MILOSAO

Tradita e ndeshjeve me dema në fshatin Neshtë të Çermenikës

12:40 - 27.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Avni Alcani – Çdo vit në verë, për të kaluar pushimet verore, prindërit e mi më dërgonin në fshatin e tyre të lindjes, në Neshtë të Çermenikës. Unë kisha krijuar një lidhje të veçantë me fshatin tim të origjinës dhe me banorët e tij. Atje isha miqësuar me të gjithë fshatarët, që ishin aq të dashur e të afrueshëm me mua. Isha njohur me mënyrën e tyre të jetesës, me punët bujqësore, me ato blegtorale etj. Unë isha i pranishëm dhe merrja pjesë gati në të gjitha argëtimet dhe festat e fshatit, por dhe të krahinës, siç ishin dasmat, festat e tjera familjare, festa e Ditës së Verës, festa e Shëngjergjit, festa e Fushë-Gurrës etj.




Bëja vizita te njerëzit e mi, duke u futur në shtëpitë e tyre, shëtisja në vendet më të bukura të fshatit, në kodrat përreth Neshtës, në vendin e quajtur Qafë-Çukë, në të cilin ndodheshin masive me gështenja shekullore, ku më bënin përshtypje të madhe emrat e disa vendeve, si “Kisha”, “Kroi i Kishës”, “Mani i Skurës” (për të cilin thonin se ishte 500-vjeçar), “Kroi i Skuriqit”, “Kroi i Vedranikut” etj. Gjithashtu vizitoja pyjet, lëndinat, apo çajret që ndodheshin pas Gurit të Muzhaqit, të cilat kishin një bukuri mbresëlënëse. Gjatë verës, kur ishin pjekur një pjesë e frutave të stinës, si manat dhe qershijat, i shijoja ato me shumë kënaqësi. Gjithçka e përjetoja me një emocion të veçantë, pasi jeta në fshat ishte krejt ndryshe nga ajo që bëja në qytet.

Si qëndroja disa ditë te gjyshja ime, unë shkoja për të bërë vizitë te shtëpia e madhe e Ademajve të Neshtës, ku ishte e martuar tezja ime. Ademajt e kishin shtëpinë në rrëzë të Gurit të Muzhaqit. I vizitoja me shumë kënaqësi ata, pasi, jo vetëm se më prisnin me ngrohtësi, por sepse aty takoja dy bashkëmoshatarët e mi, Çimin, i cili, për fat të keq, nuk jeton më dhe Feritin. Çimi më ftonte që të shkoja me të për të ruajtur sëbashku dhitë në pyllin masiv të Gurit të Muzhaqit. Nuk kam lënë lëndina e kullota pa shkelur me Çimin, nuk kam lënë majë mali pa u ngjitur, nuk kam lënë gurra e burime uji pa pirë, nuk kam lënë pemë ahu pa shkruar emrin tim, nuk kam lënë aroma lulesh pa shijuar dhe lule mali pa mbledhur. Në pyllin e Gurit të Muzhaqit pata zbuluar bukuritë magjepëse të natyrës dhe, ajo që është më e rëndësishme, ndjesinë e të shijuarit të kësaj bukurie. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 50 vjet që nga ajo kohë, unë akoma edhe sot i kam përpara syve ato vende të mrekullueshme me bukuri magjike.

Në malin e Gurit të Muzhaqit ndodhet një lëndinë e gjërë, që quhet Fusha e Madhe. Pas kullotjes të gjithë barinjtë mblidheshin sëbashku për të ngrënë bukë dhe, pas buke, ata argëtoheshin me lodra të ndryshme.Aty zhvilloheshin edhe ndeshje me kafshë shtëpiake, siç ishin ndeshjet me dema. Për këtë garë improvizohej një arenë, e cila ishte në formën e një rrethi dhe çdo lagje nxirrte demin më të fuqishëm. Aq të bukura dhe aq interesante ishin ato ndeshje, sa mua si fëmi më patën lënë një përshtypje shumë të madhe.

Ndeshjet me dema ishin të jashtëzakonshme. Në lagjen Mexixë demi më i fortë ishte ai i Abazajve, kurse nga lagjja e katundit ishte demi i SaliAlcanit.Demi i Abazajve ishte trupmadh dhe kishte qime të zezë. Rreth qafës ai mbante një kumonë të madhedhe e tundte atë me furi, si për të trembur kundërshtarët e tij. Ai kishte një pamje shumë të frikshme.Kurse demi i Salës ishte qimekuq dhe kishte një trup më të vogël, por kishte muskuj shumë të ngjeshur. Sa herë që ata të dy ndesheshin, zhvillohej një përleshje aq e fortë dhe e ashpër, sa ne të gjithë largoheshim nga rrethi i arenës dhe e ndiqnim ndeshjen në distancë. Dy demat vendoseshin në qendër të lëndinës dhe barinjtë i lëshonin përballë njëri-tjetrit për t’u ndeshur.

Para se të ndesheshin, demat hungërinin me sa fuqi që kishin, duke lëshuar britma të forta e të frikshme. Ulërimat, siç më thoshte Çimi, demat i lëshonin për të trembur kundërshtarët e tyre. Ata i ngulnin thundrat e këmbëve të përparme në tokë dhe e tërhiqnin dheun me furi drejt vetes, duke e hedhur mbi trupin e tyre. Kur asnjëri nga demat nuk tërhiqej nga gara, atëherë ata suleshin me furi kundër njëri-tjetrit dhe përplasnin brirët kokë më kokë me aq forcë sa shkaktonin një zhurmë të llahtarshme. Demat e shtynin me sa fuqi që kishin njëri-tjetrin dhe vazhdonin të luftonin kështu, deri sa kundërshtari më i dobët të rrëzohej, ose të tërhiqej nga gara. Ishte hera e parë që shikoja një çfaqje të tillë me përmasa gati homerike.

Pas çdo beteje, çuditërisht, gjithmonë fitimtar dilte demi trupvogël i SaliAlcanit. Unë gëzohesha shumë, pasi isha “tifoz” me kaun e Salës, që ishte i zgjedhuri i lagjes sonë, ku kullosnin edhe lopët e dajës tim. Ndeshja me dema ishte një traditë shumë e bukur, që krijonte emocione të jashtëzakonshëm tek ata që e ndiqnin. Unë kurrë nuk e kam hasur një garë të tillë në ndonjë vend tjetër, veçse në fshatin Neshtë të Çermenikës.
Do të ishte shumë interesante që kjo traditë e ndeshjeve me dema të rifillonte përsëri në krahinën e Çermenikës, pasi do të ngjallte një kuriozitet të madh dhe do të ishte një ngjarje shumë argëtuese, që do të tërhiqte për ta parë një numër të madh shikuesish vendas, por, pse jo,edhe të huaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.