Intervista

Bushati: Koalicioni në 2013-2017 ishte në fije të perit për shkak të “drejtësisë”

11:30 - 11.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi – Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, nga Shkodra nxori publikisht një fakt që koalicioni PS-LSI ka qenë në rrezik të prishej në mandatin e parë 2013-2017, për shkak të përplasjeve për reformën në drejtësi. Edhe pse nuk e përmendi direkt, Bushati tha se ndërkombëtarët ndërhynë në atë kohë, sepse PS donte reformën, duke lënë të kuptohej se reforma kundërshtohej nga LSI, që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta, tashmë President i Republikës. Në intervistë ai foli edhe për ish-ministrin Saimir Tahiri, ministrin Xhafaj dhe akuzat ndaj tij, si dhe për marrëveshjen për detin dhe akuzat që i janë bërë personalisht atij nga Shpëtim Idrizi e Sali Berisha.




Moralisht duhet të jetë në detyrë zoti Xhafaj?

Tani qëndrimet politike janë qëndrime politike, të cilat janë diametralisht të ndryshme. Kur flasim për implikime duhet të kemi parasysh verifikimin e këtyre akuzave nga institucionet shtetërore. Ajo që ka publikuar PD, pra materiali audio është në duart e prokurorisë. PD pretendon që kemi të bëjmë me veprimtari të jashtëligjshme, ndërkohë që ministri Xhafaj thotë se jemi përballë inskenimi të hapur.
Unë si politikan dhe anëtar të kabinetit dhe për shkak të informacionit që posedoj, besoj versionin e ministrit të Brendshëm. Por nuk ka rëndësi se çfarë besoj unë, apo anëtarët e PD, duhet të flasin institucionet.

Ka një vendim nga institucionet italiane për vëllain e Xhafajt…
Kjo është një histori që nuk ka lidhje me aktivitetin e ministrit Xhafaj.

Lidhje s’ka, po a është normale?
Kjo është një histori që ka ndodhur shumë vite më parë, kur Xhafaj nuk ka qenë ministër i Brendshëm dhe nuk ka përgjegjësi për vëllain. Ndërkohë që historia që ka bërë publike PD, nëse do të rezultonte e vërtetë, qëndrimi i PS ishte i qartë. Dhe kjo është arsyeja që ne gjithashtu jemi më të interesuar se kushdo tjetër që prokuroria shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë t’i shkojnë çështjes deri në fund.

Prokurorinë po e akuzon opozita…
Janë akuza të drejtpërdrejta… Unë kam dëgjuar opozitën që ka akuzuar trupin diplomatik në Shqipëri. Unë personalisht kurrë nuk kam menduar se trupi diplomatik të jetë përcaktues për zhvillimet në vend. Opozita ka bërë akuza të rënda për Juncker, Mongerinin, për ish-ministrin e Jashtëm gjerman dhe për shumë të tjerë.

Për reformën në drejtësi faktori ndërkombëtar ju mori përdore…
Kjo nuk është e vërtetë. Personalisht kam qenë një nga njerëzit që kam dhënë kontributin politik në 2013-ën dhe reforma në drejtësi ka qenë në axhendën tonë. Dhe për shkak të funksionit që mbaj, gjerësia dhe thellësia e reformës ka qenë insistim i kryeministrit Rama.
Sikurse mund të them se koalicioni ynë i mandatit 2013-2017 ishte “në fije të perit” për shkak të përplasjes që ekzistonte për reformën në drejtësi. Roli i faktorit ndërkombëtar për hir të vërtetës ka qenë vendimtar. Ajo që unë them është se trupi diplomatik dhe përfaqësuesit e tij janë të nderuar për punën që bëjnë në Shqipëri. Nuk është mirë nga ana jonë që t’i bëjmë pjesë të procesit.

A jeni tani në fije të perit, nëse marrim shembull nëse largohet zoti Xhafaj, a do të kemi zgjedhje të parakohshme, sepse bëhet fjalë për dy ministra të Brendshëm?
Saimir Tahiri nuk u largua nga ministër për akuzat. Ai u largua tre muaj para zgjedhjeve të vitit të kaluar, së bashku me tre ministra të tjerë. Çështja e tij filloi kur ishte deputet. Tahiri nuk iku për akuza. Ai u zëvendësua nga Xhafaj, sepse kryeministri, që me Kushtetutë ka ekskluzivitetin e përbërjes së kabinetit vendosi ndryshime në qeveri. Nuk ka qenë as pjesë e paktit me opozitën, sepse në atë kohë ka qenë largimi i disa ministrave, por fakti politik është që akuza ka filluar për një periudhë të caktuar për kohën kur ka qenë. Në horizont zgjedhjet e parakohshme shfaqen në dy raste: nëse mazhoranca humbet numrat në parlament apo nëse mazhoranca kërkon të verifikojë pëlqyeshmërinë e saj në publik. Unë nuk flas dot për implikim të dy ministrave dhe duhet të jem i kujdesshëm në këtë proces. Deri më sot s’kam parë asnjë dokument të implikojë këta persona. Njëri është qytetar i lirë, shpresoj me këtë veprim është vendosur një precedent për të ardhmen. Në rastin tjetër ka një akuzë ndaj vëllait dhe është në hetim.

Zoti Rama ka paralajmëruar ndryshime, me gjasa në shtator…
Kjo është një çështje ekskluzive e kryeministrit. Analizat e brendshme janë të brendshme dhe jo e opinionit publik. Përballë kryeministrit punën tonë të përbashkët e mbrojmë, por edhe njëherë e them çdo lloj ndryshimi në qeveri, është përgjegjësi ekskluzive e kryeministrit.
Po përflitet çdo ditë më shumë se do të ketë kalime deputetësh nga LSI te PS…
Nuk jam në dijeni të këtyre përfoljeve. Ka pasur votime pro dhe ka pas shpjegime nga deputetet e LSI. Një rast ishte çështje e mosdjegies së mandatit dhe një rast tjetër për një votim.

Zoti Idrizi dhe Berisha ju kanë akuzuar për marrëveshjen e detit?
Nëse zgjedhjet janë nga studio apo kongreset e partive është zgjedhja e tyre. Ka kohë që zoti Idrizi është në një galaksi tjetër nga ajo çka ne diskutojmë dhe nga ajo për të cilën ne përpiqemi të punojmë. Sa i përket dosjes sonë me Greqinë, me modesti e them se është qeveria e parë në historinë e Shqipërisë që e ka vendosur në tryezën e punës. Dhe janë hedhur hapa përpara, qoftë nga pranimi nga Tsipras dhe Kotzias të ekzistencës së ligjit të luftës si relike e të kaluarës dhe Shpëtim Idrizi s’duhet ta harrojë këtë e çështje që kanë lidhje me përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike dhe sheltit detar dhe pjesës së regjimit tokësor. Sepse nëse para disa vitesh ishte e pamundur të perceptohej të uleshe me Greqinë për këtë proces, sot po ulemi të diskutojmë për një marrëveshje të re. Marrëveshja që na la Berisha është relike e së shkuarës dhe nuk besoj se ka njeri që mendon se ne u ulëm me Greqinë pas kaq e kaq vitesh për të bërë një marrëveshje të keqe.

Nuk dua t’u hyj basteve që kanë vendosur. Kam dëgjuar Bashën që ka thënë se nëse marrim 1 km më shumë nga marrëveshja e 2009-ës, ne do t’i duartrokasim, sikurse kam dëgjuar Berishën që thotë nuk miratohet kjo marrëveshje. Ne jemi duke diskutuar teknikisht. Kontributi më i mirë është të sillemi me seriozitetin dhe maturinë e përgjegjshmërinë që kërkon ky proces, i cili nuk është i lehtë. Mes fqinjëve ka gjithmonë dallime, por nuk mund të mbetemi peng i këtyre dallimeve. Është detyra jonë të shohim nga e ardhmja dhe mendoj se qeveritë tona kanë bërë përpjekje të lavdërueshme dhe është koha që ne këto përpjekje t’i finalizojmë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.