KULTURË

Shuhet mendja e ndritur, jeta e gjuhëtarit me biografi të keqe

10:47 - 25.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kolec Topalli (1938-2018), anëtar i Akademisë së Shkencave është shuar dje në moshën 80-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Akademiku, gjuhëtari njohur, profesori, e Mësuesi i Popullit, pat lindur në Shkodër ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i kreu në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992-1997), punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997-2005), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006), koordinator shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike (2007-2014). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës e gramatikës historike dhe të etimologjisë së shqipes. Ka botuar më shumë se 250 tituj me rreth 10.000 faqe: monografi, artikuj e kumtesa, si bashkëpunëtor i 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit, me botime në 5 gjuhë të huaja. Ka marrë pjesë me kumtesa në 120 konferenca shkencore kombëtare e 58 ndërkombëtare dhe ka ligjëruar për historinë e gjuhës shqipe në universitete e qendra shkencore brenda e jashtë vendit. Pedagog i fonetikës historike në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës; anëtar i komisionit për gjuhën shqipe në institucionin ndërkombëtar të ALE-së (Atlas Linguarium Europae). Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më 2012 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është autor i shumë monografive. Ai ka botuar “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011), (nderuar me çmimin e revistës “Kult” 2012″, si vepra shkencore më e mirë e vitit),
Fjalori Etimologjik të Gjuhës shqipe (2017) (fitues i Çmimit “Çabej”, Edicioni II, si vepra më e mirë shkencore e vitit 2017 në fushën albanologjike). Senati Akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike i ka dhënë titullin “Profesor Nderi i Studimeve Shqiptare”. Presidenti i Republikës e ka nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës i kanë shprehur ngushëllime familjes, të afërmve, miqve e kolegëve dhe botës akademike shqiptare.




SHËNIMI I ARDIAN VEHBIUT
Me shumë hidhërim mësova, se kish vdekur prof. Kolec Topalli, nga më të shquarit albanologë dhe studiues të shqipes të shekullit tonë. Veprën e tij e njoh, e kam lexuar me kujdes, kam mësuar shumë prej zbulimeve të tij dhe metodës që përdorte; e kam admiruar për frymëmarrjen e gjerë, njohjen e shkëlqyer të shqipes dhe rigorozitetin shkencor. Gjithnjë më kujtonte një tjetër albanolog të shquar dhe profesor timin në universitet, prof. Shaban Demirajn.
Kam pasur fatin ta njoh personalisht: isha rishtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kur më qëllonte të shihja këtë zotëri, të veshur me shumë sqimë, që vinte për të studiuar në bibliotekën tonë të pasur, ose priste në korridorin e katit të dytë, për t’u takuar me drejtorin, Androkli Kostallarin. Më patën thënë që ishte mësues në një fshat të thellë të Tiranës, me biografi të keqe, dhe që herë pas here “i jepej leja” për të botuar punimet e veta në revistën “Studime Filologjike.” Aso kohe më bënte përshtypje si arrinte të ishte aq kompetent, pa qenë pjesë e qarqeve institucionale dhe akademike; sikurse më linte mbresë kortezia e tij dhe delikatesa.
Për prof. Topallin shpresoj se do të shkruhet shumë; nga njerëz që e njohin më mirë se unë. Këtu veç dua të shënoj se ai, si dijetar, ishte provë e suksesit të shkollës albanologjike shqiptare dhe vijues i denjë, në më shumë se një drejtim, i arritjeve të brezit të prof. Çabejt dhe prof. Demirajt në studimet për historinë e gjuhës shqipe. Është pasuri e paçmuar e akademisë shqiptare ky realitet i disa brezave me studiues, që kanë mësuar prej njëri-tjetrit dhe kanë ndërtuar mbi arritjet e para-ardhësve; si dhe dëshmi dhe model si mund të krijohet një traditë e pasur edhe në rrethanat e prekariatit intelektual dhe të katundarisë së mendjes.
Veçanërisht, në lëmin e studimeve etimologjike të shqipes, ka tashmë një vijë që nis me Meyer-in dhe Pedersen-in, për të vazhduar me Joklin dhe Çabejn, dhe që aktualizohet tani në veprën madhore “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, që prof. Topalli arriti ta botojë pak para se të largohej prej nesh. Disa vepra të tij të mëparshme, si “Fonetika historike” dhe “Gramatika historike” e gjuhës shqipe, edhe pse madhore në vetvete, duhen kundruar tani si shkallare drejt këtij opus magnum-i, monument i mirëfilltë i akademisë dhe i kulturës kombëtare.
Lajmi për vdekjen e mikut dhe mësuesit Topalli më erdhi mu kur po lexoja një nga paçavuret kundër Fjalorit të tij, të hedhur në qarkullim nga një sharlatan dhe kloun, inkompetent nga shalli te çorapet, i cili mëtonte t’ia hidhte poshtë metodën dhe arritjet kësaj vepre, me një argumente populiste, simpliste dhe provokative. Mendova se këto krijesa të territ, me lëtyrën që kanë derdhur këto ditë dhe javë në mediat, do t’ia kenë helmuar ditët e fundit prof. Topallit, pa e lënë të gjejë pak paqe, në vuajtjen e vet fizike, përmes gëzimit që mundi t’ia japë në dorë lexuesit dhe studiuesit Fjalorin. Dua t’u kujtoj këtyre, se në këtë botë vërtet ka vend edhe për dritën e dijes, edhe për minjtë e gjirizit: por e para nuk ka nevojë për të dytët, që të shkëlqejë. Pushofsh në paqe, i nderuar mik; nëpërmjet veprës tënde, do të mbetesh gjithnjë i pranishëm mes nesh që të kemi vlerësuar, dashur dhe respektuar, si njeri dhe si studiues.

Në fushën e fonetikës historike ka botuar:

 “Theksi në gjuhën shqipe” (1995)
“Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996)
“Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998)
“Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000)
“Sonantet e gjuhës shqipe” (2001)
“Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002)
 “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003)
“Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe” (2004)
“Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2005), (nderuar me çmimet -“Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”)
 “Kërkime mbi historinë e theksit në shqipe”, (Kozencë, 2007).
Në fushën e gramatikës historike ka botuar monografitë:
 “Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008),
 “Nyjat e shqipes” (2009), Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009),
 “Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010),


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. i perjetshem kujtimi i profesorit tim te letersise ne gramsh te falenderoj oti vehbi fjalrt gjigande qe keni shkrojtur vertet nje gjuhetae i pa aritshemmirenjohje dhe respekt nga gjithe brezi jone nxensja juaj respekt dhe njehere

    Përgjigju ↓