OPINION

Populistët në Itali, me një kontratë për qeverinë e ndryshimit

07:20 - 20.05.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas negociatave të zgjatura e të vështira, më së fundi duket që një qeveri e re, pas asaj “Xhentiloni”, do të drejtojë Italinë fqinje. Mësohet se drejtuesit e dy partive që arritën rezultate më të larta në zgjedhjet e fundit, pra “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord”, Di Maio dhe Salvini i dhanë dorën e fundit programit të qeverisë së re, që në mënyrë domethënëse e kanë cilësuar: qeveria e ndryshimit. Zhvillimet në Itali dhe ky hap i ri, ku populistët vijnë në qeverisje, shënon një ndryshim shumë të rëndësishëm, që pritet të reflektojë në shumë drejtime, brenda Italisë, por sidomos brenda BE, ecurinë e të ardhmes së projektit europian dhe BE, por që mendohet të ketë ndikim edhe në zhvillimet në rajonin tonë dhe marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona. Italia është një aleat strategjik i Shqipërisë, mbështetëse e vendosur dhe konstruktive në rrugëtimin drejt integrimit europian, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh tanë.




Pse populistët arritën të fitojnë zgjedhjet në Itali, është një pyetje e ligjshme e jo pa vend e as një rastësi e thjeshtë. Në një farë mënyre është shfaqje apo pasojë e një problematike komplekse ekonomike, politike, sociale, që përjetohet brenda hapësirës së BE, ku veçantitë janë të dukshme në vendet konkrete. Është e kuptueshme në këtë kontekst, efekti i madh i krizës botërore e financiare, që me të drejtë u krahasua me depresionin e madh. Për shkak të një problematike të tillë, ka vite që në hapësirën e BE evidentohen dallgë tepër të larta të nacionalizmit, populizmit e euroskeptizmit, por edhe një konsumim shterues i partive të vjetra tradicionale, mbështetëse të projektit europian, që rrezikuan e konsumuan  seriozisht qetësinë e qenien në qeverisje të tyre. Trysnia ndaj qeverisjes së këtyre partive erdhi duke u rritur ndjeshëm, duke u shndërruar në kërcënim real, por edhe në një disfatë të tyre.

Shfaqjet konkrete të prirjeve, koncepteve e qëndrimeve me natyrë nacionaliste apo të tërheqjes nga interesat e shtetit-komb, u konstatuan ndjeshëm sidomos në disa ish-vende socialiste të Europës Lindore, që sollën opsione e qëndrime kundërshtuese ndaj zgjidhjeve që u ofruan, në përballimin e krizës së refugjatëve, që udhëhiqeshin nga filozofia e sistemi i vlerave, që përbën bazamentin e projektit europian, e modelit perëndimor të zhvillimit. Opsionet që erdhën nga ato vende e qëndrimet kundërshtuese, anonin nga mbyllja drejt interesave të shtetit-komb dhe nuk udhëhiqeshin nga sistemi i vlerave. U duk se kjo shfaqje ishte e lokalizuar në atë hapësirë, por në të vërtetë prirjet nacionaliste e populiste apo konceptet e opsionet konkrete të tyre u shfaqën dukshëm edhe në programet politike e elektorale e veprimtarinë konkrete politike të partive populiste në gjithë hapësirën e BE, madje edhe në vendet bazament të projektit europian, Francë e Gjermani. Partitë populiste dhe euroskeptike u bënë kërcënim real për të ardhur në pushtet. Ky kërcënim në Francë u përballua me atë që mund të quhet “fenomeni Macron”, por edhe fitorja në Gjermani nga partia e drejtuar nga Merkel, i thanë ‘Jo’ ardhjes në qeverisje të populistëve në këto vende të rëndësishme perëndimore. Në Itali qeveria “Xhentiloni”, që erdhi pas dorëheqjes së Rencit, u shfaq shumë serioze e produktive, sfiduese e shumë problemeve të vështira të krizës, që solli qëndrueshmëri e rritje ekonomike, por që nuk mjaftoi që qytetarët të besonin te vazhdimësia dhe dizenjuan ndryshimin.

Një problematikë komplekse ekonomike e sociale dhe një goditje e rëndë nga kriza e refugjatëve, korrupsioni etj., në Itali kishte ushqyer e mbjellë shumë pakënaqësi e mosbesim ndaj partive të vjetra tradicionale, kishte prodhuar shumë pakënaqësi e pesimizëm ndaj mënyrës së qeverisjes. Populistët italianë e shfrytëzuan mirë këtë situatë, duke bërë problem diskutimi atë rreth problemesh që shqetësonin shumicën e qytetarëve dmth., çështjet e vendeve të punës e të punësimit, të nivelit e sigurisë së jetesës, të sigurisë për t’u mbrojtur nga goditjet e krimit, mafies dhe korrupsionit qeverisës, sigurisë për të ardhmen. Dhe në situata të tilla, në një rend afatshkurtër, populistët bëhen të besueshëm e të mbështetur. Në këtë situatë u zhvilluan edhe zgjedhjet nga të cilat përfituan populistët, sepse u ofruan t’i përballojnë këto shqetësime. Populistët u treguan të fokusuar te shqetësimet e mprehta dhe u treguan më të drejtpërdrejtë. Edhe pse në sondazhet e zhvilluara, qytetarët italianë kanë qenë mbështetës të projektit europian e të sistemit të vlerave, të gjendur përballë vështirësive serioze e mungesës së opsioneve bindëse te partitë e vjetra, i braktisën partitë e vjetra.

Me sa duket, klasa politike properëndimore e mbështetëse e projektit europian në Itali, nuk arriti t’u shpëtojë goditjeve e efekteve të nacionalizmit e populizmit, madje u mund nga partitë populiste, për shkak të dështimit në politikat qeverisëse e konsumimit të besimit të tyre në elektorat. Për shkak të thyerjes rëndë të besimit, ato nuk arritën dot të mbrojnë as vlerat e projektit europian, madje në një farë mënyre kanë ndihmuar avancimin e mendësive nacionaliste e populiste. Ky është një dëm shumë i madh për faktin se Italia është vend i rëndësishëm i BE, me kontribut shumë të madh në sendërtimin juridik, politik, ekonomik e organizativ të projektit europian, në historinë e avancimin të projektit europian, mbështetëse esenciale dhe shumë e vendosur e zhvillimit të BE nga pikëpamja ideore, ekonomike, financiare e politike. Populistët kishin në favor të tyre faktin se nuk ishin provuar më parë në qeverisje. Fakti që elektorati u besoi populistëve nevojën e kapërcimit të situatës, dëshmon problematikën komplekse shqetësuese në shoqërinë italiane, gjerësinë e shtrirjes dhe mprehtësinë e problemeve, por edhe nivelin e lartë të konsumimit politik e moral të partive tradicionale. Partitë qeverisëse në Itali u fokusuan shumë në përballimin e efekteve të krizës ekonomike e botërore financiare në vend, por në një farë mënyre nënvleftësuan akuzat e populistëve ndaj tyre, që i bënin përgjegjës për to.

Dhe ja, në renditjen e rezultatit të zgjedhjeve në Itali, dy partitë tradicionale apo të vjetra politike, “Forca Italia” dhe “Partia Demokratike” mbetën shumë prapa dy partive populiste. Ky rezultat dëshmoi dështimet në qeverisjen e mëparshme, por nuk ishte dhe nuk mund të jetë votë kundërshtuese ndaj projektit europian. Kjo fitore e populistëve në Itali nuk mund të shkojë pa u vënë re, apo të gjykohet me sloganin “kjo është demokracia”, apo se “kështu ka vendosur sovrani”. Natyrisht, që është një vendimmarrje e popullit italian, por qëndrimi e roli i Italisë në mbështetje të projektit europian dhe sistemit të vlerave ka rëndësi të veçantë në shumë aspekte, aq më tepër që BE ndodhet në një moment të rëndësishëm të konceptimit dhe ndërmarrjes së reformave të rëndësishme, në funksion të fuqizimit e ardhmërisë së projektit europian.

Gjatë fushatës elektorale këto parti kanë shpalosur edhe kritika e opsione të tjera ndaj projektit europian dhe ndaj përdorimit të euros, apo kanë hedhur edhe idenë e trajtimit të Rusisë si partner, apo se do të kërkonin edhe tërheqjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Në atë program, që është dakordësuar deri tani mes tyre, siç mësohet nga mediat, në politikën e jashtme, qeveria që po formësohet dhe nëse fillon nga puna, do të ketë në qendër interesin kombëtar të Italisë. Mësohet se do të konfirmohet përkatësia në NATO, me SHBA aleat të privilegjuar, por mendohet edhe një hapje ndaj Rusisë, që mendohet të mos shihet si kërcënim, por si partner ekonomik e tregtar, potencialisht përherë më  i rëndësishëm. Brenda këtij vizioni mendohet edhe heqja e sanksioneve ndaj Rusisë. Nëse kjo qeveri do të fillojë nga puna, me këtë program do të krijojë shqetësime të reja brenda BE. Nuk pritet që populistët të ndryshojnë filozofinë e vizionin e tyre, por pritet që partitë pro projektit europian të lëvizin sa më shpejt në drejtim të zhvillimit të qëndrimit kritik brenda vetes, që t’i kontribuojnë në mënyrë demokratike mbrojtjes së sistemit të vlerave, brenda zhvillimeve në Itali. Nevojitet një ndërgjegjësim i elektoratit italian për pritshmëritë që mundësohen nga çdo shmangie nga projekti europian dhe sistemi i vlerave, ku përveç partive proeuropiane edhe strukturat e shoqërisë civile e sidomos brezi i ri nevojitet ti kontribuojë jo ftohjes, por afrimit të mëtejshëm me sistemin e vlerave. Projekti europian është pronë e popullit italian para së gjithash, por klasat politike duhet t’i kontribuojnë si afrimit, ashtu edhe aftësimit për ta mbrojtur projektin europian, për ta avancuar e mos lejuar çdo cenim apo devijim prej tij.

Siç mësohet nga mediat, bëhet fakt në Itali një qeverisje me koalicion të dy partive populiste, edhe pse akoma nuk ka një emër për kryeministër, që kështu mbyll mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Tash dakordësia për qeverisje është arritur. Në funksion të idesë që ne jemi e do të jemi ndryshe, “Lëvizja 5 Yjet” dhe “Lega Nord” kanë menduar ta cilësojnë kontratën qeverisëse “Kontrata për qeverinë  e ndryshimit”, që shënon kështu zgjidhjen e krizës politike apo mbylljen e saj, por edhe nxjerrjen jashtë rolit protagonist të partive të vjetra, që u ndëshkuan nga vota e elektoratit. Di Maio dhe Salvini kanë gjetur dakordësinë qeverisëse, të materializuar në një dokument me mbi 20 pika, që ka në fokus sistemin fiskal, pensionet, të ardhurat minimale e punësimin, planin industrial etj. Në funksion të filozofisë së ndryshimit, programi i qeverisjes fokusohet te të ardhurat e qytetarëve, vendet e punës dhe në një reformë të qendrave të punësimit, nivelin e jetesës. Qeveria e re populiste në Itali duket se pretendon ndryshimin, por në proces do të mësohen edhe metodologjia, se si do të punojë për plotësimin e objektivave të vendosur dhe sidomos sa e aftë e efektive do të rezultojë, do të provohet nëse do të jetë realisht efektive dhe e suksesshme apo do të dështojë, duke ia lënë vendin një krize dhe një zgjidhjeje të re politike.

Prova ka filluar që nga prezantimi i kontratës. Kjo ka shumë rëndësi për fatin e qeverisjes, por sidomos me vendin e rolin e Italisë në zhvillimet europiane rajonale e botërore. E një rëndësie të veçantë është fakti se, në ç’marrëdhënie do të jetë ky ndryshim i pretenduar me përmbajtjen e projektit europian dhe qëndrimin e kontributin për mbrojtjen e avancimin e tij, me sistemin e vlerave, me reformimin funksionimin dhe të ardhmen e BE. Ky element do të ndikojë shumë në konkretizimin e qëndrimit të italianëve ndaj qeverisjes së re të ndryshimit. Besoj se italianët me votën e tyre kërkuan ndryshimin e qeverisjes, apo rritjen e efektivitetit të saj, por nuk besoj se do të pajtohen me ndryshimin e kursit europian e të avancimit të projektit europian. Ndryshimet në qeverisje e programe zhvillimi janë të domosdoshme, por ndryshimi i linjave themelore esenciale, siç është edhe marrëdhënia me projektin europian, sistemin e vlerave, BE e institucionet e saj, është problem thelbësor e kritik. Rezultati zgjedhor në Itali nuk është kurrsesi mandat kundër projektit europian apo mandat për populistët për të ndryshuar kursin europianist të Italisë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.