Kryesore

Vendimi i qeverisë, nga 1 korriku rritje pensionesh për 665 mijë vetë

14:15 - 13.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi – 665 mijë pensionistë do të kenë një rritje pensioni prej 2.8% duke filluar nga data 1 korrik. Kjo u vendos dje, në mbledhjen e qeverisë, e cila u zhvillua në Durrës. Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp, në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Durrës tha se “… për 665 mijë pensionistë kemi rritur pensionet mbi inflacionin”. “Nëse i referohemi shifrave, kemi vendosur 15 milionë dollarë plus në paketën e pensioneve me 2.8% rritje, duke nisur nga 1 korriku 2018”, – tha Rama.




Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë indeksim në masën 2.8 për qind, iu bëhet pensioneve të anëtarëve të kooperativave bujqësore, pensioneve sociale, shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”; pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Nga ky vendim fitojnë edhe ish-ushtarakë, familjarët e ish-pilotëve që trajtohen me pension të veçantë; veteranë, etj. sipas vendimit, “Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2018, përfshirë edhe këtë datë”.

“Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13 378 (trembëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë në muaj dhe më shumë se 26 757 (njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë në muaj”, thuhet në vendim.

Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 (shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1 545 000 000 (një miliard e pesëqind e dyzet e pesë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2018, i cili ndahet: a) 1 532 000 000 (një miliard e pesëqind e tridhjetë e dy milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve; b) 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.