Intervista

Megina Laçka: Si të trajtoni aknet në fytyrë, këshillat

14:35 - 11.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Një lëkurë e bukur dhe e shëndetshme është ëndërr për çdo person e veçanërisht për femrat. Por në momentin kur niveli i hormonit androgjen rritet, atëherë shfaqen aknet, kjo nis që në periudhën e adoleshencës. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, dermatologia, njëkohësisht biokimistja Megina Laçka tregon të gjithë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e këtyre puçrrave. Ajo më tej jep disa këshilla të vlefshme për një trajtim sa më efikas të akneve.




Çfarë janë aknet?
Aknet njihen në mjekësi me emrin Akne Vulgaris dhe përkufizohen si një sëmundje e lëkurës, e cila përfshin gjëndrat e yndyrës në bazën e folikulave të qimeve. Zakonisht sëmundja shfaqet gjatë moshës së pubertetit, kur sapo fillojnë të zhvillohen gjëndrat e yndyrës – këto gjëndra stimulohen nga hormone mashkullore, të cilat prodhohen në gjëndrat mbiveshkore, si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt.

A është e rrezikshme kjo sëmundje dhe si zhvillohet?
Aknet nuk janë të rrezikshme, por mund të lënë shenja në lëkurë. Lëkura e njeriut ka pore (vrima të vogla në lëkurë) të cilat lidhen me gjëndrat e yndyrës nën lëkurë. Gjëndrat lidhen me poret nëpërmjet folikulave – kanale të vogla. Këto gjëndra prodhojnë sebum, një lëng yndyror. Sebumi mbart qelizat e vdekura përmes folikulave drejt sipërfaqes së lëkurës. Gjithashtu, një qime e vogël rritet nëpërmjet folikulës jashtë në sipërfaqen e lëkurës. Puçrrat zhvillohen kur folikulat bllokohen, gjë që rezulton në akumulimin e yndyrës nën lëkurë. Puçrrat zakonisht shfaqen në fytyrë, shpinë, kraharor dhe qafë. Qelizat e lëkurës, sebumi dhe qimet grumbullohen bashkë në një masë të përbashkët, e cila infektohet nga bakteret dhe rezulton në inflamim. Puçrra fillon të zhvillohet kur kjo masë fillon të shpërbëhet.

Cilat janë disa nga llojet e akneve?
Ka disa lloj puçrrash akneike si: pikat e bardha që zakonisht zhvillohen dhe qëndrojnë nën lëkurë dhe janë shumë të vogla; pikat e zeza që janë qartësisht të dukshme e shfaqen në sipërfaqen e lëkurës. Pikat e zeza nuk shkaktohen nga papastërtia dhe gërryerja e fërkimi i ashpër e lëkurës nuk i eliminon pikat e zeza. Ndërkohë edhe papulat (zonëza të inflamuara) janë të dukshme në sipërfaqen e lëkurës, këto janë ngritje të vogla të lëkurës, në ngjyrë rozë; ndërsa pustulat janë qartësisht të dukshme në sipërfaqen e lëkurës, të kuqe në bazë dhe kanë qelb në majën e tyre. Edhe nobulet janë të dukshme në sipërfaqen e lëkurës, këto janë puçrra të forta dhe të mëdha, të dhimbshme dhe të rrënjosura thellë në lëkurë. Ndërsa cistet janë të dhimbshme dhe të mbushura me qelb. Cistet në shumicën e rasteve shkaktojnë plagë.

Çfarë i shkakton këto puçra?
Shkaku kryesor është rritja e niveleve androgjene – androgjeni është një tip hormoni. Këto nivele rriten me hyrjen në fazën e adoleshencës. Rritja e niveleve androgjene shkakton rritjen e gjëndrave të yndyrës nën lëkurë; gjëndrat e zmadhuara prodhojnë më shumë yndyrë, yndyra e tepërt shkatërron muret qelizore në pore dhe kjo shkakton rritjen e baktereve. Gjithashtu, disa studime thonë se predispozicioni për akne në lëkurë mund të jetë gjithashtu gjenetik. Disa medikamente që përmbajnë litium dhe androgjen mund të shkaktojnë gjithashtu akne. Produktet e yndyrshme kozmetike mund të shkaktojnë akne tek njerëzit që kanë predispozicion për akne. Gjithashtu, ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë akne.

Si bëhet trajtimi i akneve?
Mënyra se si trajtohen aknet mund të varet nga ashpërsia dhe persistenca e tyre. Lani fytyrën dy herë në ditë, jo më shpesh. Përdorni sapun të butë e delikat dhe ujë të ngrohtë. Mos gërryeni lëkurën. Pas pastrimit përdorni një locion, i cili përmban benzoyl peroksid. Mos i shtrydhni puçrrat. Duke i shtrydhur e shtyni infeksionin akoma më poshtë nën lëkurë, duke shkaktuar më shumë bllokim dhe skuqje e ënjtje të mëtejshme. Shtrydhja e puçrrave shkakton gjithashtu plagë dhe shenja. Gjithmonë lajini duart para se të prekni fytyrën. Lajini gjithashtu edhe para se të aplikoni kremra, locione apo makiazh. Mos shkoni asnjëherë në gjumë me makiazh në fytyrë. Përdorni makiazh që nuk përmban vaj dhe nuk bllokon poret. Flokët grumbullojnë sebum dhe qeliza të vdekura lëkure. Pastrojini rregullisht dhe mbajini larg fytyrës. Dielli i tepërt mund të shkaktojë mbiprodhimin e yndyrës.

A ka ndonjë produkt natyral që e rekomandoni për trajtimin e kësaj sëmundjeje?
Mukusi i kërmillit është një nga substancat më të mira për trajtimin dhe rigjenerimin e lëkurës, ndoshta trajtimi më i plotë dhe më i balancuar i krijuar ndonjëherë për kujdesin ndaj lëkurës. Ai përmban antioksidantë që janë në gjendje të ngadalësojnë procesin e plakjes, duke eliminuar radikalet e lira dhe përmbajtja e saj proteinike është e rëndësishme për t’i dhënë lëkurës një jetë të shëndetshme, të re dhe të tonifikuar. Mukusi i kërmillit hidraton lëkurën, e mban atë të shndritshme dhe të ushqyer, e mbron nga rrezet ultravjollcë, duke parandaluar në këtë mënyrë plakjen e parakohshme të saj. Ai ngadalëson daljen e rrudhave dhe e stimulon lëkurën që të prodhojë më shumë kolagjen, si një nga substancat përgjegjëse për elasticitetin dhe bukurinë e lëkurës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.