POLITIKË

Bashkëshorti i Hafizit padit LIBRA-n, i kërkon kthimin e 25 milionë lekëve

11:35 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Biznesmeni Hasan Hafizi, pronar i kompanisë së ndërtimit të rrugëve “Albavia” dhe bashkëshorti i ish-deputetes Mimoza Hafizi ka paditur në gjykatë partinë LIBRA. Hafizi i është drejtuar me një kërkesë-padi gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku kërkon prej LIBRA-s 25 milionë lekë (të vjetra), si dhe bllokimin e financave. “Politiko.al” ka siguruar dokumentin e kërkesë-padisë së Hafizit, ku bie në sy fakti se kontrata nuk është nënshkruar mes tij dhe LIBRA-s, por ndërmjet biznesmenit Hafizi dhe pronarit të ndërtesës ku është strehuar partia politike për disa muaj. Përfaqësues të partisë Lista e Barabartë pohuan se po përgatisin një reagim dhe thonë se 25 milionët që kërkon z. Hafizi janë kontributi i tij vullnetar për partinë, në të cilën në atë kohë bënte pjesë si bashkëthemeluese bashkëshortja e tij, Mimoza Hafizi. Blushi dhe Hafizi e nisën LIBRA-n si një projekt të përbashkët pasi u larguan nga Partia Socialiste, pak para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2017. Ndërkaq, në një sqarim të saj, ish-deputetja Mimoza Hafizi thotë se qiraja e godinës ku ka ushtruar aktivitetin LIBRA është paguar nga bashkëshorti i saj për shkak se kontrata ka qenë në emër të tij.




“Përgjatë disa muajve, në vitin 2017, kjo parti ka mundur të paguajë vetëm tatimin mbi qiranë, pasi të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë nuk kanë arritur të mbulojnë pagesën e qirasë, detyrim ndaj qiradhënësit”, sqaron Hafizi. Sipas saj, kjo pagesë nuk ka qenë asnjëherë e deklaruar si kontribut vullnetar. “Çdo pretendim ose tentativë nga kushdo për ta konsideruar pagesën e qirasë së LIBRA-s si kontribut vullnetar, është në shkelje të ligjit. KQZ duhet të kontrollojë deklaratat e kontributeve vullnetarë të kësaj force politike”, u shpreh Hafizi. Ajo sqaron se bashkë me një grup themeluesish dhe anëtarë të Partisë LIBRA, prej disa muajsh kanë nisur një proces gjyqësor ndaj akteve të rënda antiligjore të kryera nga një grusht njerëzish, që kanë uzurpuar këtë parti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.