Intervista

“Luarasi”, Ethem Ruka: Programe studimi që i nevojiten tregut

13:50 - 22.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kolegji Universitar “Luarasi” do të çelë Fakultetin e ri për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit për të gjithë studentët që do të fillojnë studimet në vitin akademik 2018-2019. Hapja e tri departamenteve të reja i jep këtij institucioni arsimor elitar statusin e universitetit, duke qenë i vetmi që ofron këtë fakultet në vend. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, rektori i “Luarasit”, prof. dr. Ethem Ruka tregon se qëllimi i universitetit është të ofrojë programe studimi për të cilat ekonomia ka nevojë. Më tej, Ruka shton se nga takimet për këshillimin e karrierës me rreth 20 mijë maturantë është shpjeguar rëndësia që kanë teknologjitë informacionit dhe interesi i treguar nga të rinjtë ka qenë përtej pritshmërive. Prej disa kohësh stafi akademik i “Luarasit” po zhvillon takime me maturantët në mbarë Shqipërinë mbi këshillimin e karrierës, ku po shpjegohen në mënyrë të detajuar programet, kurrikulat që ofrohen për studentët nga ky institucion. Gjithashtu, rektori bën me dije se kanë pritur edhe shumë maturantë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi e madje shton se një numër i konsiderueshëm maturantësh janë pararegjistruar për të ndjekur studimet pranë këtij institucioni elitar e veçanërisht për teknologjitë e informacionit.




Ministria e Arsimit disa ditë më parë ka miratuar hapjen e Fakultetit të ri për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit në Kolegjin Universitar “Luarasi”. Cilat janë departamentet e reja që do të ofrohen për studentët?
Kolegji Universitar “Luarasi” vjen me një ofertë tjetër të re për maturantët, që fillojnë studimet në vitin e ardhshëm akademik 2018-2019, atë të studimeve për teknologjinë e informacionit dhe inovacionit. Më datën 14.05.2018, Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë me Vendimin Nr. 266 aprovoi hapjen e një Fakulteti të ri për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit, ku përfshihen tri departamente: Departamenti i Teknologjisë së Informacionit e Inovacionit, Departamenti i Informatikës Ekonomike dhe Departamenti i Matematikës e Statistikës.


Pse lindi nevoja për hapjen e këtij fakulteti?
Sot askush nuk mund të vejë në diskutim rolin e pazëvendësueshëm që luajnë teknologjitë e informacionit në jetën ekonomike, sociale dhe politike. Termat shoqëri informacioni, revolucion informatik, “fshati global”, revolucioni i dijes, revolucioni në fushën e komunikimit etj., kanë fituar qytetari në fjalorin e zakonshëm ditës. Këto teknologji kanë ndikuar dhe po ndikojnë fuqimisht në globalizmin e kulturës dhe komunikimit, pjesëmarrjen në politikë, kujdesin shëndetësor, shërbimet publike, aktivitetet kulturore, veprimtarinë qeverisëse, biznesin, edukimin në distancë, sistemin bankar, aeronautikën, aviacionin, mbrojtjen, shërbimet inteligjente, kërkimin shkencor, rrjetet sociale, postën elektronike, tregtinë online, telefoninë celulare, teknologjitë audiovizive etj., etj..
Pra, është vetë tregu që u jep rëndësi këtyre fushave të studimit?
Qëllimi ynë është të ofrojmë programe studimi për të cilat ekonomia ka nevojë. Nga takimet për këshillimin e karrierës me rreth 20 mijë maturantë kemi shpjeguar rëndësinë që kanë teknologjitë informacionit dhe kemi konstatuar se interesi ka qenë përtej pritshmërive tona. Specialistët e kësaj fushe kanë më shumë shanse për të gjetur një vend pune, për të punuar online për kompani të huaja si dhe për të hapur biznese vetjake.
Prej disa kohësh ju po organizoni takime me maturantë në të gjithë Shqipërinë mbi këshillimin e karrierës. Çfarë kanë në fokus këto takime dhe a kanë treguar interes të rinjtë?
Jo vetëm që kemi vizituar thuajse të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë nga Saranda e deri në Shishtavec të Kukësit, por edhe shumë shkolla kanë organizuar vizita për t’u njohur më nga afër me Kolegjin Universitar “Luarasi”. Jemi të nderuar që kemi pritur maturantë edhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Për ne është kënaqësi që një numër i konsiderueshëm maturantësh janë pararegjistruar për të ndjekur studimet pranë këtij institucioni elitar e veçanërisht për teknologjitë e informacionit.


A do të ofrohen programe të reja studimi nga “Luarasi”?
Përveç ciklit të parë të studimeve (Bachelor) në Teknologjitë e informacionit e inovacionit, është parashikuar një Masteri profesional për Sigurinë Kibernetike dhe Informacionin si dhe Masteri shkencor për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit. Këto programe kanë për qëllim të sigurojnë një lidhje organike mes teknologjisë së informacionit dhe biznesit. Në mbarim të këtij cikli të diplomuarit do të kenë mundësi jo vetëm të identifikojnë nevojat e biznesit, por të propozojnë edhe zgjidhje mbështetur në këto teknologji të kohës. Po ashtu, studentët do të kenë mundësi të marrin njohuri të thelluara mbi sigurinë e informacionit dhe mbrojtjen nga abuzimet që mund t’i atakojnë ato.
Si do të realizohet procesi mësimor për 3 departamentet e Fakultetit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit?
Kolegji Universitar “Luarasi” me hapjen e fakultetit të tretë fiton statusin e universitetit. Ai është i pari universitet që hap një fakultet të tillë. Ne kemi përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për funksionimin normal të procesit mësimor dhe kemi nënshkruar kontratat e punës me një staf akademik të përkushtuar në teknologjitë e informacionit.
Përse maturantët duhet të zgjedhin Kolegjin Universitar “Luarasi”?
“Luarasi” përfaqëson një Institucion të Lartë Arsimor Jopublik nga më të mirët në vend. I akredituar për gjashtë vite akademikë, ky institucion garanton cilësi të lartë në mësimdhënie. Është konkurrues në çmime e mbi të gjitha lëshon diploma që janë shumë të vlerësuara në tregun e punës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.