OPINION

Politikuajt

10:40 - 25.05.18 Leonora Laçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Fillimisht po i kërkoj ndjesë kalit (që po i bie në qafë) si kafshë fisnike shoqërues i njeriut dhe bashkudhëtar i tij.
Kali është përdorur për transportim mallrash, është përdorur nga kalorësit në luftë, është zbutur e stërvitur për punë të ndryshme në zonat rurale, edhe Gjergj Kastrioti e përdori në betejat e tij.
Por tashmë gjërat kanë ndryshuar, kuajt tanë kanë marrë status politik e i quajmë politikuaj. Po, po politikuaj bashkohorë që flasin, japin mendime, i rrahin ato, pijnë puro, hypin në mjete me katër rrota, nuk i tërheqin më ato me dy, kanë kostum, kanë imunitet, janë të rrumullakosur, e vetmja gjë që nuk i ka ndryshuar nga kuajt real është shikimi i kufizuar me mospasje të drejte për të parë majtas apo djathtas, imponimi i drejtimit nga i do qejfi udhëheqësit.
Politikuajt tanë vetëm hungrijnë për sportivitet e pa asnjë efekt të mëtejshëm. Politikuajt e  shfaqjes së së enjtes  të bëjnë të qeshësh e të qash. Të qeshësh me manjakllekun e tyre që bëjnë sikur i interesojnë interesat e shqiptarëve, dhe  të qash kur vëren se sa fallco janë, sa stonojnë fjalët e tyre me veprimet konkrete, fjalët mbërrijnë finishin ndërkohë që veprat ende janë në nisje apo thjeshtë të hedhura keqas në letër.
Politikuaj që politika i ka kapërcyer në qafë, politikuaj që as vetë nuk e dinë për çfarë janë aty, në shenjë revolte ndërrojmë stacion televiziv kur i shohim, por nuk i mbyllim dot gojën, se mjafton të hapesh rrjetet sociale dhe i ke prapë live, janë bërë si e keqe e pashmangshme, por dalja në rrugë na e mëson të vërtetën që është shumë larg parlamentit e politikuajve.
Parlamenti vendzbarkimi i politikuajve  duhet të jetë funerali ku i gjendesh pranë njerëzve për dhimbjet e tyre dhe jo vendi i gajasjes. Ka politikuaj që ende nuk janë të vetëdijshëm çfarë do të thotë të jesh përfaqësues, ka ca të tjerë që janë të gurdisur, e shohin si një pune part- time kur ndërkohë duhet të jenë aty ku elektorati i thërret, ti duhet të shkrihesh për ato vota që more dhe jo të mos shihesh më rrugëve të qytetit, jo të kesh bezdi nga kërkesat për punësim dhe nga shqetësimet e njerëzve.
Në emisionet humoristike ironizohen njerëzit e politikës sepse kanë “audiencë”, por a nuk mjafton “audienca” që kanë çdo ditë, që t’i japim hapësirë dhe në vende që nuk i takojnë?!
Ndryshimi mes emisionit homoristik dhe parlamentit është se të enjtave në parlament luhet shfaqje pa regjisor, aktorët janë të natyrshëm, çdo perlë qe nxjerrin nga goja e kanë improvizim të çastit, shpesh herë.
Show me arrestime, show me negociatat, show me mediat, show me takimet, show me prerje shiritash, show me perkujtime të luftës e show me përkujtime të vuajtjes.
Teatri na është ftohur, aktorët profesionistë kanë hapur krahun,  sepse politikuajt ia kanë marrë në kthesë artin e profesionin.
Vetëdija e politikuajve është në nivele të tilla sa askujt nuk po i bënë më përshtypje.  Politikuajt bëjnë gjithçka përveç asaj për të cilën janë zgjedhur, bëjnë gjithçka mbrapsht, i kthejnë përmbys ligjet kur luftohen, i kthejnë përmbys institucionet e pretendojnë se janë Zoti mbi tokë ! Ndaluni, Shqipëria nuk është e juaja, nuk e krijuat ju, e gjetët këtu dhe si hordhi kalimtare po e shkatërroni.
Çohu Skenderbe e na drejto, se këta nuk ia kanë idenë e qeverisjes, na ço në dyert e Europës me kokën lartë. Se dhe eshtrat nuk po t’i lëmë të të prehen qetësisht, e as shekujt nuk na kanë pjekur por na ka bërë më të brishtë. Kjo brishtësi reflektohet ndaq në politikbërje, ndaq në vendimmarrje, është si një sindrom kolektive.





Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Te lumte pena e dashur gazetare . ne shkrimin tend ka realitet, ka vertetesi, ka kritike dhe epitete reale, ka objektiv per te ardhmen,.te falenderoj nga zemra dhe vazhdo me penen tende te shkruash per keto :: jo politikuaj por thuaju troc :Julyeni kuaj te zgjebosur dhe drejt ngordhjes, ju pafshim ne grope ose ne fund te detit ,se jeni mish I ngordhur per peshqit.

    Përgjigju ↓