OPINION

Pse protesta e opozitës do të “kurorëzohet” me një tjetër marrëveshje

18:00 - 20.05.18 Enkel Xhangoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në gjithë situatën politike që po kalon Shqipëria, ku e gjithë vëmendja mediatike është zhvendosur në akuzat e opozitës ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ajo që vihet re është përpjekja e opozitës që të kapet diku për të marrë veten nga humbja e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Në këtë mënyrë dhe kreu i PD Lulzim Basha do të mund të justifikojë pozicionin e tij jo të favorshëm ku ndodhet partia e tij.




Thirrja e tij për protestë në 26 maj personalisht më shumë se sa thirrje për rrëzimin e qeverisë, duket si një thirrje për ndihmë për të ringritur dhe njëherë PD si në ditët e lavdishme të saj. Por, a duhet ta besoj populli Bashën pas kaq protestash, ku nuk është arritur asgjë konkrete?

Protesta më e gjatë që ka bërë ndonjëherë opozita ishte ajo e një viti më parë, ku Basha vendosi të qëndrojë për tre muaj në çadër duke ndërprerë çdo punim në Kuvend apo komisione ku ishte e nevojshme prania e opozitës, por përtej betimeve të Bashës për mos futje në zgjedhje ajo protest u kurorëzua me një marrëveshje mes opozitës dhe PS.

Duke zhvlerësuar kështu gjithë mundin e demokratëve të cilët kontribuuan dhe besuan në atë protestë. Lideri i opozitës jo vetëm që humbi besimin në demokratët të cilët e mbështetën, por humbi dhe besimin nga eksponent të rëndësishëm brenda PD.

Për më tepër Basha e pastroi qeverinë Rama kur futi ministrat teknikë të cilët nuk denoncuan asgjë para shqiptarëve, gjë e cila solli rritjen e besimit tek PS dhe rënie në PD.

Duke pasur eksperienca të tilla në politikën tonë, kjo gjë më bën të besojë se dhe protesta e 26 majit do të përfundojë me një kurorëzim marrëveshjeje të cilën Basha do të mund të thotë u bë për hirë të negociatave dhe presioneve të partnerëve ndërkombëtar.

Për mua është çudi që sa herë bëhen një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës rinisin ndërtimet e pallateve në Tirane të cilët janë lënë pezull për arsye dhe bindje politike. Duke parë rezultatet e protestave të PD është e vështirë që të besosh se protesta e 26 majit do të sjellë ndonjë ndryshim apo rezultate konkrete.

Një tjetër gjë e cila vihet re në këtë protestë është dhe distanca që po mban LSI me kryetaren e saj Monika Kryemadhi. Në një kohë që PD po sulmon ashpër qeverinë e Edi Ramës, Kryemadhi përsërit po të njëjta fjalime që prej një viti duke krijuar një lloj distance apo ftohje nga akuzat e ngritura nga PD. Kjo të bën të mendosh që ose LSI ka një “as nën mëngë” ose marrëdhëniet brenda opozitës po krisen.

Por, diçka mund të them me siguri që Xhafaj nuk do të mund ta “ngrejë” opozitën, kjo gjë nuk ndodhi as me rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku PD e shfrytëzoi në maksimum, por përsëri pa rezultat, nuk ka për të ndodhur edhe këtë rast, pasi besimi në PD është zbehur.

Sigurisht që protesta e PD do të ketë ndikim, por këtë herë mund të rezultojë shumë negative për hapjen e negociatave në qershor të cilat mund t’a kthejnë Shqipërinë disa vite pas.

Duke renditur disa fakte të thjeshta mund të shikohet lehtë dobësia e opozitës, e cila me gabimet e veta po rrit kredibiletin e qeverisë Rama edhe pse ajo mund të jetë e korruptuar apo e kapur nga krirmi. Por besoj që, kur kemi një qeveri të tillë opozita duhet ta ketë më të lehtë rrëzimin e saj përmes fakteve dhe provave që ajo mund t’i gjejë lehtësisht.

Prandaj mendoj që, dhe kjo protestë përveç se do të paralizojë kryeqytetin për disa orë nuk do të sjellë përsëri rezultate konkrete për rrëzimin dhe demaskimin e kësaj qeverie.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.