SPORT

Kombëtarja shqiptare e volejbollit merr fitoren e parë në Europa League

17:16 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për femra fitoi sot pasdite 3-0 ndaj Gjeorgjisë, në ndeshjen e vlefshme për European League, zhvilluar në Tbilisi.




Edhe pse jashtë fushe, vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Altin Martiri, bënë një paraqitje të shkëlqyer, duke korrur një fitore të merituar.

Një ndeshje e dominuar nga skuadra shqiptare, që zhvilloi një ndeshje fantastike në parket, sidomos në dy setet e para, ku mposhti në të gjitha drejtimet volejbollistet vendase.

Një fitore që motivon ekipin për të vazhduar më tej paraqitjet pozitive në këtë turne europian.

Shqipëria prezantoi në fushë një ekip të kolauduar mirë, që diti të kalojë me sukses edhe momentet e vështira, sidomos në setin e tretë, duke e merituar fitoren.

Ndeshja nis mjaft mirë për vajzat kuqezi, që pas disa barazimeve në pikët e para marrin shpejt komandën e lojës në dorë. Bici është e papërmbajtshme, lidere në parket, mbështetur mirë edhe nga vajzat e tjera, duke bërë që loja të marrë drejtimin e duhur. Epërsia thellohet vazhdimisht dhe Shqipëria fiton 25-16 setin e parë.

E njëjta situatë edhe në setin e dytë, volejbollistet kuqezi shkëputen herët dhe nuk lejojnë vendaset të rivalizojnë. Loja e mirë kolektive bën diferencën në fushë, luhet mirë në mbrojtje dhe loja në bllok është efikase. Shqipëria fiton 25-18 dhe udhëheq 2-0 me sete. Më i bukur seti i tretë, ku vendaset rivalizojnë fort, madje udheheqin deri në 21-18.

Ky është momenti kyç i takimit, pasi këtu loja ndërron kah. Vajzat kuqezi në 5 pikë radhazi, falë edhe disa shërbimeve të mira të Marinës, duke përmbysur shifrat dhe fitojnë 25-22 e krejt takimin 3-0. Festë kuqezi në parket, që e nisin mbarë këtë aventurë europiane.

Një lojë e mirë kolektive, që dha frutet e saj në këtë takim. Sfida e radhës në Tiranë, më 23 maj ndaj Austrisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.