DOSSIER

Letra për Ramizin: Edi Hilës iu thurën elozhe si asnjë tjetri

15:25 - 28.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ndër mbledhjet e shumta që u bënë në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës në fillimin e vitit 1973, pas fjalës së Enver Hoxhës, e mbajtur më 15 e 16 mars në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku si temë kryesore ishte “Lufta kundër shfaqjeve të huaja e liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit…”, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve u mbajtën një sërë mbledhjesh ku u morën në analizë puna e bërë deri në atë kohë dhe detyrat që u dilnin artistëve dhe shkrimtarëve në të ardhmen, “nën frymën fjalës së shokut Enver të mbajtur në Plenumin e IV”.




Një nga këto mbledhje të mbajtura në muajin prill të atij viti ishte dhe ajo e sektorit të arteve figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë, që e kryesonte piktori Kujtim Buza, i cili ka përpiluar edhe raport-informacionin përkatës për Komitetin Qendror të PPSH-së. Po kështu, një raport-informacion tjetër për këtë mbledhje është mbajtur nga Ksenofon Dilo, i cili në atë kohë mbante funksionin e sekretarit për artet figurative në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, raport i cili së bashku me atë të Kujtim Buzës, i janë dërguar Ramiz Alisë me një shënim që ka bërë aty Hamit Beqja, (ndihmës i Ramiz Alisë), në sektorin e edukimit pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo që vihet re tek të dy raport-informacionet në fjalë është fakti se aty duket që është pasqyruar me korrektesë dhe vërtetësi gjithçka është thënë dhe folur nga pjesëmarrësit, piktorë, skulptorë, kritikë arti etj., pasi përveç kritikave apo më saktë akuzave që janë bërë ndaj Edison Gjergos, Ali Osekut e Maks Velos, të cilët siç dihet përfunduan burgjeve të regjimit komunist për vite të tëra, (këto raporte ishin dhe “lënda e parë” e baza për mbushjen e dosjeve të tyre), autorët e raporteve nuk kanë nguruar të shënojnë aty kritikat apo akuzat edhe për piktorë dhe skulptorë të tjerë, emra mjaft të njohur të arteve figurative si psh., Sali Shijaku, Muntaz Dhrami, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmit, Jakup Keraj, etj., të cilët jo vetëm që nuk patën probleme më pas, por përkundrazi ishim mjaft të vlerësuar.

Po kështu, në raportin e tij, Buza duket që nga pozitat konservatore ka sulmuar me kritika dhe akuza deri diku edhe të ashpra disa nga piktorët e njohur dhe gjithashtu kritikun e njohur të arteve figurative, Andon Kuqalin, për frymën e tij liberale në artikujt kritik që ai ka bërë në shtypin letrar për disa piktorë të rinj si Edi Hila etj. Po çfarë thuhet më tej në raport-informacionin e përpiluara nga Kujtim Buza dhe kush ishin piktorët dhe skulptorët e tjerë, që u kritikuan apo u akuzuan aty për ndikime moderniste e shfaqje të huaja në punimet e tyre? Lidhur me këtë na njeh dokumenti në fjalë, që publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, të cilin po e japim të plotë dhe pa asnjë shkurtim.

DISA PROBLEME TE ARTEVE FIGURATIVE NE DRITEN E FJALIMEVE TE SHOKUT ENVER

Problemet që do prekim në këtë informacion kanë dalë në dy mbledhjet e Komisionit të Arteve Figurative dhe gjatë bisedimeve me artistët në studio dhe në diskutime krijuese. Komisioni do të vazhdojë diskutimin e thellimi i mëtejshëm do të evidentojë probleme dhe detyra të reja. Edhe në gjirin e piktorëve dhe skulptorëve sot ka një shqetësim dhe preokupim të veçantë. Kjo lidhet me thellimin dhe përmbajtjen e formës, konsolidimin e sukseseve të arritura dhe në gjetjen e rrugëve të reja në pasqyrimin e realitetit tonë socialist në zhvillim. Problemet e thellimit në përmbajtje, të novatorizmit, traditës dhe karakterit kombëtar janë në plan të parë. Ato vijojnë dhe shtrohen me forcë të nxitur nga disa shfaqje konservatore e liberale, që janë vënë re edhe në fushën e arteve figurative.
Së pari, siç u vu në dukje edhe në komision, veçanërisht këto dy vjetët e fundit, është vënë re tendenca për të kritikuar dhe analizuar në veçanti atë krijimtari të molepsur nga konservatorizmi, atë krijimtari me qëndrim natyralist ndaj realitetit tonë revolucionar. Bile, duke kritikuar me të drejtë disa punime a shfaqje të tilla natyraliste u tërhoq vëmendja në disa vepra, të cilat kishin premise dhe përpjekje të frytshme, por që në fund të fundit ishin akoma realizime të pakryera. Duke minimizuar disa shfaqje dhe tendenca, për hir të luftës ndaj rutinës, skematizmit dhe klisheve natyraliste, u kalua në ekstremin tjetër në “adhurimin” e talenteve të reja, “të përkryera”, artistikisht. Një gjë e tillë u vu re si në diskutimin krijues të ekspozitës së 30-vjetorit të themelimit të Partisë, në ekspozitën e talenteve të reja, në ekspozitën e parë të pranverës, si dhe në polemikën që u bë në shtyp për natyralizmin, letrarizmin etj. Veçanërisht duke analizuar artikullin e shokut Andon Kuqali (në Nr.12. 1972, të revistës “Nëntori”), vëmë re pikërisht një tendencë të tillë: luftë të pamëshirshme konservatorizmit, natyralizmit, letrarizmit, anakronizmit dhe minimizimit të rrezikut liberal, të tendencave të huaja; pra tendenciozitetit në luftë kundër rutinës konservatore dhe zbutje të këtij qëndrimi parimor në luftë kundër rutinës konservatore dhe zbutjes së këtij qëndrimi parimor në luftë kundër shfaqjeve të huaja. Thëniet e shokut Andon Kuqali në artikullin e mësipërm: “Duke luftuar kundër fenomeneve të jashtme demonstrative si kundër skematizmit e kuptimit vulgar anekdotik të subjektit, arti ynë i realizmit në zhvillim kërkon lëmenj të rinj dhe forma të reja të shprehjes artistike”. “Vetë zhvillimi i jetës shkakton zhvillim, e në periudha të ndryshme dhe një transformim të artit”. Me tendiociozitet shprehin hapur pranimin e një përmbysjeje, transformimi të artit.
Duke evidentuar me fjalët më të zgjedhura, në faqe të tërë, individualitete si Edi Hila, që është piktor i ri i talentuar dhe kërkues, artikullshkruesi, thur elozhe dhe lavdërime që nuk janë thënë për as edhe një artist shqiptar dhe duke u mjaftuar me të vetmen kritikë, në mënyrë shumë evdidente shfaq preferencën personale: tregohet subjektiv dhe gjykon shumë i njëanshëm, i prirur ndaj të resë e duke pranuar atë ashtu si vjen, pa e analizuar me të njëjtën këmbëngulje e tendenciozitet. Komisioni gjen me vend luftën kundër shfaqjeve të huaja konservatore, me gjithë ndonjë teprim në këtë drejtim, por mban qëndrim autokritik ndaj faktit që ka mbetur në këtë, pa parë rrezikun tjetër të ndikimeve të huaja, lufta që është minimizuar e nuk është vënë në të njëjtin plan.
Shokët e komisionit vunë në dukje me të drejtë një zbutje të kërkesave për realizimin e tablove tematike, kompozimeve që rrahin probleme nga më të rëndësishmet që dikton jeta. Nga 100 e ca kompozime të paraqitur në ekspozitën e 30-vjetorit të Partisë, me tema nga puna, lufta dhe heroizmi i popullit tonë në të gjitha fushat e jetës, në ekspozitën e fundit të pranverës, tabloja tematike u reduktua pothuaj në zero. Kjo nuk ndodhi rastësisht.
Shoku Andon Kuqali shkruan: “Një kuptim dogmatik i artit dhe rolit të tij si rrjedhim i koncepteve burokratike e ka kufizuar ndonjëherë tematikën dhe zhvillimin e disa gjinive. Në vlerësimin e veprës artistike ka pasur kritere hierarkike, sipas të cilave, në krye të shkollës qëndron tabloja tematike! Përsa u përket temave janë inkurajuar dhe përkrahur në radhë të parë, ato me karakter përfaqësues e zyrtar. Në këtë mënyrë janë formuar skema, është kufizuar këndi i vështrimit”.
Aq më tepër gabohet kur akuzohet se, nëpërmjet këtyre tablove tematike janë formuar dhe është kufizuar këndi i vështrimit.
Sigurisht këtu duhet thënë se ne piktorët në realizimin e shumë punimeve tona kemi qenë tepër soditës, nuk jemi thelluar në trajtimin e tablove tematike, në shtrydhjen nëpërmjet saj të esencës racionale të problemit që trajtohet, por të arrish në konkluzione se tendecioziteti për realizimin e tablove skematike ka çuar në skema dhe kufizim të këndit të vështrimit, mendoj se gabohet rendë, gabim i cili thellohet kur shton se: “Pasurimi i artit tonë, i pikturës, skulpturës dhe grafikës sonë, përveç veprave që trajtojnë aspekte të rëndësishme historike, politike dhe masive dhe me vepra që trajtojnë momente lirike të punës apo jetës intime, me portrete, peizazhe e natyra të qetë, siç po shohim më shpesh kohët e fundit është një gjendje pozitive, e cila tregon zhvillimin, përparimin, zgjerimin tematik e të këndit të vështrimit. Në këtë mënyrë, arti ynë pasurohet me krijime të individualiteteve të ndryshme, bile ka ardhur koha të flasim për stilin e artit tonë, arti ynë po gjen përparësi, pasi po trajtohen edhe temat lirike apo intime dhe se kështu po zhvillohen individualitetet dhe se kështu mund të flasim edhe për stilin në artin tonë”.

Është e vërtetë që duke u marrë me tablotë ishte lënë pas dore tema lirike, tema intime, e cila plotëson botën shpirtërore të njeriut tonë. Por të quash kërkesë hierarkike kërkesën për tendenciozitet në tablotë skematike, të kuptosh si prurëse të skematizmit, tablotë skematike (si gjini) dhe të konsiderosh si zhvillim e përparim faktin që u trajtua dhe tema lirike, na duket gabim i madh dhe moskuptim në përmbajtje të problemeve, njëanshmëri, zvogëlim i rolit dhe rëndësisë së temës së madhe qytetare, që është kjo rruga që nuk zvogëlon individualitetet artistike, nuk bën uniform përmbajtjen dhe nuk çon në kërkim formaliste, apo largim nga tradita. Ajo që trajtohet në artikull, përkundrazi, të tregon rrugën e kundërt.
Ndonëse s’mund të themi se nuk është përmendur edhe roli i tablosë tematike, prirja e përgjithshme e jona e mjaft pikturave, sidomos kohët e fundit ishte tema lirike, intime, soditja e thjeshtë e natyrës, bukuria dhe raportet e saj koloristike. Kështu për këtë arsye u shty edhe hapja e ekspozitës së dytë të pranverës, përgatitur me këto motive intime që janë të paanshme për të gjitha kohërat dhe njerëzit, soditja skeptike e natyrës dhe botës përreth.
Në komision u vlerësuan shumë punimet e traditës dhe të ditëve tona, realizime të suksesshme e me një diapozon të gjerë si monumenti i pavarësisë, ai i katër heroinave, të tjera në skulpturën monumentale, në pikturë, si tabloja e Guri Madhit, “Dorëzimi i tapive”, etj. Në mbledhje u theksua se e vetmja rrugë në formimin e karakterit kombëtar është ajo e pasqyrimit me vërtetësi të realitetit tonë socialist. U morën shumë shembuj në këtë drejtim, vepra me qartësi mendimi që në embrion kanë pulsin e jetës, pulsin e popullit, shpirtin qytetar, patriotik militant. Kështu u çmuan veprat e Odhise Paskalit, Vangjush Mihos, Sali Shijakut, Shaban Hadërit, Kristaq Ramës, Muntaz Dhramit, Hektor Dules etj. Por, njëkohësisht u përmendën edhe veprat “Çrrënjosja”, “Zgjimi”, “Kur yjet mbushin qiellin”, “Pusi 524”, “Epika e yjeve të mëngjesit” etj., portrete, peizazhe etj., punime me ndikime të huaja, subjektive.
Në komision u luftua qëndrimi konservator i atyre artistëve, të cilët e shikojnë formën si diçka të palëvizshme, tradicionale, që nuk kuptojnë se përmbajtjes së re i duhet veshur një formë e re që t’i përgjigjet realitetit në zhvillim.
Rasti i prodhimit të vazove “ilire” në Ndërmarrjen Artistike të Vlorës, riprodhimi i atyre objekteve që ilirët i kanë përdorur për parfumet, mbledhjen e hirit etj., në këtë konstrukt, por me material tjetër (të lyer), për qëllime të tjera zbukurimi të ambienteve tona sot, në Shqipërinë socialiste, janë shfaqje të arkaizmit, e frikës për të mos cenuar traditën, shfrytëzimin e traditës së pastudiuar, të marrë kallp.
Në komision u kritikuan rastet kur autorë të ndryshëm janë kthyer në soditës, lavdërues të jashtëm, të përciptë të realitetit tonë revolucionar, jo luftëtarë aktivë të së resë, cektësi e cila ka ardhur nga mosthellimi sa duhet në jetën e saj klasore, antagoniste dhe joantagoniste. Ujdisja me artin “banal” dhe “pa ide”, i cili nuk e ka burimin tek jeta, por te vështrimi subjektiv i realitetit, bën që shpesh të hasim tablo që nuk të ngacmojnë, nuk ngrenë problem, i kalojnë qetë situatat, ndërtohen në forma të jashtme pllakateske, metodë kjo që mpin forcat, pengon ecjen përpara, ushqen të qëndruarit në vend. Shembull në këtë drejtim u morën shumë punime në ekspozitën e 25-vjetorit të çlirimit si p.sh. “Pranvera socialiste”, e Remzi Kuçit, “Revolucioni marshon” e Thanas Papës, vepra të Agim Fajës, Minella Satos, Fatmir Haxhiut etj.

Tiranë, 19.IV.1973
Kujtim Buza
Shef i Sektorit të Arteve Figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës

(vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.