OPINION

Decentralizimi fiskal dhe pushteti vendor

07:40 - 16.05.18 Sorina Koti
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Strategjia Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020 u hartua për të forcuar qeverisjen vendore, për të adoptuar procesin e decentralizimit sipas modelit të BE-së dhe për konsolidimin e parimeve të administrimit fiskal dhe politik të Njësive Vendore. Decentralizimi në thelbin e tij ka parimin e subsidiaritetit dhe përgjegjësinë e pushtetit vendor për të qenë sa më afër qytetarëve.




Me fillimin e zbatimit të Reformës Administrative Territoriale (2015), prioritet i është dhënë decentralizimit fiskal, por ende edhe sot nuk kemi rezultate të dukshme të tij. Decentralizimi do të duhej të sillte më afër problematikat e qytetarëve si dhe zgjidhjen më të shpejtë të tyre. Nga ana tjetër, procesi i decentralizimit do të fuqizonte më shumë qytetarin, pasi projektet e investimeve dhe shpenzimet do të ishin më të kontrolluara edhe nga vetë qytetarët. Por, procesi nuk është zbatuar në të gjitha qëllimet e hartimit të tij, si dhe shpërndarjen e plotë të kompetencave administrative dhe financiare të bashkive të reja. Realiteti në njësitë bashkiake të vendit është ndryshe. Aty mungon transparenca e investimeve dhe shpeshherë dëgjesat publike nuk merren në konsideratë.

Procesi i decentralizimit përfshin transferimin e pushtetit nga niveli qendror tek niveli lokal, si dhe rrit demokracinë dhe autoritetin lokal vendimmarrës. Decentralizimi rrit përballjen e autoriteteve vendore të zgjedhur me qytetarët, si dhe përgjegjësinë e PV për të menaxhuar të ardhurat dhe shpenzimet. Në këtë aspekt, decentralizimi fiskal do i detyrojë të zgjedhurit vendorë të kenë më shumë vëmendje ndaj komunitetit, nevojave të tyre dhe zhvillimit ekonomik afatmesëm e afatgjatë. Por, që ky proces të ketë sukses duhet që të garantohet në një nivel të ri, fuqia financiare dhe vendimmarrëse e autoritetit lokal. Deri tani, njësitë vendore nuk kanë pavarësi nga pushteti qendror, pasi iu mungojnë burimet e nevojshme financiare.

Decentralizimi fiskal do i detyronte bashkitë të ishin më efiçente në mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e shpenzimeve. Nga analiza e shifrave zyrtare vërehet se performanca e bashkive, veçanërisht në mbledhjen e të ardhurave, lë shumë për të dëshiruar. Realizimi i të ardhurave në nivel kombëtar nuk i kalon 30% të totalit të të ardhurave. Në kushtet kur bashkitë varen nga: transferta e pakushtëzuar (26.54%), nga transferta e kushtëzuar (35.34%) dhe nga FZHR (9.37%) atëherë mund të themi se procesi i decentralizimit nuk ka ndodhur plotësisht. Pushteti lokal me nivel të ulët të të ardhurave vendore është shumë i varur nga transferta e pakushtëzuar dhe transferta e kushtëzuar. Më poshtë shohim grafikisht edhe transfertat gjatë dy viteve të fundit.

(Burimi: financatvendore.al)

Gjithashtu, pjesa më e madhe e bashkive nuk ka mundësi dhe aftësi paguese për të marrë borxh nga sistemi bankar (kredi). Sistemi financiar nuk është ende gati për të financuar bashkitë, pasi rreziku në kreditim pa garanci nga qeveria qendrore konsiderohet akoma shumë i lartë. Bashkitë janë jashtë tregut të kapitaleve. Kjo do kërkonte një përmirësim të rregullores për huamarrjen vendore, ku bashkitë të rritin kompetencat e tyre si dhe aftësitë për të gjeneruar të ardhura edhe nëpërmjet shitjes së obligacioneve lokale. Por, nga ana tjetër, në kushtet kur borxhi i shtetit në fund të vitit 2017 llogaritej në 71.5% të PBB-së, kjo shifër ka tejkaluar normat e vendosura nga Traktati i Maastrichtit (60% e PBB), gjë që do të thotë se qeveria e ka më të vështirë mbështetjen si garantore e borxhit të bashkive, sepse do të duhej të konsolidonte më tej borxhin dhe deficitin.

Kështu që, kërkohet sa më shpejt aplikimi dhe zbatimi i plotë i procesit të decentralizimit, i monitoruar nga qeveria, për të shmangur problemet financiare, që mund të kenë bashkitë e vogla dhe bashkitë, që nuk mund të mbledhin dot të ardhurat e tyre vendore. Nëse nuk ndodh decentralizimi fiskal, atëherë bashkitë do gjenden përballë pamundësisë për të menaxhuar kompetencat e reja administrative. Shumë delegime përgjegjësish të reja, si ato në arsim, shëndetësi, bujqësi, transport etj., që iu janë shtuar kompetencave të bashkive të reja, nuk do marrin zbatim nëse ministritë përgjegjëse nuk transferojnë grantet e kërkuara. Kështu që një ndërthurje e të ardhurave do ishte më konsistente dhe efiçentë si për qeverinë qendrore, ashtu edhe për pushtetin vendor. Nga ana tjetër, pushteti qendror nuk i delegon kompetencat fiskale për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, që pushteti vendor ka. Atëherë, në këto kushte do rekomandohej një kontroll dhe monitorim i fondeve të alokuara nga ministritë përkatëse kundrejt pushtetit vendor. Auditimi dhe kontrolli i përdorimit të fondeve do të rritë efiçencën dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve lokale. Paralelisht me sa më sipër, do kërkohej ngritja e një sistemi të informatizuar, i cili do të lehtësojë evidentimin e gjithë familjeve dhe subjekteve private, që duhet të paguajnë detyrimet vendore.

Alokimi i fondeve shtesë dhe zhvillimi i investimeve do të rritë kapacitetet prodhuese dhe konsumatore. Por, kjo mbetet vullnet i qeverisë qendrore për të zhvilluar rajonet në të njëjtin nivel. Decentralizimi do rritë përgjegjshmërinë e kryetarëve të bashkive në përdorimin e fondeve dhe mbledhjen e tyre.

Për më tepër, zbatimi i plotë i procesit të decentralizimit do nxisë edhe bashkëpunimin midis pushtetit vendor, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Strategjitë e zhvillimit sektorial dhe rajonal do merrnin më shumë rëndësi nëse RAT do ishte hartuar për interes ekonomik dhe jopolitiko-elektoral. Zhvillimi ekonomik do ishte prioritet i ҫdo rajoni. Gjithashtu, përveҫ përpjekjeve për ta bërë pushtetin vendor të pavarur financiarisht, më e rëndësishme do të ishte edhe zhvillimi i teknikave dhe marrëdhënieve institucionale për të bërë procesin e decentralizimit lehtësisht më të prekshëm nga qytetarët.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Alqi Naqellari Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shumne mire. Po ne material nuk thuhet Sa eshte Koeficienti i decentralizimit Fiskal. Sipas llogaritjeve tona eshte me i ulet se ne Maqedoni dhe Shqiperia cilesohet si vend relativisht i centralizuar.

    Përgjigju ↓