OPINION

Baba mos vrit mamin, por mentalitetin dhe alkoolin!

10:34 - 12.06.18 Enkel Xhangoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Enkel Xhangoli




Të dhunosh nuk është trimëri apo burrëri, por veçse një akt i cili tregon karakterin e dobët të një mashkulli. Aq më shumë kur kjo dhunë ushtrohet mbi një femër, mbi një nënë a motër, kjo burracakëri deri në kufijtë e çmendurisë. Vetëm në gjysmën e këtij viti kemi 6 gra të vrara nga burrat e tyre, ku pothuajse të gjitha rastet janë të ngjashëm ose xhelozi e vazhdueshme, ose një konflikt i momentit që rezulton fatal.

Edhe pse jemi në vitin 2018, ku njerëzit duken më te emancipuar apo më mendje hapur, duket sikur kjo shoqëri po përpiqet të ndryshojë jetesën sociale jashtë, ndërsa brenda mureve të shtëpisë përplasemi përsëri me mentalitetin e shekujve të shkuar.

Brenda këtyre ne si shoqëri (jo të gjithë) jemi aq të prapambetur sa nuk mund të bëjmë dot ndarjen e një femre nga një mall, e një femre nga një pronë, pasi brenda atyre mureve na duket vetja zot të gjithçkaje.

Shprehja “të rrah për të mirën tënde”, ose “kush të rreh të do”, për mendimin tim janë shprehjeje të  vjetra të nxjerra nga një shoqëri e dhunës të cilat nuk kanë vend në një shoqëri të cilën po përpiqemi të ndërtojmë prej gati 30 vitesh. Krimin në familje nuk mund të lindi vetëm nga mentaliteti apo prapambetja e një personi apo grupi të caktuar, ai mund të lindi dhe nga kushtet e këqija ekonomike apo problemet me alkoolin.

Shumë denoncime bëhen në polici nga gra të cilat dhunohen nga burrat nën e efektin e alkoolit dhe shumë e shumë të tjera të cilat zgjedhin të durojnë grushtet dhe shqelmat për të mos prishur apo për të mos lejuar paragjykimin e familjes në sy të të afërmve apo dhe të komshinjve.

Kur një femër bën zgjedhjen e dytë, jeta e saj vihet në rrezik, madje deri në vdekje për të mbrojtur nderin e familjes që është përdhunuar e nëpërkëmbur nga burri, i cili jo vetëm që harron vlerën e një gruaje, por harron rëndësinë e një familjeje dhe të fëmijëve të tij.

Sa e sa fëmijë janë bërë dëshmitarë të vrasjeve të nënave të tyre nga baballarët dhe shumë të tjerë durojnë dhunën fizike dhe psikologjike të një babai pijanec. Një babi i cili urren veten duke shkatërruar të tjerë.

Çfarë shembulli mund të japë një baba i tillë një fëmije? Si mund të presësh që ky fëmijë të shkollohet dhe formohet normalisht?

Brtimat dhe lutjet e nënës së tij për mëshirën e babait jam i bindur që do ta shoqërojnë atë gjithë jetën, ashtu si jam i bindur që ky fëmijë nuk do e falë kurrë një baba të tillë. Një familje ku ndërthuret alkooli dhe xhelozia rezultati është dhunë dhe në jo pak raste dhe vdekje.

Nëse do të hedhim sytë në instancat e ndryshkura shoqërore do gjemë me dhjetëra raste të cilat grat me urdhër mbrojtje janë dhunuar dhe vrarë sikur shtet të ishte inekzisten. A duhet të mbajë shteti përgjegjësi për këtë?

Sigurisht që po, por kush është dënuar deri më sot se një urdhër mbrojte nuk ka funksionuar ashtu siç parashikohet në ligj?! Askush! Si gjithmonë haraçin dhe kërbaçin e mbajnë gratë, nënat apo motrat, pasi burrat “kuvendojnë” me telekomandën e televizorit në dorë dhe shishen e rakisë në dorën tjetër brenda mureve të shtëpisë së tyre.

Sigurisht që raste të tilla provokohen ose shiten dhe si shembuj të gatshëm edhe nga vetë mediat, pasi në vend ti kushtohet hapësirë apelit kundër dhunës, i jepet rëndësi se si ndodhi lajmi, madje duke e përcjellë viktimën deri në banesën e fundit. Kjo është përgjegjësi e media, pasi me dashe apo padashje dhe ajo ka rolin e saj.

Mendoj që për aq kohë sa gruaja mendon se po u martua i përketë burrit dhe do kemi neglizhenca për denoncimin e rasteve të dhunës, do vijojmë të numërojmë viktimat e krimit në familje. Dua që gratë të besojnë se ajo dhe burri i përkasin njëri-tjetrit dhe në momentin që ai zgjedh rrugën e “djallit” ajo duhet të distancohet dhe ti drejtohet drejtësisë pa u menduar dy herë.

Ndoshta kështu, nuk do të kemi më fëmijë që bëhen dëshmitarë të vrasjeve të nënave, apo gjyshër që rrisin nipër jetimë duke vajtuar fëmijën e tyre. Shpresoj dhe besoj se kjo shoqëri po ndryshon, por më parë duhe të ndryshojë brenda mureve të shtëpisë për ta përcjellë atë më pas dhe jashtë saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.