EKONOMI

Ndryshimi i tarifave, operatorët duhet të njoftojnë para hyrjes në fuqi

13:15 - 25.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Operatorët e komunikimeve elektronike duhet të njoftojnë paraprakisht përdoruesit për ndryshimet që do të aplikojnë në tarifa, në kontrata apo në kushtet e tjera të shërbimit. Përmes disa ndryshimeve në rregulloren përkatëse, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur t’u presë rrugën ndryshimeve të papritura të tarifave ose kushteve të shërbimit, me të cilat përdoruesit njiheshin vetëm pasi ato hynin në fuqi.




Rregullorja e re përcakton se për çdo ndryshim tarifash, abonentët duhet të njoftohen të paktën shtatë ditë para hyrjes në fuqi, përmes mjeteve të informimit publik. Operatorët do të jenë të detyruar ta publikojnë këtë njoftim të paktën për tri ditë rresht. Gjithashtu, operatorët do të jenë të detyruar të publikojnë në faqet e internetit kontratat-tip të shërbimeve. Për çdo ndryshim në kontratë, përdoruesit duhet të njoftohen të paktën 30 ditë para.

Ndërkohë, operatorët do të jenë të detyruar të njoftojnë AKEP-in për çdo ndryshim të tarifave, paketave apo ofertave të paktën 15 ditë para hyrjes së tyre në fuqi. Ndryshimet në rregullore u rekomanduan edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që pas një hetimi në këtë treg vitin e kaluar, sugjeroi vendosjen e detyrimit për njoftimin paraprak të Autoritetit Rregullator lidhur me ndryshimet e tarifave nga operatorët.

Shkak për këtë hetim ndryshimi pothuajse i njëkohshëm nga tre prej operatorëve celularë kohëzgjatjes së paketave ofertë nga 30 në 28 ditë, në vitin 2016. Si përgjigje ndaj rekomandimeve, por edhe ndaj shqetësimit të publikut, AKEP urdhëroi operatorët të rikthejnë ofertat me kohëzgjatje 30-ditore, duke filluar nga 1 qershori i këtij viti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.