DOSSIER

Nelson Mandela, një lider mes luftës dhe paqes

13:50 - 11.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Spartak Topollaj – Pas pak javësh do të mbushen plot 100 vite (saktësisht më 18 korrik), nga dita kur lindi në Mvezo të provincës së Kejpit në Afrikën e Jugut, Nelson
Rolihlahla Mandela, ky personalitet i madh afrikan i rangut botëror i dy shekujve të fundit, i shquar veçanërisht për qëndresën legjendare gati 30- vjeçare në burgjet e tmerrshme të regjimit racist të aparteidit, prej nga ku edhe drejtoi plot sukses, e mes vështirësish të panumërta, luftën për liri e të drejta të barabarta të popullsisë autoktone me ngjyrë, deri në fitore, kundër diskriminimit racial, e segregacionit. Por, a njihet ai plotësisht nga shqiptarët dhe pse në një farë kuptimi, Mandela iu mbeti borxhli atyre?!…




Në foto: Spartak Topollaj

REPUBLIKA E AFRIKES SË JUGUT (DIKUR BASHKIMI JUGAFRIKAN)
Me mbi 55 milionë banorë dhe sipërfaqe 1 290 090 km2, Republika e Afrikës së Jugut është ndër shtetet më të mëdha të kontinentit të zi. E veçantë është se ky shtet mund të jetë i vetmi vend i botës me tre kryeqytete: Pretoria, me qeverinë e administratën qendrore, Kejptaun me legjislativin, pra parlamentin dhe Bloemfontein ku ndodhet pushteti gjyqësor. E megjithatë, qyteti më i madh nuk është asnjë prej tyre, por Johannesburg, i cili mund të quhet edhe si kryeqyteti i katërt, pasi në fakt është edhe kryeqendra ekonomike. Në këtë vend, saktësisht në Transvaal, janë gjetur gjurmë të një prej qytetërimeve më të lashtë, mbi 10-mijëvjeçar të të mbiquajturit homo sapiens sapiens. Etnitë më të vjetra janë Khoikhoi, Boshmenët, Bantu, Zulu dhe Xhosa. Europiani i parë që mbërriti në këto brigje të mrekullueshme më 1487 ishte Bartolomeo Diaz, prej të cilit morën edhe emrin, Kepi i Shpresës së Mirë. Shpejt filloi të tregojë interes dhe synime kompania holandeze e Indive Lindore, e pas saj edhe vetë Vendet e Ulëta, deri sa Napolon Bonaparti që ngadhnjeu në tërë Europën, bëri të dobësohet së tepërmi pushteti dhe ndikimi i tyre. Nga kjo rrethanë përfituan britanikët, të cilët e rritën praninë e tyre në këto vise të jugut afrikan, ku boerët (katundarët holandezë) kishin krijuar disa republika të vogla, si Orançh, Natal dhe Transvaal. Personalitete të shquara të kësaj kohe ishin Paul Kruger dhe Marthinus Wessel Pretorius. Në fund të shekullit të 19 e fillim të shekullit të 20-ës zhvillohet Lufta Anglo-Boere, fituar nga të parët, e që më 1914 çoi në krijimin e Dominionit Britanik të Bashkimit Jugafrikan, pjesë e Commonuealth-it. Kuptohet që Lufta e I Botërore i rreshtoi pro Britanisë. Më 1931 Afrika e Jugut fitoi një autonomi të pjesshme, ndërsa në prag dhe gjatë Luftës së II Botërore, një pjesë e boerëve u shpallën pro nazistë, çka çoi në dorëheqjen e kryeministrit James Barry Munnik Hertzog para governatorit të përgjithshëm, Sir Patrick Duncan, i cili e zëvendësoi me paraardhësin e tij Jan Christiaan Smuts. Edhe pse kish vite që përpunohej teorikisht dhe zbatohej herë spontanisht e herë e organizuar, doktrina dhe praktika e aparteidit, diskriminimit racial dhe segregacionit, u zyrtarizua vetëm pas Luftës së II Botërore, më 1948. Ideologu kryesor dhe zbatuesi në praktikë i aparteidit ishte Hendrik Frensch Verwoerd, kryeministër në vitet 1956-1966, të cilit mund t’i njihet edhe “merita” e krijimit të Bantustaneve. Më 31 maj 1961 Afrika e Jugut shpallet republikë e pavarur, çka edhe solli përjashtimin e menjëhershëm të saj nga Comonnwelthi britanik. Kryeministrat që pasuan ishin respektivisht: Balthazar Johanes Voerster 1966-1978, Marais Viljoen 1979-1984, Pieter Willem Botha 1984-1989, madje ky gjeti aleancë me Swazz-it e Mbretit Sobhuza i II. Nga 1989-1994 Frederik Willem de Klerk, me të cilin merr fund njëherë e përgjithmonë edhe aparteidi në Afrikën e Jugut! Pak shtete në botë kanë pasuri dhe klimë si Afrika e Jugut, madje ajo duhet të zërë vendin e parë në kontinent për nga prodhimi i përgjithshëm bruto (rreth 400 000 milionë $ PIL nominale dhe PIL-PPA, rreth 600 000 milionë $). Ajo shquhet për diamantet, arin, platinin, hekurin, kromin, bakrin, uraniumin dhe qymyrin etj. Sot mbi 80% e popullsisë janë njerëz me ngjyrë, ndërsa të bardhët, më pak se10%, po aq sa edhe të përzierit. Ka 11 etni, ku tri kryesoret janë Zulu – 23%, xhosa – 18% dhe Sotho – 16%. Shumica janë të krishterë dhe vetëm 1,5% myslimanë.

JETA E MANDELËS
I lindur nga prindër Nosekeni Fanny dhe Gadla Henry Mphakanyiswa – familja “mbretërore” Thembu, të etnisë xhosa, si emër të parë pati Rolihlahla Mandela (në shqip-Grindaveci, edhe pse ai kurrë s’u bë një i tillë, se më së shumti predikoi paqen dhe pajtimin). Në shkollë e regjistruan si Nelson Mandela, ndërsa brenda klanit të tij thirrej Madiba ose Dalibunga. Si akt i parë i rebelimit, atij i njihet refuzimi për t’u martuar me atë që kish përcaktuar Dalindyego, kreu i tribusë së tij, ndaj dhe bashkë me kushëririn e vet Justice, që gjithashtu po kalonte të njëjtën situatë, shmangën fejesat me shkuesi dhe ia mbathën për në Johanesburg, ku iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan (KKA). Aty u njoh, u dashurua dhe u martua në vitin 1944 me bashkëshorten e tij të parë Evelyn Ntoko Mase, me të cilën bëri katër fëmijë, por u divorcua më 1958. Studimet për drejtësi i kreu shkëlqyeshëm në dy universitete, Fort Hare dhe Witwatersrand. Mandela, në fillim përqafoi ideologjinë UBANTU, një ndërthurje e internacionalizmit brenda kuadrit social-demokrat të nacionalizmit afrikan. Fare i ri, rreth të 25-ave, së bashku me Walter Sisulu-n e Oliver Tambo-n e të tjerë themeluan Lidhjen e Rinisë. Fitorja elektorale e Partisë Nacionaliste pro Aparteid më 1948 bëri që KKA të organizohet në fushatën e rezistencës antiaparteid, gjatë së cilës Mandela shquante mbi të tjerët, sidomos për kontributin e dhënë në hartimin e Kartës së Lirisë nga Asambleja Popullore-1955. I frymëzuar nga Marksi dhe nën ndikimin edhe të Revolucionit Kuban, Mandela themeloi lëvizjen e armatosur Umkhonto We Sizwe. Në Afrikën e Jugut ishte themeluar edhe Partia Komuniste, që në të vërtetë ishte pjesë dhe krahu i majtë i KKA.

Mandela ishte njëri prej liderëve kryesorë të saj. Nga ana tjetër, ai së bashku me Tambon hapën studion ligjore ‘M & T’, e cila ofronte asistencë falas, apo me kosto të ulët për të varfrit e të pambrojturit. Tani për Mandelën fillon periudha e persekutimit të egër nga regjimi racist i aparteidit. Ai së bashku me 150 të tjerë më 5.12.1956 arrestohen nën akuzën e tradhtisë së lartë. Procesi gjyqësor që zgjati plot 5 vjet vërtetoi jo vetëm forcën e karakterit të Mandelës, por edhe nivelin e lartë të përgatitjes juridike të tij dhe bashkëluftëtarëve, aq sa edhe gjykatësit e regjimit u detyruan t’u japin pafajësinë!

Ndërkohë, më 21 mars 1960, pas një proteste të mijëra njerëzve të paarmatosur, ndodhi masakra e Sharpeville ku u vranë 69 protestues (10 fëmijë e 8 gra), e u plagosën 180 të tjerë (31 gra dhe 19 fëmijë). Kjo është koha kur pas ndalimit me ligj të KKA, Mandela dhe shokët e tij përsërisin thirrjet për rezistencë të armatosur. Që nga 1958, pra pas divorcit me bashkëshorten e parë, Mandela kish realizuar një martesë të dytë me Winnie Madikizela (1936-2018, e lindur Nomzamo Winifred Zanyiwe Madikizela Nkosikazi Nobandle, në Bizana-Pondoland), me të cilën divorcohet më 1992 (zyrtarisht më 1996). Ndërsa me të parën pati katër fëmije, Mandela me Winnie-n kishin dy vajza, Zenani (1958) dhe Zinziwa (1960). Mendohet që shkak kryesor i divorcit me të, të kenë qenë akuzat e rënda për abuzime, korrupsion e deri nxitje për vrasje, megjithëse duhet thënë se misteri dhe enigmat e shoqëruan atë deri në vdekje. Më 11.06.1963, në Liliesleaf Farm të Rivonias arrestohen krerët më të rëndësishëm të KKA me Mandelën në krye, e përsëri po me të njëjtën akuzë: tradhti e lartë e sabotim!

Me gjithë vetëmbrojtjen e shkëlqyer të të akuzuarve dhe të treshes së famshme të avokatëve Joel Joffe, Arthur Chaskalson e George Bizos, kësaj here gjykatësit racistë të regjimit nuk mund t’u jepnin më pafajësinë (përjashtuar njërit, Rusty Bernstein), madje përkundrazi, në përfundim të gjykimit, më 12.07.1964 i dënuan me burgim të përjetshëm, apo afate shumë të gjata burgimi. Në 16 korrik të vitit 1976, një tjetër masakër, kësaj radhe akoma më e madhe ndodhi në Soweto, gjatë së cilës vetëm ditën e parë u vranë 23 protestues paqësorë, ndër të cilët adoleshenti 13-vjeçar Hektor Pieterson, heroi dhe simboli i protestës.

Kjo masakër e regjimit racist të kryeministrit Vorster mori përmasa shumë më të mëdha se ajo e Sharpeville, ngaqë numri i të vrarëve shkoi rreth 500, e ai i të plagosurve mbi 1000. Edhe pse i izoluar, Mandela vazhdonte i paepur qëndresën në të gjitha format e mundshme, e plot 6 vite pas burgosjes (15.07.1980), ia mbërriti të hartonte e shpërndante nga burgu një manifest të KKA. Në shkurt të 1985-ës, ai refuzon me neveri dhe hedh poshtë lirimin me kusht nga burgu, në këmbim të heqjes dorë nga lufta. Do të ishte 11 shkurti i 1990-s, dita kur pas urdhrit të presidentit F.W. de Klerk, Mandela, tashmë pa asnjë kusht, lirohet nga burgu. Kishin kaluar jo pak, por 27 vite të një izolimi të tmerrshëm, mes dhunës e lagështirës së tre burgjeve, ‘Robben Island’, ‘Pollsmoor Prison’ dhe ‘Victor Verster Prison’, që i shkaktuan edhe tuberkulozin e rëndë. Por ai mbijetoi plot dinjitet, duke hapur një tjetër faqe, jo më pak të lavdishme të jetës së tij. Një rol të rëndësishëm në luftën kundër aparteidit e dallimit racial, si dhe për lirimin e Mandelës luajti edhe Desmond Mpilo Tutu (1931), Kryepeshkop i Kejptaunit, Peshkop i Johannesburgut dhe Peshkop i Lesothos, i cili më 1984, pikërisht për këto vlera, ishte nderuar me çmimin Nobel. Ende pa dalë nga burgu, më 1988, Mandelës i akordohet çmimi ‘Sakharov’ për Lirinë e Mendimit, më pas shumë e shumë çmime e dekorata të larta, ku më i rëndësishmi mbetet ai Nobel për Paqe më 1993. Interesant mbetet fakti se ky çmim iu akordua në të njëjtin vit edhe presidentit të kohës, F. W. de Klerk, me të cilin Mandela negocioi deri sa ia mbërriti qëllimit, organizimit të të parave zgjedhje të përgjithshme multiraciale demokratike, të fituara nga Partia e Mandelës, që u zgjodh dhe presidenti i parë me ngjyrë i Republikës së Afrikës së Jugut,(27.04.1994 – 14.06.1999 de jure) me zv.president të parë Thabo Mbeki dhe të dytë ish-presidentin de Klerk, gjest shume domethënës ky, por jo sa krijimi i Komisionit të së Vërtetës e Ripajtimit Kombëtar, ku dhe u shfaq e plotë madhështia e personalitetit të Mandelës, si lider gati unikal në botë. Ai e kreu detyrën e presidentit (nga 10 maj 1994-16 qershor 1999 de facto), pra vetëm një mandat.

Në zgjedhjet e reja president doli Mbeki, që u rizgjodh edhe për një mandat të dytë, i cili ia dorëzoi mandatin presidentit të ri, vetëm për një ditë (Ivy Matsepe-Casaburri 24-25 shtator 2008), pas të cilit, deri në maj të 2009-ës, Kgalema Motlanthe, që zëvendësohet nga Jakob Zuma, deri më 14 shkurt 2018. President aktual është zgjedhur Cyril Ramaphosa, të gjithë këta presidentë pa përjashtim, ishin përfaqësues nga KKA.
Gjatë presidencës së tij, kur edhe diskriminimi racial mori fund e u ngrit Komisioni i së Vërtetës e Ripajtimit Kombëtar, bota demokratike i njohu merita të jashtëzakonshme Nelson Mandelës, këtij lideri gati unikal, ndërsa vetë ai kishte peng të jetës dështimin e institucioneve dhe autoriteteve shtetërore në luftën ndaj HIV/AIDS-it (u dyfishua numri i të prekurve prej saj, nga 7.6% në 14.2%), edhe pse ai këmbënguli me të madhe në mos diskriminimin e tyre. Pengu tjetër i tij ishte vendimi për pjesëmarrjen e trupave afrikano-jugore në kundërshtimin e grushtit të shtetit në Lesoth-1998, që rezultoi i gabuar dhe kontravers.

Nga ana tjetër, personaliteti e reputacioni që kishte, çoi në frymëzimin dhe pranimin e këshillave të tij nga ana e përfaqësuesve të SINN FEIN-it irlandez, në tratativat e paqes me qeverinë britanike. Në ditën e 80-vjetorit të lindjes, 18.06.1998, Mandela realizoi edhe martesën e tij të tretë e të fundit, kësaj here me Graça Machel, të venë e presidentit 53-vjeçar mozambikas, të vrarë më 19 tetor 1986, Samora Moises Mashel (në një aksident ajror, ende plot pikëpyetje, me TU – 134, në Mbuzini të maleve Lebombo, në Afrikën e Jugut). Graça e lindur Simbine më 1945 ishte gruaja e dytë e tij (1975-1986), pas Josina Mutembe-s.
Mandela ishte zgjedhur për një vit, 1998-1999 sekretar i përgjithshëm i të Paangazhuarve, ndërkohë që prej korrikut ’91-dhjetor ’97-të qëndronte në funksionin edhe të presidentit të Kongresit Kombëtar Afrikan.

Pas tërheqjes nga Presidenca, ai i vazhdoi angazhimet e tij për të drejtat shoqërore e civile të njeriut, e dha kontribut të madh që Afrika e Jugut të fitonte të drejtën e organizimit të “Botërorit 2010”, në ceremoninë e hapjes së të cilit, një fatkeqësi e rëndë familjare e detyroi të mos merrte pjesë. Sidoqoftë, në finalen Spanjë-Holandë (1-0) dhe ceremoninë përmbyllëse shumë të suksesshme të këtij Botërori ishte prezent, e nëse na lejohet të fantazojmë, një Zot e di se ç’mund të ketë ndjerë ai në këtë humbje tjetër të pasardhësve të boerëve në tokën e lashtë të vendit të tij. Nelson Mandela njihej dhe vlerësohej përpos të tjerave, edhe për inteligjencën e madhe dhe kulturën e thellë. Ai ishte një studiues e lexues i palodhshëm, admirues pasionat i letërsisë, madje janë ruajtur shumë lirika, poezi e poema të tij në holandisht e anglisht, frymëzuar nga idhulli i tij, poeti britanik William Ernest Henley (1849 -1903), sidomos me poemën e tij “Invictus”.

NE VEND TË EPILOGUT – MANDELA DHE SHQIPTARËT
Me Afrikën e Jugut e më pas edhe me vetë Mandelën lidhet edhe mërgimi mbi 22-vjeçar i familjes mbretërore shqiptare në këtë vend. Pas vdekjes së Mbretit Zog në spitalin Foch, në Suresnes, afër Parisit (09.04.1961), Mbretëresha Geraldinë (06.08.1915- 23.10.2002), kjo zonjë e madhe dhe e respektuar, e njohur edhe si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, që u ndje shqiptare që ditën e parë të njohjes e lidhjes me Ahmet Zogun në Tiranë, 31. 12.1937, e deri sa ndërroi jetë po në Tiranë 23.10.2002, së bashku me të birin Leka (05.04.1939-30.11.2011), u larguan nga Franca për në Spanjë, ku Franko u dha imunitet diplomatik dhe strehim politik. Me vdekjen e Frankos, në Spanjë restaurohet monarkia e Burbonëve me mbretin Huan Karlos. Leka u ndje komod në fillim për arsye të kuptueshme, pasi ai ishte mik me mbretin Huan Karlos, që duhej ta dinte aleancën e miqësinë e mbretërve të Aragonës, Katalonjës, Siqelisë e Napolit me Heroin Kombëtar të shqiptarëve, atletin e madh të Krishtërimit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Por kjo nuk zgjati shumë, pasi qeveria spanjolle e Adolfo Suarez-it, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, më 22 janar të 1979, kërkoi largimin e mbretit Leka, duke caktuar edhe datën 1 shkurt si afat të fundit! Idetë dhe programi i Lekës për një Shqipëri etnike (pra shkëputja e Kosovës nga Jugosllavia i trembte të djathtë e të majtë, pse jo dhe vetë Mbretin në Spanjë, se problemi Katalan iu qëndronte, ashtu si dhe iu qëndron më tepër se kurrë aktualisht, si shpata e Damokleut mbi kokë).

Geraldina ndenji në Madrid, ndërkohë që Leka me mbretëreshën Suzanë fluturuan përmes Gabonit për në Rhodezi, ku iu dha strehim politik nga Jan Smith. Rënia e këtij të fundit nga pushteti dhe ardhja e diktatorit marksist Mugabe (njerëzit e të cilit ishin stërvitur në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe në Kinë) në krye të shtetit rhodezian – prill 1980, që mori emrin Zimbabëve, e detyroi Lekën të largohet për në Afrikën e Jugut, ku edhe ndihej më i sigurt. Aty blenë një fermë në Transvaal, afër Johanesburgut dhe u sistemuan mirë me idenë e një qëndrimi relativisht të gjatë, i cili zgjati plot 22 vite, deri më 22 qershor 2002, kur edhe u kthyen përfundimisht në atdhe. (Vetë Leka kishte ardhur edhe dy herë të tjera më parë në Shqipëri, më 1993 e 1997, po kjo është një tjetër histori, që ndoshta meriton një shkrim më vete.) Në mars të 1982, në Johanesburg lindi edhe princi Leka, ndërsa Geraldina dhe motra e saj Virginia erdhën në Afrikën e Jugut më 1995-ën. Raportet e Leka Zogut me pushtetin në vitet kur President i Afrikës së Jugut ishte Nelson Mandela, kaluan mes disa luhatjesh. Për arsyet që i kemi shpjeguar edhe më sipër, kjo nuk duhej të ndodhte, se në fund të fundit, shqiptarët e deshën Mandelën.

Nelson Mandela ishte dhe mbeti një personalitet i madh, të cilin shqiptarët e njihnin mjaft mirë dhe e vlerësonin shumë lartë. Për dekada të tëra, çdo ditë në faqet e katërta të gazetave tona, vështirë të mungonin lajmet, opinionet, apo analizat mbi aparteidin, diskriminimin racial, masakrat, gjyqet politike, ekzekutimet, e pa diskutim edhe për qëndrestarin e paepur të popullit afrikano-jugor, ashtu siç ndodhte edhe me Radio Tiranën e fuqishme për propagandën komuniste në shqip e në gjuhë të huaja; deri në fund të botës, e më pas edhe me Radio Televizionin Shqiptar. Lirimi i Mandelës nga burgu erdhi njëkohësisht me lirinë e shqiptarëve, pas 50 viteve diktaturë gjakatare. Nuk di, nëse Mandela mësoi ndonjëherë se në burgjet e tmerrshme shqiptare të komunizmit pati shumë e shumë Mandela. Pjetër Arbnori, Osman Kazazi, Adem Demaçi, Sami Dangëllia (43 vite burg, ku edhe vdiq, rast për rekordet Guiness) Rahman Parllaku, Adem Allçi, Jusuf Vrioni, Musine Kokalari e mijëra e mijëra të tjerë këtej e andej kufirit, pra gjithsesi në trojet shqiptare (vetëm të ekzekutuar mbi 6000). Ndërsa ne merrnim e ushqeheshim çdo ditë me lajme për aparteidin dhe Mandelën, ky i fundit nuk dinte se një aparteid shumë më kriminal, poshtërues e depersonalizues ishte politikë zyrtare e një regjimi stalinist, në Shqipërinë vogël e të largët të një diktatori paranojak, Enver Hoxhës, aparteid që hebreu Marks i fantazmës së komunizmit e quajti lufta e klasave. E nëse kjo mund t’i falet për periudhën e gjatë të burgimit, pas daljes në liri, aq më tepër kur edhe u bë president i takonte të tregonte, minimumi një mirënjohje publike ndaj shqiptarëve, për të cilën koha dhe historia ia dhanë rastin, në gjallje të tij, madje kur kulmonte dhe kish mbërritur apogjeun e famës e pushtetit të vet! Presidenti i parë demokrat i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha ishte ndër të parët kryetarë shtetesh që përshëndeti sinqerisht e përzemërsisht Mandelën kur u zgjodh president. Heshtjen e pakuptueshme të tij në ditët e krimeve gjenocidiale të serbo-mëdhenjve milosheviçianë, masakrave si ajo e Raçakut, aq e ngjashme me ato të Sharpëvilit e Sowetos, deportimit me dhunë të 1 milion shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta etj., ne nuk e kuptuam kurrë! Dhe Kosova kishte në krye një personalitet vizionar, predikues i rrugës paqësore, dr. Rugovën, të quajtur Ghandi i Ballkanit, ashtu si kishte djemtë e FARK-ut (jo atij kolumbian), e pa diskutim dhe luftëtarët trima të UÇK-së, të kalibrit si ai i legjendës Adem Jashari. Mandela, s’kish si të mos e dinte që NATO dhe SHBA bombarduan për 58 ditë e net rresht Serbinë, deri dhe vetë Beogradin, në pranverën e 1999-ës, pra kur Mandela akoma ishte president! Natyrisht, personalitete të këtij formati janë gjithnjë komplekse e të diskutueshëm, megjithatë, ata kurrë nuk duhen idealizuar. Pas 2010-ës, gjendja shëndetësore e Mandelës erdhi duke u rënduar, për shkak të vuajtjeve në kushtet e rënda të burgimit rreth 30-vjeçar, veçanërisht tuberkulozit, por edhe të tjera diagnoza, stresi, mosha e shtyrë dhe humbja e rëndë në aksident e stërmbesës 13-vjeçare Zenani, vetëm pak orë para ceremonisë së hapjes së Botërorit dhe ndeshjes Afrikë e Jugut-Meksikë (vite më parë i kishin vdekur vajza Makazivve me gruan e parë, Evelinën dhe djali Makgatho Lewanika më 2005 nga HIV/AIDS me të dytën, Winin) e çuan Mandelën drejt shuarjes, në amshim më 5 dhjetor të 2013-ës, në Guateng afër Johanesburgut, vetëm disa muaj pasi i kish mbushur 95 vjetët.
Shënim

KKA (Kongresi Kombëtar Afrikan) i ka fillimet që nga 1890, po zyrtarisht njihet 8 janari 1912. Themelues: Msane, Gumede, Dube, Seme dhe Sol Plaatje. Më 1944 krijohet Lidhja e Re e KKA nga Anton Lembede, ndërsa më 1946, pjesë e KKA bëhet edhe Partia Komuniste e Afrikës së Jugut dhe Sindikata e Minatorëve.
Albert John Lutuli (1898-967), çmimi Nobel për Paqe. 1960- Kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan (1952 – 1967), i pari joeuropian dhe i pari personalitet me ngjyrë që merr Nobel.

Dr.Alfred Bathini Xuma (1893-1962), president i përgjithshëm i KKA, (1940-1949).
James Sebe Moroka (1891-1985), president i KKA (1949-1952).
Oliver Reginald Kaizana Tambo (1917- 993),`president i KKA (1967-1991).

(Autori është historian dhe diplomat)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.