EKONOMI

Studimi i BB: Ndërtimi i rrugëve rriti me 48% vlerën e banesave

13:42 - 16.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e Bankës Botërore ka kryer një studim mbi impaktin e rrugëve rurale në Shqipëri. Referuar studimit, është vërejtur se në zonat rurale ku ka pasur investime në infrastrukturë rrugore, prodhimi bujqësor është rritur dhe diversifikuar në masën 30%, kostot e prodhimit janë ulur me rreth 15% dhe punësimi është rritur në masën rreth 13%. “Studimi u shtri në të gjithë vendin dhe mbulon një periudhë 5-vjeçare i (2012-2016). Qëllimi ishte matja e impaktit që programi “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale” (PRDL) kishte në periudhën afatmesme në zonat përfituese. Analiza bazohet në studimin e ekonomive familjare të administruara në një kampion prej rreth 2,000 familjeve që jetojnë në 144 fshatra në 12 qarqe dhe konsultim me 10 fokus-grupe në të dyja fazat e studimit 2012 dhe 2016.




Në Shqipëri janë rreth 10,000 km rrugë rurale që administrohen nga Njësitë e Qeverisjes Vendore të nivelit të parë e të dytë. Disa nga gjetjet më interesante të studimit kanë të bëjnë me përmirësimin e ndjeshëm të aksesit nga infrastruktura arsimore dhe shëndetësore, rritjen e vlerës së tokës në zonat që u prekën nga programi dhe rritja e të ardhurave familjare për shkak të shkurtimit të distancës mes fermerëve dhe pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore” njofton FSHZH. Sa u përket gjetjeve, ka rezultuar se “koha e udhëtimit në spital u reduktua me 27% në komunitetet e përfituese”. “Banorët e komuniteteve përfituese kanë 12% për qind më shumë mundësi të vizitojnë qendrat shëndetësore, në rast të nevojave të vogla mjekësore në krahasim me komunitetet jopërfituese. Për më tepër, koha e udhëtimit dhe shpenzimet e udhëtimit në shkollat e mesme u zvogëluan me 31% dhe 54% respektivisht, si rezultat i përmirësimit të kushteve të rrugës” shkruhet në studim.

Po ashtu, vërehet se investimet në infrastrukturë kanë pasur ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në vlerat e tokës truall dhe bujqësore. Vlera mesatare e banesave është rritur me 48%, ndërsa çmimi i tokës bujqësore është 1.2 herë më i lartë në komunitetet përfituese në krahasim me komunitetet jopërfituese. Fermerët në zonat përfituese arrijnë më shpejt tregjet e produkteve bujqësore, ndërkohë që kostot e inputeve bujqësore dhe prodhimit bujqësor janë ulur. Prodhimi dhe diversifikimi i kulturave bujqësore është gjithashtu më i lartë 34,2% më i lartë në komunitetet e përfituese krahasuar me komunitetet jopërfituese. Analiza e të dhënave statistikore dhe intervistave të zhvilluara në terren vë në dukje se investimet në kuadër të Programit të Rrugëve Dytësore Lokale kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e perspektivave të punësimit të kryefamiljarit.

“Shkalla e papunësisë e kryefamiljarëve është 12.6 për qind më e ulët dhe vetëpunësimi është rritur me 12.9 për qind në komunitetet përfituese. Në shkallë më të gjerë, vërehet se investimet kanë pasur ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale. Tregues për këtë është rritja e shpenzimeve të konsumit të familjeve. Rezulton se pas investimit, në komunitetet përfituese shpenzimet totale familjare (ushqimi dhe shpenzimet joushqimore) janë 25% më të larta. Një fakt interesant i zbuluar nga analiza është se ndërsa zëri i shpenzimeve ushqimore në komunitetet përfituese nuk ka pasur ndryshime, shpenzimet joushqimore (veshje, pajisje, aktivitete) janë rritur me 58%. Ky fakt flet për një rritje të cilësisë së jetesës në komunitetet përfituese”, – bën të ditur FSHZH.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.