KULTURË

Kim Mehmeti mes Dritëroit e Anton Pashkut

12:40 - 21.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në një prej imazheve që shpërndan Elona Agolli, e bija e shkrimtarit që na la vitin e shkuar, shkruan: “Me të madhin shkrimtar Kim Mehmeti, në stendën Dritëro në festivalin ‘Ditënetët e librit’. E lumtur dhe e rrethuar nga miq të Dritëroit që askurrëherë nuk kursejnë lëvdata e kujtime që i ndajnë me mua. Ashtu si edhe i bukuri ati im, nuk kursente përgëzime e inkurajime për shkrimtarë e krijues mbarëshqiptarë”.
Nis nga ky imazh, një kthim pas në kohë, për të mësuar për një miqësi të hershme që zuri fill nga talenti.
Kur në vitet 1990, Dritëro Agolli u pyet për tregimin shqiptar të atyre viteve, e përmes tij për letërsinë e kohës, mes emrave që përmendte, ishte Kim Mehmeti. “Tendenca më e ndjeshme e tregimit të botuar në kohën e sotme veçanërisht e të rinjve si Ridvan Dibra, Lazër Stani, Andi Bejtja dhe Kim Mehmeti është prezenca e esesë apo e gjykimit filozofik mbi faktin artistik dhe shpënia apo shtyrja e rrëfimit drejt lakonizmit, drejt shtrydhjes së portokallit të ngjarjes për të marrë lëngun. Tendencë bashkëkohore dhe moderne. Doemos që tregim pa rrëfim nuk ka, as tregim pa bërthamën e çudirave të përrallës nuk ka”,-thoshte Dritëroi. Shtonte se puna është tek raporti sa më i përsosur i rrëfimit me gjykimin dhe sintezën. “Ndonjëherë si protestë ndaj status quo-së së tregimit, të rinjtë e prishin fare rrëfimin dhe e kthejnë atë në një ese apo në një traktat filozofik apo poezi. Por kjo kapërcehet. Kështu është me të rinjtë. Ndërsa të vjetrit, apo relativisht të vjetrit, ende janë të hutuar nga autocensura. Kjo autocensurë tani tek të vjetrit nuk është ideologjike, por është artistike. Ata janë mësuar të tregojnë dhe të moralizojnë. Është më e tmerrshmja autocensurë! U tremben konflikteve të forta, i tremben pasqyrimit të tragjizmit të jetës, i tremben eksperimentit artistik, druhen për të imituar të rinjtë. Tregimtarët e moshuar po nuk imituan të rinjtë, ta dini se kanë mbaruar qind për qind”, shprehej shkrimtari i njohur.
Pothuaj 20 vjet më pas, Kim Mehmeti është një emër i njohur. Ka penën e tij, stilin e tij, ka një sërë veprash, është i angazhuar në çështjet shqiptare, ngre zërin për bashkëkombësit në Maqedoni, ka njohur nga afër Dritëroin dhe ka ndjerë madje humbjen e ndarjen me të përgjithnjë.
Është maj dhe në Muzeun Historik Kombëtar mbahet festivali “Ditënetët e librit” që organizohet nga e bija, Elona Agolli. Kim Mehmeti është mes të ftuarve dhe nuk ngurron të ndalet në kujtime e në rolin e letërsisë, sikundër edhe në praninë e shkrimtarit e rolin e tij në kohë të ndryshme.
“Na këndonin nënat të bëheshim më të bukurit e botës. Sot të jesh shkrimtar do të thotë të jesh i mallkuar. Unë mendoj se na kanoset diçka e rrezikshme, se disa pjesë të kulturës që japin anën e bukur të shqiptarisë po na zhduken. Dikur çështja e statusit tënd zgjidhej, sot jo, sepse është e vështirë. Libri nuk matet me faqe. Libri është ai që lexon lexuesi e jo ai që shkruan shkrimtari”,-tha Kimi.





Ai shtoi se jetojmë në kohëra të vështira për librin e për shqiptarët.
“Ne na i lexojnë librat ata që ne ua dhurojmë. Por nuk duhet të ankohemi. Togfjalëshin ‘nuk kemi lexues’ e kanë nxjerrë shkrimtarët e dobët. Në mos asnjë, vepra e ka 1 lexues të garantuar: vetja jote, e mandej ta lexon gruaja dhe familja”.
Kim Mehmeti në takimet letrare të mbajtura në kuadër te Festivalit ‘Ditënetët e librit’, kujtoi se shkrimtari është dyshues në veprën që bën. “Duhet të kesh forcën e të thuash edhe që nuk vlejnë të botohen. Unë i kam thënë vetes shkrimtar, vetëm pasi kam takuar Anton Pashkun. Dhe e dini si? Shkova ta takoja në Prishtinë. E kur takimi mbaroi, dolëm nga apartamenti i tij. Ai priste me mua në këmbë që të vinte ashensori. Më erdhi zor, dhe i thashë: ju lutem, kthehuni brenda e mos prisni në këmbë. ‘Të kam pritur 20 vjet’, më tha. Më dha zemër e unë kam shkuar në Shkup si me raketë atëherë”,-kujtoi Mehmeti.
Festivali “Ditënetët e librit”, përgjatë pesë ditëve ka mbledhur se bashku 40 botues nga Shqipëria dhe Kosova. Përtej formës së panairit ai u bë një pikëtakim autorësh e lexuesish shoqëruar me aktivitete të disallojshme deri në mbrëmje vonë.
Gjatë festivalit, autorja e librit “E vërteta për Nolin”, Entela Komnino është vlerësuar me çmimin e mirënjohjes ‘Dritëro. Vlerësimi për Komninon u dha pas shumë vitesh hulumtimesh për një emër të madh shqiptar si Fan Noli. Vlerësimi shokoi me motivacionin “Për veprën publicistike dhe punën e rrallë hulumtuese në përcjelljen me mjeshtëri të fakteve historike”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.