politik dhe institucional.

Aq e vërtetë është kjo, sa disa javë më parë, plot 9 vende anëtare të BE-së nga Evropa e Veriut kanë shprehur zyrtarisht hezitimet, rezervat dhe kundërshtitë e tyre lidhur me propozimet franceze për krijimin e Eurozonës dhe një ministri të përbashkët të Financave. Natyrisht, kjo është një “aleancë” e përkohshme vetëm për një ide apo paketë të caktuar, sepse pasi merret vendimi me shumicë, ai zbatohet “në frymë” dhe “në gërmë”.

Po ashtu, është normale që këto grupime të vijojnë punën e tyre, apo edhe të hyjnë në aleanca në formate të ndryshme, por transparente edhe pas aderimit në BE. Siç ka ndodhur me Beneluks – bashkimin ekonomik dhe doganor të Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut të krijuar qysh më 1944. Dihet tashmë pesha dhe roli pozitiv i tij si trinom themelues i NATO-s dhe BE-së dhe si “laborator dhe inkubator” i ideve dhe alternativave novatore i kësaj të fundit.

Grupim tjetër interesant përbëjnë vendet nordike, bashkëpunimi ndërmjet të cilëve shtrihet edhe në përfaqësimin e tyre diplomatik jashtë vendit në një godinë të vetme.

Ndërsa në vitin 1992 u krijua “Grupi i vendeve balltike”, që ashtu si fqinjët e tyre nordikë, ka vendosur bashkëpunim të rregullt me grupet e tjera që përmenden në këtë shkrim.

Në vitin 2015, sipas modelit disi të modifikuar të Grupit të Visegradit, Rumania, Bullgaria dhe Serbia, kjo e fundit si kandidate e avancuar për në BE, krijuan të ashtuquajturin “Grupi i Krajovës”, ku u shtua edhe Greqia. Krahas mbështetjes së Serbisë për anëtarësimin në BE, objektivi themelor i tij është nxitja dhe promovimi i projekteve të përbashkëta në fushën ekonomike etj.

Rasti më domethënës në rajonin tonë, këtë radhë me nxitjen perëndimore është Procesi historik i Berlinit me nismën personale të kancelares Merkel, të cilit i janë bashkuar Italia, Franca, Britania dhe Austria si dhe Kroacia e Sllovenia, si vende të rajonit. “Xhelozitë”  e rastit nuk kanë munguar edhe në këtë rast. Mirëpo në diplomaci situata është dhe shihet krejt më ndryshe, sepse ka shumë drejtime, përparësi, kriza dhe nevoja, ndaj dhe bëhet një “ndarje detyrash”, që nuk ka pse krijon xhelozi dhe pakënaqësi te vendet e tjera.

Lidhur me sa sipër, ekspertë dhe analistë kompetentë dhe të nderuar kanë shprehur me argumente droje, rezerva dhe dyshime, sidomos lidhur me krijimin e  ndonjë aleance tre apo katërpalëshe, ku vendi ynë deri tani nuk është ftuar të jetë palë.

Bashkohem tërësisht me shqetësimin e tyre dhe për nevojën e një kujdesi dhe syçeltësie të diplomacisë sonë në këtë peizazh të ngarkuar me aleanca, që jo gjithnjë janë bindëse e ca më pak efektive.

Megjithatë, pa rënë pre e paragjykimeve apo nxitimit në analizën e grupimeve të ndryshme, le ta themi se diplomacia jonë i ka burimet, kushtet dhe mundësitë për të parë në kohë se çfarë “gatuhet” në këto aleanca, për të shmangur efektet negative, por edhe  për të shfrytëzuar mundësitë që ato krijojnë, veç garancisë së madhe se aty janë disa vende anëtare të BE-së nga Ballkani Perëndimor, por edhe Italia me Slloveninë, ne jemi anëtarë në NATO dhe kandidatë në BE, kemi aleatë të fuqishëm dhe të njohur strategjikë; jemi të pranishëm, madje dhe kryesojmë, si në rastin e RÇ-së, forumet më të rëndësishme rajonale, ku falë dhe konektivitetit të jashtëzakonshëm, vështirë se mund të bëhet gjë fshehur për një kohë të gjatë; gjithashtu  me vendet në fjalë, përfshi edhe Serbinë, pavarësisht nga diferencat dhe problematika, jo vetëm jemi anëtarë në shumicën dërmuese të forumeve ndërkombëtare dhe rajonale, por me to kemi dhe zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe miqësore; mbi të gjitha, aspirojmë së bashku të anëtarësohemi në familjen e zgjeruar evropiane, duke kapërcyer të njëjtat sfida dhe kërcënime.

Lidhur me shqetësimin specifik për aleanca të kufizuara tre apo katërpalëshe, parë me realizëm dhe pa përjashtuar asgjë, ato janë të tilla sepse në projektet përkatëse përfshihen vetëm aktorët kryesorë dhe vendimtarë; po të zgjerohet më tej formati, atëherë mund të humbiste shpejtësia, funksionaliteti dhe për pasojë efektiviteti i projekteve në fjalë. Ndaj, bie fjala, nuk ka pse të mërzitet kush pse vendi ynë përfshihet aktivisht në një formati trepalësh bashkëpunimi me Italinë dhe Serbinë, ku ministrat e Jashtëm u takuan së fundmi më 27 shkurt në Beograd.

Së fundi, prania jonë në forumet shumëpalëshe dhe ato rajonale, siç ishte edhe rasti i takimit në Sunion përbën mundësi tjetër të madhe për të diskutuar e ngritur me partnerët tanë shqetësimet e rastit, kur diçka nuk shkon; natyrisht me realizëm, me taktin dhe kortezinë e duhur diplomatike.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.