Kryesore

Arkitekti Arben Biçoku: Piramida, pse jo një bibliotekë Kombëtare?

12:10 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Intervistoi Ben Andoni – Piramida po shndërrohet në një qendër multifunksionale ashtu si në Tiranë janë zhvendosur në kohë të ndryshme shumë nga objektet e dikurshme. Për ekipin e ri të Bashkisë, ky quhet një novacion, por për Tiranën është humbja e një simboli të jashtëzakonshëm, që mund t’i shërbente Shqipërisë me atribute të tjera shumë më simpatike…




Z. Biçoku, ju e njihni më së miri historinë e arkitekturës në Shqipëri, së bashku me transformimet nga epoka në epokë. Sipas jush cila do të ishte qasja më e mirë për përcjelljen e bashkëkohores dhe futjen e modernes në arkitekturë duke ruajtur njëkohësisht edhe traditën?

“Arkitektët në çdo epoke kanë tendencë të bëjnë arkitekturën e epokës të tyre, të përqafojnë të renë. Edhe arkitekturat e epokave të shkuara që ne trashëgojmë kur janë realizuar kanë qenë modernë për kohen e tyre.
Sot nëse hedhim vështrimin çfarë realizohet do të gjejmë edhe shembuj shumë të mire të zhvillimeve arkitektonike, siç gjithashtu mund të gjejmë me shumicë shembuj që na vrasin sytë dhe që aspak nuk mund të përmenden për mire. Arkitektura është një fenomen shoqëror, jo thjesht një fenomen individual. Dhe përparimi i saj ka të bëjë shumë edhe me mendësinë shoqërore, me nivelin ekonomik të vendit, me mënyrën si drejtohet administrata politike, etj.

Nëse do me pyesnin çfarë çalon sot, unë do thonja respektimi i mendimit të shtresës së urbanistëve dhe arkitektëve. Do duhej që administrata ti merrte me tepër parasysh idetë e tyre. Gjithashtu dhe shoqëria duhet të kultivohet me tepër në drejtim të asaj që quhet arkitekturë e mire. Të mos harrojmë që ALUIZNI ka raportuar që pranë zyrave të tij janë vetëdeklaruar rreth 470.000 ndërtime pa leje. Këto ndërtime që për kohen janë kryer në shkelje të ligjit, sigurisht që dhe raportin me cilësinë e arkitëkturës në një mase të madhe e kanë për të dëshiruar.

Tendencat e arkitekturës së sotme, përveç funksionalitetit dhe estetikës, në nivele më të mira se me përpara, karakterizohen dhe nga një trajtim më miqësor me mjedisin, nga një efiçencë shumë më e lartë energjitike, etj. Sot arkitektët bëjnë kujdes ti termoizolojnë sa më mire mbështjelljet e jashtme të ndërteses, si kur janë mure, duke i termoizoluar, po ashtu dhe kur janë xhama, duke i trajtuar me xhama speciale me përcjellshmeri të ulet termike. Arkitektët gjithashtu bëjnë kujdes që vetë ndërtesa të jetë prodhuese e energjisë, përmes paneleve fotovoltaike, përmes paneleve diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë, apo formave të tjera të kapjes se energjisë së erës, ajrit, etj. Përparimi i teknologjisë dhe prodhimi i një game të gjerë materialesh veshëse industriale gjithashtu është një gjë që ka gjetur mjaft aplikim”.

Cila do të ishte “prerja e artë”, si të themi, e raportit simbiotik midis tradicionales dhe modernes në arkitekturë, dhe cila është përvoja, përfshirë arritjet a gabimet tona në këtë drejtim?

“Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është një formule e gatshme, që duke e thënë mbaron punë. Unë besoj se një arkitekt i mirë duhet ta njohe shume mire traditën. Mendoj gjithashtu që arkitektura është kontekstuale, bëhet sipas kushteve të mjedisit ku ti e propozon ndërtimin, pra duhet të marrë mirë parasysh se çfarë ka përreth. Por ndërkohë arkitektura është në vijimësi në një tendencë ndryshimi dhe përparimi.

Nuk është një fenomen që rri statik në vend dhe nuk lëviz. Mua personalisht kur me është dashur të projektoj në zona historike, p.sh. në qytetin e Beratit, brenda lagjeve muzeale të tij, kam respektuar mënyrën tradicionale të konceptimit të ndërtesave, gjuhën që vinte nga banesat monument kulture të vendosura në mbrojtje. Ka vende të tjera, ku elementët e traditës nuk e dominojnë ambjentin e ndërtuar, p.sh. Tirana, ku ti ke shkallë më të madhe lirie për të propozuar një estetike me novatore. Sigurisht që edhe gabime gjen plot në ketë dinamike të shpejtë të zhvillimeve të qyteteve tona. Kjo dhe për faktin që tek në nuk ekziston një kritike e mirëfilltë arkitekture, nuk bëhet një debat qytetar për produktin arkitektonik”.

Ka një vëmendje të stërmadhe ndaj zhvillimeve në Tiranë, ndërkohë që marrëdhënia, ta quajmë fluide, midis tradicionales dhe modernes në ndërtime dhe arkitekturë haset kudo në Shqipëri. Ç’mund të na thoni ju për këtë raport në qytete të tjerë të vendit, si p.sh. në Korçë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Sarandë, etj?

“Qytetet tona kush me shumë e kush me pak kanë trashëguar në kohë një arkitekturë tradicionale. Por zhvillimet demografike shpesh kanë bere që mbivendosja dinamike e ndërtimeve të reja të zhdukë trashëgiminë e arkitektures tradicionale. Qyteti i parë që u përplas me ketë demografi dinamike zhvillimi që Tirana e pasluftës se dytë botërore.

P.sh. në listën e humbjeve hyjnë ndërtimet e Pazarit të Vjetër, por edhe ato me të reja si ndërtesa e Bashkisë. Tirana u ripërplas me ketë fenomen edhe pas viteve ’90 duke humbur shume nga kualitetet e saj tradicionale, dhe sidomos shumë ndërtime që i përkasin viteve ’30, në formën e vilave kryesisht. Ka qytete që e kanë ruajtur relativisht mirë një pjese të ndërtimit të tyre tradicional, do përmendja Korçën, Shkodrën, dhe sigurisht Beratin dhe Gjirokastrën. Unë mendoj që në duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj trashëgimisë dhe respektimit të saj”.

Pse pushteti lokal, sidomos ai që lidhet me qeverisjen socialistë e ndjen vetën më të fortë për të bërë ndryshime, qoftë dhe pa marrë aprovimin e publikut?
“Pyetje interesantë kjo. Nëse vërejmë sjelljen politike të periudhës së tranzicionit do shohim që në nuk para e kemi qejf pyetjen e publikut, nga asnjëri nga krahët e politikes, as nga e djathta as nga e majta, pra nga klasa politike në përgjithësi. Në ketë vend mungojnë si referendumet kombëtare po ashtu dhe ato vendore. Ky është fenomen politik, dhe prek të tëra fushat e jetës, jo vetëm arkitekturën dhe ndërtimin.

Ndërkohë nëse vërejmë qeverisjen e sotme socialistë, krahasuar me atë të mëparshme të demokratëve vërejmë një ndryshim se ku po destinohen investimet publike. Ndërsa qeverisja socialistë është përqendruar në investimet që sjellin përmirësime në qytete, duke futur ketu si infrastrukturën po ashtu edhe fasadat e ndërtesave, sheshet publike, objektet shoqërore etj., qeverisja demokratë ka qenë e përqendruar me shume në investimet infrastrukturore interurbane, kryesisht në rrugët kombëtare.


Në të dy rastet kontaktet me publikun përgjithesisht janë veç në fushatat elektorale.
Gjithsesi tentativa e qeverisjes se sotme për tu marre me një mirërregullim të qyteteve për mua është për tu përshëndetur”.

A mendoni se kuadri ligjor ka mangësi, ka tej përqendrim kompetencash tek ekzekutivi qoftë në nivel qendror dhe vendor, që mund të duket edhe tek anashkalimi i mendimit të komunitetit, apo mungesës së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje?

“Unë mendoj se i gjithë sistemi ynë politik ka difekte. Filluar që nga kushtetuta. Mbase kjo ngaqë ne jemi një demokraci e re dhe larg të qënit perfekte. Ne kemi një sistem politik ku dominon vullneti i kryetareve të partive, por ku politikanët e tjere nuk kanë shume shkalle pavarësie. Unë si qytetar nuk kam mundësi të votoj për deputetin që më pëlqen, për këshilltarin bashkiak që më pëlqen. Duhet të zgjedh veç siglën e partisë që preferoj. Pra kthehemi në një sistem që kanë rëndësi dy njerëz, ai që është në krye të PS dhe ai që është në krye të PD. Të tjerat janë me pak të rëndësishëm. Ky nuk është një sistem i përsosur demokratik. Ndërkohë kjo si metode zbret edhe me poshtë duke pasur një sistem që gjithnjë vendimmarrja diktohet nga lart, dhe politika është me e pandjeshme për sinjalet që vijnë nga poshtë”.

A nuk ju duket se ka ardhur koha të flitet për boshllëkun ligjor për referendume vendore?
“U shpreha me lartë për ketë. Nuk besoj se në vetvete kemi mangësi në ligj për sa i përket referendumeve. Thjesht kemi ngritur një sistem politik i cili në vetvete ka nevojë për korrigjime. Dhe besoj se është mënyra e sjelljes se vetë politikes ajo që ka nevojë të përsoset më tepër se sa ligjet”.

Të kthehemi tek kryeqyteti. Ka një shqetësim të ligjshëm qytetar se hapësirat dhe ndërtesat publike, madje me rëndësi mbarëkombëtare, janë lënë në harresë, u ndërrohet destinacioni, ndërkohë që institucione thelbësore të dijes, librit dhe analogjisë vuajnë nga mungesa e mjediseve, investimeve etj. Kritika janë hedhur, për shembull, për një VKM të qeverisë që ia kaloi pronësinë dhe administrimin e ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës [QNK] për tek Bashkia e Tiranës. A mendoni se QNK-ja do të mund apo duhej të ruhej dhe të transformohej në një Strehë të madhe dhe të mirëfilltë librit, kulturës dhe studimeve mbarëkombëtare shqiptare për Mijëvjeçarin e Tretë?

“Unë personalisht do mund të listonja plot gjera që nuk shkojnë siç unë do dëshiroja. Kjo pak rëndësi ka. Një pjese të problematikes e shprehet edhe ju. Veç tyre ka dhe gjera të tjera që nuk shkojnë. Duke u rikthyer tek ndërtesa e ish QNK, mendoj se ajo është një ndërtese që e ka fituar qytetarinë e saj, dhe për me tepër karakterin e saj, që duhet të jetë një karakter kulturor. Në se do ishte më mirë të funksiononte? Këtu idetë janë të ndryshme, dikush e mendoi teatër (dhe u bë një projekt për ketë e u benë edhe punime), dikush strehë të librit, dikush muzeum (që në fakt është dhe destinacioni për të cilën ajo është projektuar). Për mua është e rëndësishme që ajo të jetë një qendër kulturore. Dhe atë shumëkush e mban mend pikërisht si qendër kulturore multifunksionale, mjaft njerëz kujtojnë aty Rinfestët e rinise se tyre. Mbase dhe një diskutim me publikun këtu do të kishte vlere. Fare mire ajo hapësirë mund të kthehej edhe në funksion të Bibliotekës Kombëtare e cila vijon prej kohesh të vuaje ngushticën dhe mungesën e ambjenteve të nevojshme”.

A nuk po modifikohet krejt simbolika urbanistika e Tiranës me kullat që po mbijnë në çdo vend?

“Unë do ju bënja kundërpyetjen, cila ka qenë simbolika e Tiranës? Tirana ka qenë në një zhvillim të vazhdueshëm. Dhe përveç shtrirjes horizontale në territor, është synuar edhe shtrirja në vertikalitet. Përshembull Hotel “Tirana” në sheshin “Skënderbej”, me lartësinë e tij prej 15 katëve, realizuar në vitet ’70 ka qenë një përpjekje për shtrirje vertikale. Të mos harrojmë që minarja e xhamisë së Et’hem Beut, dhe Kulla e Sahatit të Tiranës, u sfumuan si imazhe të para nga rruga e Durrësit, apo qoftë dhe nga sheshi Skënderbej, që me realizimin e ndërtesës që quhet Torre Drini në mesin e viteve ’90. Unë di që siluetës se humbur tashme të Tiranës është synuar ti behet një siluetë e re në vertikalitet. Kjo ka qenë domethenia e miratimit të studimit urbanistik të qendrës së Tiranës në vitin 2004, atij që quhet në zhargon plani Francez.

Personalisht nuk e quaj të gabuar.
Unë si arkitekt nuk jam kundër kullave. Ajo që personalisht do doja të ishim të kujdesshëm, janë intensitetet e ndërtimit. Shoh se fundmi tentativa për intensitete ndërtimi që janë të mëdha. Personalisht do isha kundra një shfrytëzimi shume intensiv”.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Intensiteti po, eshte teperuar, dakord edhe me kullat tanime , por te kompozuarA mire vetem ne horizontin relativisht te gjere te qendres sic e percakton unaza e hyre ne funksion sefundi. Pikerisht Torre Drin, i dha grushtin e pare ketoj lloji rrethimi te kujdesshme, per dy arsye 1) shume afer Xhamise dhe Sahatit, duke bezdisur kete kompleks qe kerkonte vetem Dajtin si sfond, 2) Me ballkone e xhingerima, e jo ai volum i paster qe kerkohet ne vende qe bien ne sy. Ballkoni eshte element utilitar, por teresisht anti-estetik, per kedo qe shijon nje peizazh qytetar qendror. Kulla misterioze ne Rrugen Ibr.Rugova, origjinale, bile unikale, por vendosur ne menyre arrogante (8 apo 10 metra perpara fasades ekzistuese te kesaj rruge . Nuk bejme dot nje par sembari. Le te shohim se si do te plotsohet ky horizont qe do te rrethoje qendren, dhe qe do te perligjin njera tjetren, mes tyre dhe objekteve me te ulta .

    Përgjigju ↓