BLUETOOTH

Nga Aurela Gaçe tek Orinda Huta, VIP-at dhe fiksimi pas palestrës

13:00 - 19.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Nga Aurela Gaçe tek Orinda Huta, ja figurat e njohura që kanë pasion të dytë sportet – Krosfit, tendenca e fundit e njerëzve të famshëm për të qenë në superformë




Ditët e sotme mund të themi se nuk është vetëm arsyeja e të qenurit “in” apo në superformë për të ndjekur një palestër apo një sport të caktuar. Shumë prej njerëzve i ndjekin ato për të pasur një trup të shëndetshëm, për arsye mjekësore, apo edhe për pasion apo antistres. Por një gjë të tillë duket se nuk e shohim tek të gjithë VIP-at tanë. Është mëse e dukshme se “sporti” më i preferuar i tyre kohët e fundit është krosfit. Disa prej tyre e ndjekin për të pasur një trup sa më të formuar e gati për një verë super të nxehtë, të tjerë e ndjekin sepse është tendenca e fundit e të gjithëve, ndërsa të tjerë e kanë pjesë të pandarë të përditshmërisë së tyre, duke e quajtur ndryshe edhe pasion të tyre. Më poshtë do t’ju listojmë disa nga VIP-at tanë, të cilët kanë zgjedhur krosfitin, palestrën apo edhe sporte të tjera, të cilat i ndjekin në kohën e tyre të lirë. Pasion, tendencë apo thjesht rutinë e detyrueshme, këtë gjykojeni edhe ju.

Aurela Gaçe

Përveçse njihet për fuqinë e saj të pashterueshme në skenë dhe zërin potent, Aurela është një “fanse” e “çmendur” e palestrës. Nën vëzhgimin e trajnerit të saj personal, këngëtarja nuk harron të jetë aktive edhe në sporte të ndryshme si kikboks. E ku do ta çojë të gjithë atë energji Aurela, duke qenë se nuk do të qëndrojë 24 orë/24 në skenë.

Bora Zemani

Listës së gjatë të ndjekësve të sportit më të njohur dhe më të ndjekur nga VIP-at, iu bashkua edhe moderatorja e sportit, Bora Zemani. Vetëm një javë më parë Bora filloi të ndjekë rregullisht krosfitin nën mbikëqyrjen e trajnerit të saj. Edhe pse s’ka nevojë për t’u dobësuar për shkak të trupit super në formë, Bora mbase ka dashur vetëm të ketë një trup sa më të tonifikuar për këtë verë.

Afërdita Dreshaj

Pavarësisht se është e ngarkuar me planet për martesë, ku në fund të qershorit do të kurorëzojë dashurinë e saj me të fejuarin çek, këngëtarja kosovare nuk e lë pas palestrën. Për të pasur një trup gjithnjë në formë dhe të tonifikuar, modelja dhe këngëtarja Afërdita Dreshaj frekuenton rregullisht palestrën së bashku me bashkëshortin e ardhshëm.

Rudina Dembacaj

Krosfit dhe vetëm krosfit. Një tjetër ndjekëse e devotshme e këtij sporti është edhe aktorja e njohur Rudina Dembacaj. Shumë vullnet dhe dëshirë për të pasur një trup të shëndetshëm e bëjnë aktoren ta frekuentojë palestrën, duke mos harruar të përditësojë edhe ndjekësit e saj me ushtrimet që bën aty.

Orinda Huta

Kjo verë do të jetë vërtetë e nxehtë, por VIP-at tanë nuk duan t’ia dinë. Bukuroshja bionde, Orinda është një tjetër krosfit-dashëse. E pse të mos ketë një trup të tonifikuar pas takimeve të herëpashershme në palestër? Një tjetër trup superseksi do të jetë ai i Orindës, që do t’i shtohet listës së VIP-ave në plazh për këtë verë.

Irena Kita

Ajo njihet jo vetëm si një frymëzim për shijen e hollë që ka në veshjet e saj dhe stilin që shfaq si blogere në “Instagram”, por gjithashtu një pasion i saj i hershëm është edhe tenisi. Irena Kita është një ndër femrat shqiptare, e cila është e dashuruar me këtë sport dhe kjo vihet re edhe tek vajza e saj, e cila e ka trashëguar këtë pasion. Çdo verë vjen me një trup super të tonifikuar, edhe këtë s’ka si të jetë ndryshe për Irenën.

Ilda Bejleri

Dhe radha shtohet gjithnjë e më shumë! Krosfit e asgjë me shumë! Bukuroshja e “Supersport”, Ilda Bejleri, është një tjetër ndjekëse e këtij lloj sporti, të cilin ajo ka zgjedhur për të pasur një trup sa më seksi për verën e këtij viti. Mbase jo vetëm kaq, mbase nuk është qëllimi vetëm sa ta kalojë vera për ta ndjekur këtë sport. Le të shohim sa do të zgjasë pasioni i saj.

Dafina Zeqiri

Mund të themi me plot gojë që këngëtarja e njohur kosovare është e “fiksuar” pas palestrës. Kjo vihet re shumë lehtë nga format superseksi të këngëtares nga Kosova. Ajo dallon jo vetëm për pasionin e madh që ka për muzikën, tatuazhet, por edhe për palestrën. Çdo postim i Dafinës është superprovokues dhe shumë sensual. Një vullnet i hekurt, i cili është kthyer në pasion ndaj palestrës, i kanë dhënë këngëtares një trup shumë seksi.

Linda Halimi

Dhe e fundit e listës, por jo më pak e rëndësishmja, është këngëtarja e njohur Linda Halimi, e cila bëri bujë me shndërrimin e saj drastik të trupit në forma bombastike. Një tjetër rezultat i vullnetit të hekurt dhe mbështetjes së partnerit të saj, i dhanë asaj një trup që ditët e sotme të gjithë e kanë zili. Forma bombastike, të cilat këngëtarja nuk harron t’i shfaqë para kamerës dhe nëpër rrjete sociale, të gjitha janë falë një diete shumë strikte dhe ushtrimeve të rregullta në palestër. Shembull për t’u ndjekur!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.