MILOSAO

I dënuar me liri

14:00 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Faruk Myrtaj – Kishte ndodhur përmbys ja e radhës por ne, dëshmitarë të përmbysjeve të mëhershme, rrinim përsëri bashkë.
Një pedagog autoritar i ideologjisë së qeverisë së sapo-rrëzuar, kryeredaktori i gazetës së pakicës që sapo kishte fituar shumicën, shkrimtari që duke qeshur thoshte se kurrë s’kishte lidhur ndonjë kontratë me popullin që të ishte edhe njeri i mirë, uleshim aty, tek majëkodra prej ku dukej si në pëllëmbë të dorës Sheshi i Lirisë, me Monumentin e Heroit Kombëtar në mes, dhe përpiqeshim të bënim sa më shumë gallatë me atë që thuhej se ndodhte. Në të vërtetë, edhe kushdo tjetër që ishte i ngeshëm, mund të vinte të ulej me ne, të pinte një birrë falas nga më i Kamuri i Kryeqytetit, që ishte i sigurtë se ai do të mbetej më i pasuri, edhe më tej, pra kushdo aty mund të gëzohej për çfarë kishte ndodhur. I vetmi kusht, vendosur nga pronari i lokalit aty, ishte të mos ndërprisnim tjetrin që fliste dhe të mos ngrinim zërin…
Atë pasdite ishte njoftuar një tjetër Miting i Madh i Opozitës së Gjerë. Asnjeri nga ne s’kishte ndërmend të shkonte.
Atje tej, në rrugë, siç e prisja, u duk të nxitonte ai. Ishte Qaniu. Qani Delvina, ish-i burgosuri politik që unë e doja shumë.
Unë e dija, por edhe të tjerët në atë tavolinë verore aty në anërrugë, e kishin dëgjuar nga unë që Qaniu më në fund ishte njeri i lirë. As që ia vlente për të të përmendnim se për 22 vjet me radhë ai kishte qenë në burg. Madje, asnjë keqardhje nuk pranonte Qaniu që, pas atyre 22 vjetëve burg, pikërisht ai, në pushtetin që erdhi më pas, ai të punonte në përgatitje betoni.





“Për ku me kaq ngut, Qani?”
“Për ku tjetër?! Atje e mbaj frymën unë!”
“Hajde merre një lëng të ftohtë, më parë…të lutem!”
“Të më falni, por s’dua të vonohem…Po të jeni aty, kur të kthehem, vij edhe unë…”
Nuk na e merrte për të keq, që ai shkonte atje dhe ne nuk bashkoheshim me të.
“Nuk ka nevojë të ta kujtoj përsëri se…?!”- bëra ta ngacmoja unë.
“Jo jo…! E di unë ç’do më thuash. Por të gjithë ju aty duhet të ma kujtoni se edhe për 14 vjet, dy muaj e trembëdhjetë ditë të tjera nga sot, unë do isha akoma në burg. Nisën këto mitingje, që dola para kohe unë…”
Qaniu e dinte se në këto mitingje e merrnin fjalën njerëz asnjeri prej të cilëve nuk kishte qenë në burg me të. Në 22 vitet e burgjeve të tij ata s’dinin fare që në këtë vend kishte burgje, dilnin edhe në Evropë, por Qaniu s’e kishte problem lirinë e tyre dikur. As donte të dëgjonte këto gjëra. S’kishin të bënin me të. E rëndësishme ishte që ai vetë, tashmë, ishte i lirë.
“Vërtet punoj në përgatitje betoni, por pasi mbaroj punë kthehem në shtëpinë time, jo në birucë…!”
“Po ata …”
“Ç’punë kam unë me ata. Ata janë në tribunë, për qejfin e tyre, ata. Unë jam atje poshtë, në sheshin e madh…Vetëm atje, në mes asaj turme që gjëmon e buçet, jam edhe unë. Shaj sa dua e kë s’dua, e ngre zërin në kupë të qiellit, më mrekullon idea se nuk më përgjon kush dhe që s’do t’ja dij njeri për mua…dhe ajo që thamë: unë mund të isha ende në burg, vëlla…!”
Qani Delvina na përshëndeti me valavitjen në ajri të dorës tërë flluka kallosh të hershme dhe bëri për nga Sheshi i Lirisë.
Nxitonte. Në tribunë ia kishin filluar fjalimeve, dhe turma atje poshtë ngazëllente.

Këpucë për Gjyqin e Fundit

Ishte njeri nga ne që po arrinim fitues në fund të Luftës. Elham e quanin.
Në prag të më-të-fundmes betejë, të gjithë mendonim se fitore kishte qenë shumë e shtrenjtë. Dukej shkoqur për të gjithë se ne mbaheshim fitues thjesht se po dilnim gjallë nga dimri. Këtë e pranonim të gjithë, me sinqeritet, e thoshim për veten, por edhe me ndokënd që e besonim si veten. Atëbotë, s’e merrnim vesh çfarë na pengonte ta thoshim hapur, edhe pse tërë kohën ishim mes njerëzish me të cilët kishim fituar tërë ato beteja. Askush nuk na kishte porositur, aq më pak urdhëruar, të mos e flisnim çfarë ndjenim, por ne silleshim pikërisht si të tillë.
Elhami, thjesht, diçka të tillë kishte thënë. Jo me fjalë si tonat. Gjuha e tij ishte tjetër. Ku e ku më e lartme. Gabimi i tij qe se, atë që ne të tjerët e thoshim “midis nesh”, Elhami e kishte thënë me zë:
“Kush e merr vesh çfarë lufte do nisim pas fitores së fundit!”
Këtë kishte thënë ai njeri, sikur të vazhdonte të na rrëfente për librat e bukur që kishte lexuar përpara se të bashkohej me Luftën. Sa herë e hapte gojën ai, e ndiqnim me sy. Ia rrëmbenim fjalën nga goja, na e bënte lodhjen ëndërr dhe përpara çdo beteje na thoshte se e kishim të fituar atë përderisa e bënim për njeriun.
Nuk e morëm vesh kurrë, se kush dhe përse ia morën për keq këto fjalët e fundit. Këto fjalë, sikur ta kishte ditur, vërtetë i mbetën të fundit…
Do t’ja kenë dëgjuar allasoj, kush e di se si, thamë ne atëbotë. Por nuk pyetëm se si e përse ia morën për të madhe.
Nuk pyetëm as kur e veçuan nga ne, në orën e fundit, përpara betejës së fundit.
Nuk ta duam luftën tënde, i thanë, u dorëzove para betejës ë fundit, disfatist, i thanë…
Më keq akoma, kalove kundër, i tha Dori I Madh. Gjyqi Ynë të Dënon me Vdekje…Në Emër të Popullit!
Vendimi kishte formën e prerë, ekzekutimi duhej kryer menjëherë, para se të niseshin për betejën e fundit, sikur vërtetë populli kërcënohej prej fjalëve të Elhamit. Akuza ishte aq e rëndë, sa Elhami nuk e hapi më gojën.
E morën, duarlidhur, e vunë përpara, në sy tonë. Fill pas tij, skuadra e pushkatimit kaloi në anën e pasme të kodrës.
Tërë ne aty, me sytë tëposhtë, vazhduam pastrimin e armëve.
Vonë fare, dikush prej dëshmitarëve mbetur gjallë, rrëfen zë-ulët se Elham Mezini përpara skuadrës së pushkatimit i kishte mbushur sytë me lotë. Sikur…s’kishte ku ta gjente një armik atë moment, të vritej prej tij…
Këto, u thanë tani së fundi. Lufta ka dekada mbaruar. Po ndodhë ripërtypja. Ka ardhur hera të pyesim nëse fituam apo humbëm. Ata që jane ende gjallë prej skuadrës së pushkatimit mbajnë mend Elhamin dhe Dorin e Madh. Të dy, për shkak të një palë këpucësh.
Elhami ishte djalë i bukur, i gjatë, i shëndetshëm…Apo s’kishte një palë sy…Për fat, atë ditë kur do t’i humbiste të gjitha, mbante veshur një palë këpucë alpine, të forta, të ngrohta, të bukura. Ia kishte falur një oficer aleat. Sapo kaluam kodrës, matanë, Dori i Madh ia kërkoi ato këpucë…
“Ti po ikën, m’i lerë mua…”
“Nuk kam për t’i dhënë ty…Çdokush tjetër le t’i mbajë…”
“Edhe pesë minuta jetë ke…”, kishte këmbëngulur Dori I Madh. Që edhe më pas, gjithë jetën, bëri lart me këtë lloj këmbëngulje.
“Gjallë jo…”
“Më vjen keq se do t’i bësh pis…”
Ne të skuadrës së pushkatimit dëgjonim. I dëgjuam, të gjitha. Dori i Madh dha urdhër dhe armët tona u ngritën. E rrëzuan Elhamin…
Ata matanë kodrës, dëgjuan krismat, jo fjalët e tij këmbyer me Dorin e Madh. Ua vonuam aq shumë sa, kur ua thamë, dukej se s’i hynte në punë kurrkujt. Atë ditë, që ne u kthyem pa Elhamin, ata vazhduan pastrimin e pushkëve.
Dori i Madh u kthye pak minuta pas nesh. Në qafë, si dylbi, si medaljon lufte, varur, këpucët alpine, spërkatur lehtë me ca bubureza të kuq…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.