Sociale

Ekspertja: Si të llogarisni saktë pensionet e pleqërisë, formula

14:30 - 26.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Jo pak të moshuar shpeshherë kanë pakënaqësi në lidhje me masën përfundimtare të pensionit që u takon për vitet që kanë punuar. Por me ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar për sigurimet shoqërore, ka ndryshuar edhe mënyra e llogaritjes së pensionit, ku si bazë për llogaritjen së tij nuk është më pensioni bazë (pensioni minimal), por pensioni social. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e patronatit INAS Albania, njëkohësisht eksperte pensionesh, Beskida Aliaj tregon mënyrën sesi qytetarët mund të përllogarisin saktë pensionin që u takon, në bazë të viteve të punës dhe pagës. Ajo më tej shton se sipas ligjit, iu lind e drejta e përfitimit të pensionit të gjithë individëve të siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, në momentin kur arrijnë moshën e paracaktuar.
Cilat janë kriteret që duhet të përmbushin të moshuarit për të përfituar pension pleqërie?
Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për sa i përket pensionit të pleqërisë në vendin tonë. Ndërkohë, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë te rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.





Sa është mosha e daljes në pension për vitin 2018-të?
Aktualisht për vitin 2018 mosha e daljes në pension sipas nenit 43, për gratë është 60 vite e 8 muaj, pasi rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056, që arrin në 67 vjeç. Ndërsa për burrat 65 vjeç (mosha fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056. Ndërkaq, vjetërsia e plotë kontributive për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit për të arritur me 40 vite në vitin 2029.
Si bëhet përllogaritja e pensionit të pleqërisë dhe sa do të jetë shtesa për çdo vit vjetërsie në punë?
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Ndërkohë, shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas ligjit. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Çfarë është pensioni social?
Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e këtij pensioni social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Ndërsa masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.
Si mund të përllogaritet ky pension social?
Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) = PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV (baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi.
Çfarë është paga referuese?
Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.
Po në rastet kur individi ka punuar me paga të ndryshme, si bëhet përllogaritja?
Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8,59.
A mund ta konkretizoni me një shembull shpjegimin e sipërpërmendur?
Për ta konkretizuar këtë problem po të marrim një pagë referuese për një specialist të lartë në ndërmarrje ekonomike, që aktualisht është e miratuar në masën 4.192 lekë, duke e shumëzuar me koeficientin 8,59, e indeksuar deri në periudhën aktuale jep një pagë prej 36.009 lekë. Ndërsa mbas vitit 1994, merren pagat respektive sipas viteve, të cilat duke u shumëzuar me koeficientet përkatëse japin pagën për efekt të llogaritjes së pensionit. Po të marrim një rast konkret; në vitin 2008, paga minimale ka qenë 14 830 lekë, duke u shumëzuar me koeficientin e indeksimit (i cili miratohet çdo vit me VKM), që është 1,48 jep pagën minimale prej 22.000 lekë. Po kështu dhe paga maksimale e cila ka qenë 74.150, kur shumëzohet me po këtë koeficient indeksimi jep pagën maksimale aktuale 97.030. Sigurisht pagat e ndërmjetme, me indeksimin sipas koeficienteve përkatëse do të na japin paga aktuale ndërmjet minimales e maksimales.
Sa është masa e pensionit që i takon një qytetari që ka punuar para vitit 1994 dhe ka një vjetërsi pune prej 15 vitesh?
Në rast se marrim në mënyrë hipotetike që një punonjës para vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 15 vitesh dhe paga mesatare e indeksuar rezulton në një shumë prej 25 000 lekë dhe mbas vitit 1994 ka një vjetërsi kontributive prej 22 vite me një pagë mesatare të indeksuar prej 30 000 lekësh, atëherë baza e vlerësuar do të llogaritet: Baza e vlerësuar = (15*25.000 lekë + 22 * 30.000 lekë): 37 (vite gjithsej ) = 28.000 lekë. Pensioni mujor = (6.750 *37/35,7 )+ (1/100 *37*28.000) = 6.996 + 10.360 = 17.356 lekë. Sipas nenit 33 të ligjit 104/2014, i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie sipas nenit 43 të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes. Në rastin e mësipërm, në qoftë se ky person ka punuar mbi moshë për një periudhë prej 1 viti e 6 muaj, shtesa mbi pension do të llogaritet, 18 muaj * 0,5 = 9% * 17.356 = 1.562 lekë. Në këto kushte, pensioni që do të përfitonte aplikuesi do të ishte i barabartë me shumën: 17.356 + 1.562 = 18.918 lekë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.