EKONOMI

Ahmetaj për turizmin: Infrastruktura, zgjidhje me programin “1 mld euro”

10:00 - 24.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Sektori i turizmit ndodhet në një moment të rëndësishëm të tij, ku nga njëra anë ka rritje të interesit për vendin tonë, nga ana tjetër një seri politikash nxitëse për investime, por në finale, një infrastrukturë problematike. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pranoi se turizmi shqiptar e ka të vështirë të konkurrojë me cilësinë që ofrojnë vendet fqinje, por se paketa 1 miliard euro pritet të ketë ndikim pozitiv për ofrimin e një infrastrukture të gjerë dhe cilësore. “Paketa prej 1 miliard euro në këndvështrimin e rritjes së ndërlidhjes bën një punë të konsiderueshme për të ndryshuar një herë e mirë infrastrukturën në funksion të konektivitetit dhe turizmit. Kur të ketë mbaruar besoj në tetor e gjithë procedura konkurruese që bën Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sa u përket PPP-ve në infrastrukturën rrugore, qytetarët shqiptarë do shohin qartë se kemi si politikë investuese përmirësimin e një aksi veri-jug, por me vizion në shërbim të ofertës ekonomike turistike të tanishme”, tha Ahmetaj.
Projekti
Duke pasur si shtyllë zhvillimi të ekonomisë sektorin e turizmit, Shqipëria i është bashkuar projektit “P.A.S.T4Future”, i cili zbatohet nga 6 partnerë dhe përfshin tri shtete vendin tonë, Italinë dhe Malin e Zi. Synimi i tij është koordinimi dhe promovimi i ofertave turistike për të plotësuar sa më mirë nevojat e turistëve, ku për herë të parë mendon edhe shtresat vunerabël, siç janë personat me aftësi të kufizuar. “Ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit, duke shtrirë ofertën turistike në Shqipëri për një segment tregu ende të paplotësuar, si personat me nevoja të veçanta, personat me aftësi të kufizuar, persona të moshës së tretë, por edhe turistë familjarë, që kanë nevoja të veçanta. Do të mundësojë ndërlidhjen e aktorëve të ndryshëm për ofrimin e informacionit në kohë reale, lidhur me kërkesat specifike të turistëve me nevoja të veçanta”, u shpreh ministri Ahmetaj. Ministri u ndal tek politikat lehtësuese të dhëna nga qeveria përmes paketës fiskale të vitit 2018 për strukturat akomoduese “hotele me 5 yje status special”, të cilat kanë tatimfitim zero për 10 vite, zero taksë infrastrukture si dhe TVSH-në 6 për qind në furnizimin e shërbimeve brenda këtyre strukturave, që nuk kufizohet vetëm me fjetjen siç është për gjithë sektorin. Madje, Ahmetaj dha edhe lajmin se tashmë është gati projekti i parë për një resort në jug të vendit me një numër të konsiderueshëm dhomash dhe që do të diskutohet në Komitetin e Investimeve Strategjike për të përfituar nga paketa e lehtësive. Ministri tha se aktualisht është në diskutim edhe paketa e lehtësimeve për agroturizmin.
PPP
Kreu i Financave deklaroi se aktualisht një draft i legjislacionit për Partneritetin Publik Privat është në diskutime, duke pasur në fokus disa ndryshime. Qeveria ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për Partneritetin Publik Privat (PPP)”, ku bëhet e ditur se nuk do të pranojnë më oferta të pa kërkuara. Ky fakt u bë i njohur nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. “Sa i përket edhe formacionit legal të Partneritetit Publik Privat, po bëjnë një përmirësim të konsiderueshëm në legjislacion. Praktikisht për shumë sektorë po heqim dorë nga ofertat e pakërkuara. Ka qenë një diskutim i gjatë mes nesh BB, FMN, KE dhe USAID dhe qeveria po kalon në një fazë të dytë për mendimin tim, shumë më të thelluar dhe shumë më të zgjuar në aspektin e menaxhimit të riskut. Pra, duke filluar nga fundi i vitit 2019, sërish është një vendimmarrje që qeveria shqiptare nëpërmjet ligjit nuk do të lejojë më oferta të pakërkuara në shumë sektorë dhe do të vazhdojë vetëm me ofertat e kërkuara, gjë që besoj bën një diferencë shumë të madhe në gjithë atë diskutim debat apo pikëpyetje që janë ngritur në këto 27 vite për PPP”, tha Ahmetaj.





Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Hajdut me cizme ky injoranti i ekonomise, kokdruni me emrin Arben Ahmetaj.Sa here qe afron vera, pra kur turizmi duhet te jete Gati ky mashtrues del e ‘shpalos’ nisma qeferritare qe do hyn ne “zbatim” disa vite me prapa.Nuk tregon per masat qe jane marre qe turistet e huaj te mos humbin neper male e te mos vriten nga skafet e boseve ne det apo si zgjdhja e xhuxhit Gjush Dako qe ka lene perroin e Kavalishenses te vetmin burim ndotje. Por mor mashtrues i mjaftushem per ta ndotur bregdetin e Durrsit bashke me ate te Kavajes.Teori “bujtinash”shpalos Skenderbeu Rama.Se cilin turist dhe per carsye do i terheqe keto bujtina nje zot e di.Pune horrash…..

    Përgjigju ↓