MILOSAO

“Ditë-netët e librit” nis rrugëtimin drejt traditës

15:00 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Staff Milosao – Përgjatë katër ditëve, duke filluar nga dita e enjte dhe duke përfunduar të dielën, Klik Ekspo Klik në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Bashkinë e Tiranës dhe Muzeun Kombëtar kanë zhvilluar me sukses aktivitetin Ditët-netët e Librit. Në pothuaj 60-70 aktivitete të zhvilluara, lektorë të ndryshëm, shkrimtarë, publicistë, njerëz të arteve figurative kanë shpalosur aktivitetin e tyre në një zhvillim model për qytetin. Muzeu Kombëtar është munduar që me infrastrukturën e vet të ndihë sa më shumë në të gjithë këtë proces, duke e përshtatur me kërkesat sipërore të Klik Ekspo Klik që ka një traditë të këndshme në krijimin e aktiviteteve të tilla.
Në këtë aktivitet, autorë si Bashkim Shehu, Stefan Çapaliku, Ledi Shamku Arian Leka, Kim Mehmeti, Çun Lajçi, Edmond Tupja, Nonda Varfi, Najada Hamza dhe shumë përkthyes dhe publicistë kanë referuar para publikut, por edhe kanë sjellë përvojat e tyre, duke dhënë sqimën e një aktiviteti të domosdoshëm për kryeqytetin. Në një gjetje shumë interesante me projeksione të ndryshme, karikaturat, letrat e dashurisë , spanjollët, ceremonia e çmimeve ilustratori më i mirë, dhe shumë aktivitete të Arkivit Qendror të Filmit, ka pasur një afrim të këndshëm për publikun, që është kureshtuar me zgjedhjen dhe realizimin. Në këtë aktivitet ka pasur një pjesëmarrje të gjerë nga Kosova, autorëve të së cilës i janë interpretuar poezi nga Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rexhep Hoti dhe Ismail Syla. Bashkëbisedimet e shkrimtarëve kanë tërhequr shumë publik, kurse elementë interesantë ka pasur me sfilatën “Libër & Letër” të Akademisë së Arteve nga Prof. Najada Hamza. Arian Leka realizoi me sukses një aktivitet kushtuar letërsisë ballkanike dhe njerëzve që e bëjnë atë në vendin tonë.
Një temë interesante ka zbërthyer në hullinë e saj Iris Elezi që ka folur për idenë nëse “Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Zyrtarja është munduar të rrëfejë aportin mes librit dhe filmit, e mandej, edhe vetëshndërrimit që pëson libri kur bëhet film. Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit e ka drejtuar bisedën e saj me studentë të Artit Skenik, kritikë arti, skenaristë dhe studentë të Gjuhë-Letërsisë. Në aktivitet ka pasur një veprimtari për Kadarenë duke marrë shkas nga vargjet e proza lirike. Ndërkohë që autorët e këtij aktiviteti kanë menduar dhe për një temë interesante si libri “Dashuri në moshën e Krishtit”, ku si shembull është marrë letërkëmbimi mes Dritëro dhe Sadije Agolli me temën: A ka më Letërkëmbim dashurie në moshën e “Fast-Textit”? Por gjeografia e aktivitetit ishte jashtëzakonisht e madhe dhe e larmishme.





Seksionet kryesore ishin:
1. BOTIMET:
Në këtë edicion të parë morën pjesë disa nga botuesit më në zë të vendit, të cilët përzgjodhën sezonin për të promovuar titujt dhe autorët e rinj, që e kanë bërë përmes një fushate të përbashkët, ku shumë më tepër sesa e veçanta dhe personalja, është kremtuar “Libri, leximi dhe krijimtaria” në një pamje më këndgjerë. Risia ishte se në këtë aktivitet nuk kishte pjesëmarrje vetëm nga Shqipëria por edhe prej Kosovës që ishte e pranishme, e madje dhe prej Botuesve Arbëreshë dhe të Rajonit të Puljas në një mobilizim të vërtetë të përçimit të vlerave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në këtë vit të rëndësishëm.
2. PARA DHE PAS LIBRIT:
Nga njëra anë shtypshkronjat dhe tipografitë sollën teknologjitë e reja të shtypit, dhe nga ana tjetër Libraritë e Bibliotekat tradicionale apo online treguan ndikimin në hartën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së librit më pranë lexuesit.
3. ARSIMI:
Nxitja e leximit, mënyrat e reja të mësimdhënies, lidhja me letërsinë dhe artet nga bankat e shkollës deri në nivelet e perfeksionimit profesional.
a) Nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Shkollat e Mesme të Tiranës, ato profesionale dhe me orientim gjuhësor dhe artistik;
b) Shtëpitë botuese të teksteve shkollore propozuan titujt e rinj përkrah dhe letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë;
c) Universiteti i Tiranës ishte i pranishëm përmes projekteve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe atij të Gazetarisë, si Institucioni që gjeneron profesionistët e ardhshëm të përkthyesve, studiuesve, kritikëve, gazetarëve e autorëve.
d) Kompanitë vendase dhe të huaja propozuan platformat e reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies, si shkollat audiovizuale (shembull SchoolMe Education), qendrat profesionale të kurseve të gjuhëve të huaja.
4. EKSPOZITA:
Hapësira kushtuar ekspozitave dhe arteve vizuale pati të dyja anët e medaljes, si ato të performimit live të ilustrimeve, kaligrafisë, animacioneve, ashtu dhe Ekspozita virtuale (përmes animacioneve), dhe Ekspozita statike dedikuar Kopertinave dhe posterave më domethënëse, Karikaturave, instalacioneve me vegla muzikore, Krijimeve për Skënderbeun parë nga këndvështrime të artistëve të ndryshëm, të rinj e të afirmuar.
Fakulteti i Arteve Pamore përshfaqi talente të rralla që ndërthurin krijimet vizuale me botën e botimeve, librit, kopertines, fonteve të germave të krijuara për herë të parë etj.
5. SKENA MULTIMEDIALE:
Kalendari i eventeve shoqëruese ishte i krijuar në mënyrë të tillë, që askush të mos ndihej spektator por të përjetonte në vetë të parë pasditet letrare, takim e shtrëngim duarsh me autorë e personalitete. Veprimtaritë kryesore u organizuan në Skenën multimediale në oborrin e brendshëm të Muzeut, po aq sa dhe në stendat e ekspozimit, sallat e brendshme të konferencave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.